Gonzato: Shqipëria i përket BE-së, mbyllim të gjithë grup-kapitujt këtë vit

nga D. V.

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh sot se Shqipëria i takon Bashkimit Evropian dhe ky moment është i vërtetë dhe i padiktuar nga aspekte të tjera.

Nga punimet e konferencës diplomatike “Diplo 2025”, mbajtur sot në Tiranë, ambasadori Gonzato tha se Shqipëria është në zemër të procesit të anëtarësimit në BE.

“Të jesh përfaqësues i BE-së këtu në Shqipëri është një përvojë fantastike. E ndjej veten si pjesë të kësaj përpjekjeje. Mesazhi që dua të përçoj është i vërtetë, real dhe këtë ua them edhe të rinjve në Shqipëri sepse janë ata që mbeten të zhgënjyer dhe e shohin të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. U them, ky është momenti ku të rinjtë, të cilët janë më krijues, me aftësitë e duhura që i nevojiten Shqipërisë janë ata që mund të bëjnë të pamundurën që Shqipëria të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Gonzato.

Sipas Gonzatos, ky moment është një mundësi unike për BE-në, nga njëra anë sepse gjatë viteve të fundit BE është përqendruar te vetja, duke qenë më egocentrik përballë sfidave të mëdha.

“Të kuptosh në fakt që modeli ynë po kërcënohet brenda Evropës, na bëri më të ndërgjegjshëm, më shumë se më parë në mënyrë që ne të bëjmë të pamundurën që i gjithë kontinenti që ndan  këtë projekt, ka këto vlera të përbashkëta. Të bëhesh pjesë e BE-së nuk do të thotë që bëhesh pjesë e një projekti ekonomik apo tregu të vetëm, por është një përpjekje politike që bazohet te vlerat që ne i ndajmë me njëri-tjetrin. Verifikimi i realitetit do ndodhë edhe kur Shqipëria të bëhet anëtare”, vijoi Gonzato.

“Për herë të parë në Evropë ekziston rreziku i euroskepticizmit, jo te ata që nuk besojnë te projekti, por te ata që nuk po bëjnë të pamundurën për ato ideale, vlera që baballarët e BE-së kanë pasur. Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerimin e BE-së, por për plotësimin e BE-së. Nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria i takon BE-së, Evropës natyrisht që po”, theksoi ambasadori Gonzato, ndërsa shtoi se vendi ynë ka avantazhe sa i përket demokracisë, rritjes ekonomike, por edhe mënyrës se si Shqipëria ka kontribuuar për përforcimin e politikës së jashtme në forume të ndryshme evropiane.

Sipas Gonzatos, të kesh një popullatë si e Shqipërisë që është entuziaste për integrimin në BE është një tregues që edhe qytetarët ecin me të njëjtin ritëm.

“Ecuria ka qenë fantastike dhe Shqipëria do bëhet pjesë e BE-së. Mendoj që ne do  i mbyllim të gjithë grup-kapituj sivjet. Ka ngurrim e ankth në disa shtete të BE-së që shohin se krimi i organizuar po destabilizon jetët e tyre. Shqipëria po godet këto rrjete kriminale ndërkombëtare dhe ky është një sinjal i qartë dhe i fortë që kemi të bëjmë me një Shqipëri të re”, cilësoi Gonzato.

“Një sfidë tjetër që unë shoh, është theksi gjithnjë e më i madh te puna e bërë. Nuk mjafton që ti të miratosh vetëm ligje, duhet të tregosh që këto ligje janë vënë në zbatim në mënyrë të saktë. Duhet një administratë publike profesionale, me njerëz që punojnë dhe rriten në karrierë në bazë të meritokracisë. Por, zbatimi varet dhe nga aktorë të tjerë”, pohoi Gonzato.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More