Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë Kombëtare të PS, se në Kuvend do të krijohen 11 komisione të përhershme të reja parlamentare, të cilat do të kenë lidhje organike sipas grup-kapitujve të procesit të negociatave të Shqipërisë në BE, ku 7 komisione do të drejtohen nga shumica parlamentare dhe 4 prej tyre nga opozita.
Rama u shpreh se grupi i punës sugjeron që të ketë riorganizim të Komisioneve të përhershme parlamentare, dhe krahas atyre ekzistuese pritet të ngrihet komision i ri për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financën
Rama theksoi se, “që në emërtesë krahas fokusit tërësor në politikat ekonomike lidhur ngushte me përqasjen ndaj tregut të përbashkët Europian, politika buxhetore financiare vjen si risi vendosja e punësimit në emërtesën e komisionit”.
Kryeministri u shpreh se, “qëllimi është sjellja në fokus të pikërisht këtij komisioni edhe të politikave të punësimit, lirisë së lëvizjes së punëtoreve, dialogu social, shëndeti i sigurisë së punë si përbërje organike e gjithë organizmit të ekonomisë, referuar kapitullit 2 dhe kapitullit 19 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Rama tha se, sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Rama u shpreh se, ky komision vishet me një mision dhe përgjegjësi të shtuar për të mbajtur në funksion të negociatave te anëtarësimit barrën e shqyrtimit të një mali të tërë ligjesh për modernizmin e sistemit ligjor të Shqipërisë.
“Duke garantuar ligje të standardit Evropian, por dhe duke siguruar përputhshmërinë e tyre me zbatueshmërinë e tyre. Njëherësh përmes këtij komisioni, Kuvendi do të kujdeset posaçërisht dhe për vlerësimin dhe hedhjen e gjithë hapave ligjorë për reformën e administratës sonë publike, e cila vazhdon. Një draft i ri është gati për t’i shkuar parlamentit”, vijoi Rama.
“Pjesë e grup kapitullit themeloret, një betim solemn me shkrim në korpusin ligjor të BE i të gjitha vendeve anëtare për respektimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e shtetit, ai natyrisht lidhet me shërbimin publik me standarde të denja për qytetarin evropian”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen
Kryeministri u shpreh se, Shqipëria po ndërton një partneritet të gjerë strategjik me BE, tanimë jo vetëm në fushën e sigurisë, por dhe në fushën e mbrojtjes.
“Të dyja janë bërë dy anë të së njëjtës medalje. Në kushtet kur pas zhvillimeve të reja gjeopolitike Evropa ka nxjerrë mësimin se në rast agresioni duhet të jetë e aftë të mbrojë vetveten pa pritur që ta mbrojë dikush tjetër”, tha Rama.
Prandaj, shtoi ai, “teksa Shqipëria po përgatitet shumë seriozisht për të qenë pjese e hapësirës evropiane të lirisë dhe të sigurisë, ky komision do të kujdeset që të mbështesë forcimin e sistemit të kapaciteteve të sigurisë, nismat ligjore dhe reformat e sigurisë së brendshme dhe të jashtme, parametrat e lartë të mbrojtjes si dhe bashkëpunimi me institucionet evropiane të ligj zbatimit”.
Rama tha se, sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet
Rama u shpreh se, “ka një shtesë në emërtim në çështje të lidhura me shkencën në këtë komision që vjen në vijim të rritjes së vëmendjes ndaj shkencës të lidhur ngushtësisht me inovacionin, por përsëri të lidhur edhe me procesin e negociatave për anëtarësim”.
Kryeministri theksoi se, sugjerohet që ky komision të drejtohet nga opozita.
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Kryeministri theksoi se, “Reformat dhe masat e reja për të rritur hap pas hapi nivelin e përafrimit me standardin europian të shëndetit publik, modernizmin e sistemit shëndetësor dhe sistemit të mirëqenies sociale do të jenë një pjesë e qenësishme e përpjekjeve të mandatit të ri”.
“Ky komision do të kujdeset për to dhe sugjerohet që të drejtohet nga opozita”, tha Rama.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.
“25% e korpusit ligjor të BE, mijëra e mijëra faqe standardesh në infrastrukturë, mjedis dhe transport apo rregullash të tregut energjetik apo digjital do të kalojnë nga ky komision i cili do të mbajë një nga ngarkesat më të mëdha legjislative në raport me procesin e negociatave të anëtarësimit dhe ku emërtesa është faktikisht një bashkim, një sinteze e asaj sesi këto fusha janë të ndërthurura në procesin e negociatave për anëtarësim”, tha Rama.
Patjetër, shtoi kreu i qeverisë, “burimet dhe mjedisi janë punë e më shumë se një dekade tjetër për standardet e katalogut evropian të standardeve dhe rregullave që nga mbetjet, ujerat deri tek biodiveristeti të cilat dhe vendet e BE e kanë sfidë që t’i ruajnë, por kjo rrugë e përpjetë kalon që tani nga projektligjet që ky komision do shqyrtojë dhe pastaj do t’i kalojë për miratim kuvendit”.
Rama tha se, sugjerohet që ky komision të drejtohet nga shumica parlamentare.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.
Rama u shpreh se ky është një komision i ri në sensin jo te temat, por të theksit.
“Shqipëria 2030 në BE dhe nënshkruesit e traktatit të anëtarësimit do të pranojë si të patjetërsueshme standardet e Kartës së të Drejtave themelore të BE. Dinjitetin njerëzor, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të dhënave personale, mos diskriminimin, barazinë gjinore, të drejtat e personave më aftësi të kufizuar, diversitet kulturor dhe fetar, mbrojtjen e fëmijëve, të drejtat për proces të drejtë gjyqësor, të drejtat e qytetarisë europiane, që nga vota deri tek e drejta për peticion dhe qeverisje të mirë”, tha Rama.
“Ky komision i ri ka një mision shumë te veçantë dhe delikat që lidhet pikërisht me këto tipare dhe vlera të profilit të Shqipërisë 2030 në BE ku liria e shprehjes si element thelbësor i lirisë në tërësi dhe mjetet e informimit publik mediat tradicionale dhe ato online kanë një peshë të posaçme”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se sugjerohet që drejtimi i komisionit t’i lihet opozitës.
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural.
Rama u shpreh se, “Shqipëria 2030 do të jetë pjese e tregut të përbashkët bujqësor evropian ku do ketë mundësi të reja të jashtëzakonshme por dhe sfida të reja krejt të pazakonshme.
Ndërkohë, shtoi ai, “sipas planit të integruar gradual që ne kemi dakordësuar me Komisionin Evropian vendi ynë do hyjë në zinxhirin e vlerës së ushqimit evropian më shpjet sesa do të hyjë në Bashkimin Evropian”.
Prandaj, vijoi Rama, “puna për t’u bërë është kolosale dhe ky komision do të punojë me të gjithë nismat ligjore që hap pas hapi do fusin këtu standardin evropian të prodhimit dhe të ushqimit për bujqësinë tonë, si dhe do kujdeset patjetër për programet, për mbështetjen e fermerëve, agropërpunuesve, tregtarëve, eksportuesve në nxitje të transformimit evropian të sistemit tonë të zhvillimit bujqësor”.
Rama tha se, sugjerohet që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.
Kryeministri u shpreh se, ky komision sjell mbi të gjitha risinë e vendosjes së diasporës jo thjeshtë në emërtesën e tij, por sepse gjatë këtij mandati do të rritet ndjeshëm vëmendja ndaj cilësisë së Shqipërisë turistike, ku Shqipëria kulturore dhe shqiptarët e Evropës dhe të botës do marrin një vëmendje si asnjëherë më parë.
“Nga ana tjetër në rrugën drejt 11 majit shqiptarët jashtë atdheut na thanë dhe na mësuan shumë rreth problemeve dhe arritjeve të tyre, mundësive dhe pritshmërive të tyre nga Shqipëria dhe tanimë edhe si votues nga matanë kufijve ata e meritojnë një angazhim më të madh të të gjitha forcave politike në parlament në mbështetje të tyre, por të Partisë Socialiste si forca më e madhe pa diskutim. Për ta, por edhe për interesin madhor të vendit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se, sugjerohet që drejtimi i këtij komisioni t’i besohet opozitës.
Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme.
Rama u shpreh se, “jo rastësisht ky komision që bashkon faktikisht në një, dy komisionet e dikurshme të politikës së jashtme dhe integrimit ka një emërtesë identike me Ministrinë tonë për Europën dhe Punët e Jashtme. Ai do të shqyrtojë si një filtër i vetëm konsistencën e drafteve ligjore për përafrimin me korpusin ligjor të Bashkimit Evropian. Do të ketë një status special të përshpejtuesit të procedurës kur rasti e kërkon dhe në të njëjtën kohë do të garantojë ekuilibrin më të mirë mes interesit më të mirë të vendit dhe standardit europian”.
“Bashkimi në një i Europës dhe Punëve të Jashtme edhe në parlament reflekton vullnetin tonë të plotë si shumicë parlamentare për ta konsoliduar qasjen e Shqipërisë ndaj punëve të veta të jashtme si qasje të një vendi anëtar në Bashkimin Evropian, i cili është tërësisht i linjëzuar me politikën e përbashkët të Bashkimit Evropian, një kthjelltësi e vyer kjo, sidomos në kushtet e këtyre dinamikave të reja gjeopolitike”, tha Rama, duke sugjeruar që këtë komision ta drejtojë shumica parlamentare.
Komisioni i ri për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Rama theksoi se, ky komision është një tjetër risi e kësaj faze të re të jetës parlamentare.
“Ai vjen pjesërisht si një ide e eksploruar me një komision të përkohshëm gjatë mandatit që sapo u përmbyll dhe pjesërisht si një lexim i mirë nga grupi i punës i disa modeleve në disa nga vende anëtare të Bashkimit Europian, të cilat përmes këtij komisioni e vendosin parlamentin në kushtet ku mund dhe duhet të kujdeset institucionalisht, qoftë për zërin e qytetarëve, qoftë për bashkëpunimin dhe mbikëqyrjen institucionale”, tha kryeministri.
“Falë një komisioni të tillë për nismat e grupeve të interesit qytetar dhe shoqëror ku pavarësisht nga fusha e këtyre nismave, një ekip i përhershëm deputetësh trajton adresimet e publikut ndaj parlamentit, Kuvendi më në fund krijon një kanal të munguar, të besueshëm dhe të dobishëm komunikimi për zgjedhësit në adresë të tij”, u shpreh më tej Rama.
Me fjalë të thjeshta, shtoi Rama, “ky komision do të jetë një adresë e unifikuar e hapësirës parlamentare për nismat e grupeve të ndryshme të interesit apo peticionet e komuniteteve në zonat zgjedhore në Shqipëri ose jashtë Shqipërisë, duke ndërtuar përmes rregullores së re fleksibilitet për të mos i kthyer mbrapsht njerëzit dhe qytetarët, pa mbledhur 50 mijë firma e ku di unë, nga ato historitë e tjera”.
Nga ana tjetër, vijoi ai, “Bashkimi Europian ka një traditë të pasur dhe mjaft kuptimplotë të pushtetit të butë të dialogut për nisma me peshë mes institucioneve të tij. Një model i tillë është trialogu mes Parlamentit Europian, Këshillit Europian dhe Komisionit Europian. Edhe ne, përmes këtij komisioni modestisht, duam që kulturën politike europiane të dialogut ndër institucional ta përdorim si një model të përhershëm të bashkëpunimit mes Parlamentit, qeverisë, sistemit të drejtësisë, autoritetet e pavarura, pushtetit vendor dhe me radhë”.
Rama u shpreh se, “në kushtet kur nga njëra anë një kulturë e tillë është shumë e dobët tek ne, dhe nga ana tjetër kur shpejtësia e re, ku ka hyrë proces i anëtarësimit kërkon informim institucional, koordinim ndër institucional, bashkëpunim mes institucioneve dhe shumë më tepër transparencë dhe përfshirje të publikut, Kuvendi duhet të bëhet pikë takimi i të gjitha forcave dhe i të gjitha energjive të Republikës së Shqipërisë në këtë proces historik. Ky komision është instrument për këtë qëllim”.
Po ashtu, shtoi Rama, “komisioni do të mbushë një boshllëk shumë të vjetër dhe gjithmonë e më të dëmshëm duke vendosur në fokus të punës tij shkallën dhe cilësinë e mbikëqyrjes parlamentare”.
Rama solli shembullin që “parlamenti sot nuk ka asnjë shënim dhe lëre pastaj të ketë një arkiv për dokumentimin e shkallës së zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit, për nivelin e kohezionit të mbikëqyrjes parlamentare, për efektshmërinë e masave rregullatore që ai merr”.
Rama theksoi se, “Kuvendi pa këtë instrument është si një ndërmarrje që prodhon, por nuk do t’ia dijë fare se ça bëhet me prodhimin e vet, zero kontroll post legjislativ, zero reflektim për ç’ka nuk ka funksionuar në kthimin e ligjit të shkruar në ligj të zbatuar. Zero informacion për deputetët mbi çfarë duhet adresuar dhe rekomandim si duhet adresuar”.
Rama u shpreh se sugjerohet që këtë komision ta drejtojë natyrisht shumica parlamentare”.
