Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar sot shtyrjen e Konventës së PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, duke theksuar se procesi aktual nuk garanton garë të drejtë, përmbajtësore dhe të hapur për të gjithë.
Hoxhaj në një postim në Facebook se një parti serioze nuk mund të organizojë një konventë të tillë në një periudhë kaq të shkurtër dhe i ka bërë thirrje Kryesisë së PDK-së që ta shtyjë atë të paktën deri të dielën e ardhshme.
Sipas tij, kjo do t’i jepte kohë të mjaftueshme anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë.
“Konventa duhet të shtyhet, sepse kështu do t’u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme,” ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se ngutia aktuale “nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e domosdoshëm” për PDK-në, ndërsa ka kundërshtuar çdo tentativë për orientim apo imponim të garës.
“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi që delegatët të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale,” ka shtuar ai.
Hoxhaj ka bërë të ditur se është kundër çdo formule që, sipas tij, shpërfill bazën e partisë.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët”, tha ai.
Ai ka kritikuar edhe dorëheqjen e kryetarit të deritanishëm, e cila sipas tij është shoqëruar me preferenca të qarta për pasuesin, duke krijuar “përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara”.
Hoxhaj gjithashtu thekson se PDK-ja ka nevojë për ndryshim të vërtetë.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, shtoi ai.
