Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja përgënjeshtroi sot deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, i cili tha se viktima e atentatit që ndodhi në Rinas mesditën e 11 nëntorit, Gilmando Dani, ishte truprojë e ministrit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se nuk e njeh dhe as nuk e ka parë ndonjëherë Gilmando Danin. Gonxhja paralajmëroi gjithashtu edhe padi në gjykatë në lidhje me akuzat e Berishës.
“Sot Saliu llomoit se paskam patur “badigard” (truprojë) dikë që as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë – dhe që emrin e këtij subjekti e mësoj si shumica e njerëzve nga kronika!
“Para 2 ditësh dilja i financuar (me rregull treshi në fushatë) sipas Saliut nga subjekti në fjalë! S’reagova sepse supozova se qe roitje, meqë po pardje ia bëri krah të djathtë Ervin Salianjit subjektin, mosha, kushedi… U pa puna – do provosh në gjykatë secilin element akuze publike Sali! 81 vjeç, e s’tu zbardh dot kurrë katrani…”, shkruan Gonxhja.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas atentatit që ndodhi në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe i plagosur Muçi Shaljani, në dy dalje për mediet, hodhi akuza në drejtim të qeverisë, për lidhjet që sipas tij dy personat kishin me ministrin Blendi Gonxhja dhe ish-ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha.


