Tetovë 20 tetor – Dy policë janë sulmuar fizikisht teksa po ndërmerrnin bashkë me shërbimin e merimangës, aksionin për pastrimin e rrugëve nga makinat e parkuara gabimisht. Gjatë tentimit për ta larguar një makinë që ishte parkuar gabimisht e që ishte pronë e një 43 vjeç, policia has në rezistencë. Pas kundërshtimeve të pronarit për ta larguar makinën nga vendi i ngjarjes, i njëjti pas sulmit verbal ndaj dy pjesëtarëve të policisë, përdor edhe forcën dhe fillon ta godet me grushte njërin prej policëve.
Rasti është filmuar nga një kalimtare rasti e cila videon e ka postuar më pas në rrjetet sociale
Zëdhënësi i SPB-së në Tetovë tha se personi që ka sulmuar zyrtarët policorë është arrestuar.
“Për fat të mirë kolegu është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa personi është mbajtur në stacionin policor Gostivar për procedurë të mëtejme. Ndaj tij është iniciuar parashtresë përkatëse, me të cilën gjatë ditës së djeshme është dërguar para gjykatësit përkatës i cili i caktoi masën e paraburgimit në afat prej tetë ditësh, dhe i njëjti është dërguar në burgun e Shkupit, për të vuajtur masën e paraburgimit”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i Policisë së Tetovës.
SPB e Tetovës apelojnë që qytetarët të mos parkojnë makinat në vendet e gabuara, sepse do të vazhdoj aksioni i largimit të tyre, ndërsa çdo sjellje agresive ndaj zyrtarëve policorë do të merr dënimin maksimal.
