Gjykata Administrative ka vendosur sot të shfuqizojë pjesërisht vendimin e Kuvendit mbi masat disiplinore të vendosura ndaj disa deputetëve të opozitës, duke ulur masën e dënimit.
Konkretisht për deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Bledjon Nallbati që ishin përjashtuar me 60 ditë, gjykata ka lënë në fuqi përjashtimin për 10 ditë. Ndërsa për deputetët e tjerë është lënë në fuqi përjashtimi me pesë ditë.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili publikoi edhe argumentet e vendimit të Gjykatës.
Sipas Bardhit, dënimi pa ligj i opozitës, konfirmuar sot edhe nga Gjykata, provon drejtësinë e betejës së deputetëve të PD-së për të kthyer kushtetutshmërinë dhe rregullin në veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë.
“Për fat të keq, nën drejtimin e Elisa Spiropalit, Kuvendi është kthyer si asnjëherë më parë në një çerdhe paligjshmërie, ku vepron forca e arrogancës dhe shkelja brutale e Kushtetutës. Rrethimi i Kuvendit me tela hekuri dhe me qindra Forca Sigurie, për të penguar 24 deputetë të opozitës, në shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit, të ushtrojnë detyrën e tyre, është i denjë vetëm për regjimet autoritare dhe kurrësesi për një vend anëtar të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, “opozita po pengohej me dënime pa ligj, me tela hekuri dhe forca sigurie, që të futej në Kuvend”.
“Ne presim me padurim që t’i vijë zëri për të dënuar aktin antikushtetuese, kujtdo që fajësonte me pa të drejtë opozitën dhe i kërkonte asaj që të luante rolin e vet brenda Kuvendit, ndërkohë që e vërteta ishte që opozita po pengohej me dënime pa ligj, me tela hekuri dhe forca sigurie, që të futej në Kuvend”, shtoi ai.
Bardhi theksoi se ky është rasti i parë në histori që deputetët e opozitës dënohen me një rregullore që e kishte shfuqizuar Gjykata Kushtetuese, duke injoruar vendimin e saj për t’i konsideruar masat e përjashtimit si jo proporcionale.
“Ata që pa ligj penguan me forca sigurie për rreth 40 ditë deputetët e opozitës të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues do të mbahen përgjegjës”, tha Bardhi.
