Mali i Zi thotë se nuk u ftua në nismën për bashkëpunim ushtarak

nga Xh M

Mali i Zi nuk është ftuar që të bëhet pjesë e deklaratës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, e cila u nënshkrua më 18 mars në Tiranë nga ministrat e Mbrojtjes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Siç ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë (REL) Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, ata “nuk janë në dijeni” që Malit të Zi i është ofruar të nënshkruajë këtë deklaratë. Deklarata ka të bëjë me forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje për ruajtjen e paqes, duke përfshirë industrinë e mbrojtjes, veprimet për luftimin e kërcënimeve hibride dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike, sipas Ministrisë kroate të Mbrojtjes.

Përveç se kufizohet me të tria vendet nënshkruese, Mali i Zi është anëtar i NATO-s, njësoj si Kroacia dhe Shqipëria.

Nënshkruesit e deklaratës kanë theksuar se mbetet e hapur mundësia që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vende të tjera.

E pyetur nga REL nëse do t’i bashkohet deklaratës, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi nuk ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.

Në përgjigje u theksua se do të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit, duke promovuar vizionin euroatlantik për Ballkanin Perëndimor.

“Si anëtar i NATO-s, theksojmë rolin e forcave të NATO-s në Kosovë [KFOR-it], si faktor i rëndësishëm që kontribuon në ruajtjen e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt, dhe ndaj mandatit të të cilit kontribuon edhe Mali i Zi, gjë që do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes. As Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë nuk ka komentuar për pyetjen nëse Mali i Zi do të mund t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje ushtarake. Po ashtu, as NATO-ja nuk komentoi.

“Nuk ishte e pritshme që në këtë situatë, Kroacia të ftonte Malin e Zi të bashkohej me deklaratën, gjë që nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndodhë nëse përmirësohen marrëdhëniet bilaterale”, tha për REL-in ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Malit të Zi, Dragan Samarxhiq.

Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Malit të Zi u përkeqësuan pas miratimit të Rezolutës për Jasenovcin në Parlamentin malazez, në qershor të vitit 2024.

Një muaj më vonë, Kroacia shpalli person të padëshirueshëm, Andrija Mandiqin, kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Milan Knezheviqin, deputet, dhe Aleksa Beçiqin, zëvendëskryeministër, për shkak të asaj që u cilësua si “veprim i qëllimshëm për prishjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë”.

Në dhjetor 2024, Kroacia bllokoi mbylljen e një kapitulli në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, që lidhej me politikën e jashtme të sigurisë dhe të mbrojtjes. Edhe nëse do të ishte ftuar të bashkohej me deklaratën për bashkëpunim të mbrojtjes, Samarxhiq mendon se Qeveria e Malit të Zi nuk do të kishte pasur fuqinë politike për të dhënë një përgjigje pozitive.

“Qeveria aktuale e Malit të Zi po mban një balancë mes rrugës euroatlantike dhe përplasjeve të brendshme politike, gjë që mund të ndikojë në qëndrimin e saj ndaj nismave të tilla”, tha Samarxhiq.

Në Qeverinë në Podgoricë ka dy zëvendëskryeministra dhe tre ministra nga ish-Fronti Demokratik prorus, i cili është shpërbërë kohët e fundit, parti e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është kundër anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Lideri i këtij fronti, Andrija Mandiq, është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Ata janë pjesë e shumicës qeverisëse që nga viti 2020, kur u rrëzua nga pushteti Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, gjatë qeverisjes të të cilit, Mali i Zi u pranua në NATO.

A e ka shkelur deklarata marrëveshjen e vitit 1996?
Ndryshe nga Mali i Zi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se me nënshkrimin e deklaratës në fushën e mbrojtjes, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armatimi në rajon dhe kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.

Kjo marrëveshje, që ka të bëjë me kuotat e lejuara të armatimit, u nënshkrua në atë kohë nga të dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës, Federata dhe Republika Sërpska, Kroacia dhe Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi.

Samarxhiq, i cili ka marrë pjesë drejtpërdrejt në zbatimin e saj për shumë vite, vlerësoi se deklarata nuk ka shkelur asnjë nen të kësaj marrëveshjeje.

“Gjatë zbatimit shumëvjeçar të kësaj marrëveshjeje nuk ka pasur raste të shkeljes. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova nuk janë pjesë e këtij dokumenti. Pra, nuk shoh ndonjë lidhje shkak-pasojë midis këtyre dy marrëveshjeve”, theksoi Samarxhiq.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More