A do ta lëshojë frontin Ali Ahmeti apo do të vazhdojë akoma?

nga I.A

Shkup, 30 tetor – Në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut një pyetje që po shtrohet gjithnjë e më shpesh është se a do ta lëshojë frontin Ali Ahmeti apo do të vazhdojë akoma? Pyetje që tingëllon më shumë si provokim politik sesa si analizë racionale, por që pas zhvillimeve të fundit brenda BDI-së, meriton një shqyrtim më të thellë, shkruan Zhurnal.

Ali Ahmeti një lider që s’e lëshon lehtë skenën – 

Ali Ahmeti, që prej krijimit të Bashkimit Demokratik për Integrim në vitin 2002, ka qenë figura që i ka dhënë frymë, drejtim dhe autoritet partisë. Ai është jo vetëm themeluesi, por edhe simboli i një periudhe të gjatë të politikës shqiptare në vend një lloj “institucioni” brenda vetes.
Megjithatë, pas më shumë se dy dekadash në krye, lodhja politike, ndryshimet shoqërore dhe tensionet e brendshme kanë filluar të shfaqen. Brezi i ri i figurave si Bujar Osmani, Arbër Ademi, Fatmir Besimi, Kreshnik Bekteshi apo të tjerë përfaqësojnë një elitë që kërkon më shumë hapësirë dhe ndikim në drejtimin e partisë.

Rasti Çairit një “test” apo një “kurth” politik?

Deklaratat e fundit të Izet Mexhitit, një prej figurave më të spikatura të krahut të pakënaqur brenda BDI-së dikur, e sot pretend për të qenë lider i koalicionit shqiptarë, VLEN,kountriboujnë akoma më shumë në këtë debat. Sipas tij, kandidimi i Bujar Osmanit për kryetar të Komunës së Çairit nuk ishte një nismë për fitore, por një lëvizje e menduar për “ta djegur” politikisht.
“Ndoshta edhe kjo ka qenë arsyeja që zoti Ahmeti i imponoi zotin Osmani për kandidat në Çair, për ta djegur si figurë politike, si pretendent për kryetar të BDI-së”, tha Mexhiti në TV21.

Nëse kjo analizë qëndron, atëherë kemi të bëjmë me një strategji të vjetër politike neutralizimin e rivalëve potencialë përmes ekspozimit në terren të vështirë. Çairi është simbolikisht bastion i rëndësishëm për shqiptarët në Shkup, por edhe terren ku fitorja nuk është e garantuar. Humbja aty, në një garë të ekspozuar publikisht, është goditje që mund të lërë gjurmë të thella.

A është Bujar Osmani “i djegur”?

Bujar Osmani, si figurë politike ka kaluar përmes një transformimi të gjatë nga mjek, në zëdhënës qeverie, ministër i Shëndetësisë, zëvendëskryeministër dhe deri te ministër i Jashtëm. Ai përfaqëson krahun më diplomatik, më “perëndimor” dhe më institucional të BDI-së.
Por, humbja në Çair i ka dëmtuar perceptimin e tij si fitues dhe si figurë që mund të mobilizojë strukturat lokale element kyç për të udhëhequr një parti si BDI.
Në këtë kontekst, Mexhiti mund të ketë të drejtë humbja e Osmanit nuk ishte vetëm një dështim elektoral, por një lëvizje e menaxhuar për t’ia ulur peshën politike brenda partisë.

Ali Ahmeti mes tranzicionit dhe kontrollit – 

Ahmeti ndodhet sot në një pozitë delikate në njërën anë, kërkesa për ristrukturim dhe reformë brenda BDI-së është reale dhe e fortë në anën tjetër, ai e di se çdo tranzicion pa kontroll mund ta përçajë partinë.
Prandaj, në vend që të “lëshojë frontin”, Ahmeti duket se po zgjedh ta menaxhojë tranzicionin, duke vendosur vetë ritmin dhe drejtimin. Ai mund të mbajë formalisht rolin e liderit për aq kohë sa është e nevojshme, ndërsa paralelisht “filtron” se kush nga gjenerata e re do të jetë i pranueshëm për ta trashëguar drejtimin.

Nëse historia politike e BDI-së na mëson diçka, është se ndryshimet aty nuk ndodhin me përmbysje, por me tranzicione të kujdesshme. Edhe nëse Ali Ahmeti vendos të tërhiqet gradualisht, ai nuk do ta bëjë këtë pa siguruar që pasardhësi të mos rrezikojë kohezionin e partisë dhe kontrollin mbi strukturat lokale.

Kujtojmë që, Ali Ahmeti, me gjasë nuk do ta lëshojë frontin në mënyrë të menjëhershme. Ai do të vazhdojë të jetë figura kyçe e stabilitetit të BDI-së derisa ta përgatisë pasardhësin “e duhur”. Ndërkohë, beteja për trashëgiminë ka filluar dhe rasti i Bujar Osmanit është vetëm shenja e parë se kjo luftë do të jetë e gjatë, komplekse dhe e mbushur me kalkulime të brendshme. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More