Shkup, 10 shtator, zhurnal.mk – Që në muajin maj, tani më ish-kryeministri, Oliver Spasovski paralajmëroi se do të ketë fundjavë pa TVSH. Por në vend që në fund të gushtit, qytetarët mund të shpresojnë për masën e tillë në fillim të tetorit. A do të vlejë masa pa TVSH vetëm gjatë fundjavës apo do zgjasë gjithë javën? Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi shpjegon se masa për Fundjavë pa TVSH ende nuk është definuar tërësisht. Vendimi, siç thotë Bekteshi, do të sillet në përputhje me mundësitë fiskale në Buxhet.
Masa, Fundjavë pa TVSH u paralajmërua në muajin maj nga ish-kryeministri teknik, Oliver Spasovski si set i tretë i masave për zbutjen e pasojave ekonomike nga korona virusi.
Por, jo të gjithë ekonomistët pajtohen me masën e tillë. Profesori universitar, Branimir Jovanoviq, i cili është ish-këshilltarë i ish-ministrit të financave, Tevdovski, thotë se masa Fundjavë pa TVSH do të bëjë vrimë të madhe në Buxhet dhe do të stimulojë ekonominë gri.
“Masa më shumë do të jetë në favor të më të pasurve sesa për më të varfrit. Çfarë mund të blejë i varfri – ai blen ushqim, veshje, nevojat elementare që janë të lira. Këtu nuk ka tatim të madh. Ndërsa i pasuri blen produkte të shtrenjta, atë fundjavë do të blej telefon të shtrenjtë, televizion dhe në mënyrë praktike shteti do t’i lirojë nga tatimi më të pasurit, në vend që tu ndihmojë më të varfërve”, deklaroi Branimr Jovanoviq, profesor universitar.
Masa Fundjavë pa TVSH do të jetë vështirë për tu zbatuar, vlerëson Jovanoviq, për shkak se, siç tha, në të ardhmen kompanitë do të përballen me problem me adaptimin e arkave fiskale, që sipas tij, do të kushtojë para dhe kohë.