A do të zëvendësohet ujësjellësi në Dibër?

nga Xh M

Dibër, 13 shkurt – Qyteti i Dibrës furnizohet ndoshta me ujin më të mirë në vendin tonë, por rrjeti i ujit është tejet i vjetër dhe shkakton humbje të mëdha të ujit. Sipas të dhënave të drejtorisë të ndërmarrjes komunale “Standardi” në Dibër, e cila përveç mirëmbajtjes së higjienës publike menaxhon edhe me ujësjellësin Rosok-Dibër, pjesa më e madhe e rrjetit është vendosur viteve të 50-ta, dhe rrjeti që është përmirësuar me tubacione të reja viteve të fundit është me gjatësi shumë të vogël në krahasim me rrjetin e vjetër. Burimi i njëjtë potencon se kjo shkakton shumë probleme me furnizimin me ujë të qytetit dhe të disa fshatrave të tij, sidomos gjatë sezonit veror.

Drejtori i ndërmarrjes “Standardi”, Burim Kaba, për gazetën Koha thotë se rrjeti i vjetër për furnizimin me ujë të Dibrës, shkakton shumë probleme si në humbjet e ujit, por edhe në lidhje me defektet e shumta që paraqiten në qytet. Sipas tij, gjatë viteve të fundit ka patur edhe aktivitete për sanimin e rrjetit të ujësjellësit, por pjesa dërmuese e rrjetit ka tuba të vjetra.

“Tre vitet e fundit kemi zëvendësuar rrjetin e vjetër me rrjet të ri. Afër katër kilometra kemi rrjet të ri, por nëse kemi parasysh se vetëm në qytet rrjeti është 63 kilometra, atëherë është e qartë se nevojitet një projekt për zëvendësimin e rrjetit të vjetër me rrjet të ri. Duhet theksuar se nuk kemi rrjet me tubacione të azbestit, por vet fakti se rrjeti është shumë i vjetër, na shkakton probleme të shumta”, thotë drejtori Kaba, ndërsa shton se një situatë e këtillë shkakton edhe humbje të mëdha të ujit. Në një analizë të Entit statistikor për Revizion gjatë kontrolleve të kryera në Ndërmarrjen Publike Komunale “Standard” në Dibër, është konstatuar se ka humbje të mëdha të ujit të pijshëm.

“Funksionimi dhe vazhdimësia e NPK është në pikëpyetje për shkak të numrit të madh të parregullsive të konstatuara në punë dhe përqindjes së lartë të ujit të pafaturuar, prej 81%”, thuhet në analizën e Entit Shtetëror për Revizion.

Drejtoria e ndërmarrjes publike “Standardi” vlerëson se patjetër duhet të realizohet edhe një projekt i veçantë për zëvendësimin e rrjetit në qytet me një rrjeti të ri, dhe sigurisht do të ketë edhe rezultate. Këtë e përkrah edhe Komuna Dibër, e cila është edhe themeluese e ndërmarrjes komunale. Projekti që u realizua deri tani me ndërrimin e valvuleve nga burimi i ujësjellësit në fshatin Rosok e deri në Dibër në një largësi prej 19 kilometrash dha shumë rezultate dhe pati rritje të prurjeve të ujit në rezervarin kryesor të ujit në Dibër. Tani pritet edhe fazë e dytë për furnizimin të tërësishëm me matës digjital të Dibrës dhe prandaj pritet që situata dukshëm të përmirësohet në uljen e humbjeve të ujit.

Kaba po ashtu vlerëson se ka nevojë të vazhdojnë projektet për furnizimin më stabil të ujit, duke bë edhe vendosjen e kadodizimit të tubacionit, meqë kadodizimi i vendosur në vitin 1988 kur është lëshuar në përdorim ujësjellësi, tanimë nuk ka efekte dhe mbrojtja e tubacioneve nuk ekziston. Rreth projekteve ndërmarrja në kontinuitet ka patur përkrahjen e pushtetit vendor, i cili realizon edhe projektet në interes të furnizimit me ujë të Dibrës.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More