Shkup, 6 shtator – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë se po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor. Gjatë vizitës në Tiranë, Osmani vizatoi në njëfarë mënyre edhe konturat e këtij plani, duk thënë se është i ngjashëm me atë që e realizoi Rusia në Ukrainë në vitin 2014.
Domethënë nuk bëhet fjalë vetëm për dyshime ose akuza apstrakte, por për paraqitje konkrete të pretendimeve që ka Serbia edhe atë jo nga kushdo, por nga presidentja e një shteti, shkruan Zhurnal.
Ajo iu referua nisjes së konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia me forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit dhe aneksimit të Gadishullit të Krimesë nga Moska.
Gjatë konferencës me homologun Bajram Begaj, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, duke theksuar se “jemi dy shtete, por fatet i kemi të ndërthurura”. Mirëpo bëri thirrje të qartë që të gjitha shtetet demokratike në rajon nuk duhet të lejojnë zbatimin e këtij plani.
“Nuk është situata në veri ajo që ka acaruar dialogun Kosovë-Serbi. Është Serbia ajo që gjithnjë acaron situatën në rajonin tonë nëpërmjet sulmeve të njëpasnjëshme ndaj Kosovës. Nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës. Duke zbatuar në përpikëri planin që [presidenti rus, Vladimir] Putini kishte zbatuar në vitin në vitin 2014 kundër Ukrainës, [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiqi dhe Serbia po synojnë ta destabilizojnë të gjithë Ballkanin Perëndimor, e nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë të atakojnë vlerat dhe sistemin e vlerave mbi të cilët qëndrojnë BE-ja dhe NATO-ja”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Dyshimet e shprehura nga Omani në Tiranë, u vërtetuan në Zveçan
Deklarata e presidentes Osmani në Tiranë, në pjesën më të madhe të opinionit u mor seriozisht, port e një pjesë ngjalli dyshime se bëhet fjalë vetëm për një vokabular të sforcuar kundër një shteti (serbisë) me të cilin Kosova është duke zhvilluar negociata të vështira për njohje reciproke. Prandaj, kjo deklaratë u cilësua edhe si qëndrim për të ndërtuar pozicione më të volitshme në dialog përballë kundërshtarit. Por, se bëhet fjalë për plan konkret për destabilizim të Kosovës, e jo vetëm për akuza të pabaza, u dëshmua ende pa u kthyer presidentja Osmani nga vizita zyrtare në Shqipëri, kur policia kosovare zbuloi dhe konfiskoi një arsenal të madh armatimi në komunën e Zveçanit, të banuar me shumicë serbe, shkruan Zhurnal.
Armatimi është gjetur në një shtëpi në këtë qytet, e sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, shtëpia ku është gjetur armatimi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
Sveçla ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it. “Për 2 dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi” – ka thënë ministri.
Ai tutje ka thënë se kontrabandimi e hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët në veri, të cilët sipas Sveçlës. “Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit” – ka thënë Sveçla. Tutje ai ka thënë se veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit dhe se rendi e ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës.
Edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në Zveçan.
Kurti ka thënë se armët kanë pasur të shpërndahen te bandat e dhunshme në atë pjesë të Kosovës.
Deklarata e Kurtit është dhënë përmes platformës “X” e njohur më parë si Tëitter, shkruan Zhurnal.
“Një tjetër fitore për sundimin e ligjit dhe sigurinë. Sot Policia e Kosovës në prezencë të KFOR-it, bastisi një depo armësh në Zveçan që përdorej për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë”, shkroi Kurti.
Synimet e vërteta të Serbisë
Synimet e vërteta të Serbisë në këto momente, i ka definuar shumë bukur Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë. Në deklaratën për Radion Evropa e Lirë, Vrajolli ka potencur rolin destruktiv që ka Serbia jo vetëm në Kosovë, por edhe në Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut.
“Serbia, përfundimisht, është aktor detabilizues në rajon. Nuk është [aktor] destabilizues vetëm në Kosovë, por është dëshmuar që është destabilizues edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Është vërejtur tendenca destabilizuese që ka ndikuar mjaft negativisht në Mal të Zi. Më herët ishin tendencat për të bërë një lloj grushtshteti edhe në Maqedoni [të Veriut]. Ndikimi destabilizues i Serbisë tashmë është i dëshmuar dhe mendoj se, në vazhdimësi, është prezent, më shumë sesa është folur për të në publik”, vlerëson Vrajolli.
Për këtë arsye është me rëndësi të veçantë që planet destabilizuese të Serbisë të dënohen nga të gjitha shtetet e rajonit, sepse në atë mënyrë fitojnë më shumë në peshë, se sa kur dënohen vetëm nga Kosova, shkruan Zhurnal.
Është mirë që këto plane të dënohen edhe nga Mali i Zi e Maqedonia e Neriut, nëse jo konkretisht si plane të Serbisë, atëherë si plane të Rusisë, e cila që kur nuk arriti të realizojë synimin për pushtim të Ukrainës “për tre ditë”’, vazhdimisht është e interesuar të krijojë vatra të reja krizash. Gjatë gjithë kësaj periudhe rrallë kush në skenën ndërkombëtare është treguar besnik ndaj Rusisë dhe Putinit, sikurse Serbia dhe Vuçiq. Për këtë arsye edhe distancimi sa më i madh i mundshëm prej skenareve të tyre në Balkan është i mirëseardhur, pasi një skenar eventual “Donbas” nuk paraqet rrezik vetëm për një shtet, por për një rajon të tërë. Andaj, çdo dënim i planeve të tilla, por edhe çdo mbështetje, së paku morale për Kosovën përballë atyre skenareve, paraqet një investim të vërtetë në stabilitetin e vendeve veç e veç, por edhe rajonit në përgjithësi./Zhurnal