Shkup, 28 maj – Një deklaratë e fundit nga zëvendëskryeministri Arben Fetai ka trazuar ujërat e opinionit publik, sidomos në radhët e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Në një koment të drejtpërdrejtë dhe të pakonceptueshëm për shumëkënd, Fetai akuzoi ish-kryetarin e partisë së tij, Arben Taravari, për pengimin e procesit të punësimeve për shqiptarët në institucionet shtetërore. Sipas tij, vendimi i Taravarit për të tërhequr përfaqësuesin e ASH-së nga komisioni kadrovik i koalicionit VLEN, për më shumë se një muaj, ka sabotuar planifikimin dhe realizimin e punësimeve në sektorët ku shqiptarët duhej të përfaqësoheshin, shkruan Zhurnal.
Çfarë i patën borxh shqiptarët që Taravari të bllokojë punësimin e tyre?
Zhvillimet e fundit në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah një akuzë të rëndë, por tepër të rëndësishme për t’u analizuar: sipas zëvendëskryeministrit Arben Fetai, vetë Arben Taravari është përgjegjës për bllokimin e punësimeve për shqiptarët në institucionet shtetërore. Dhe pyetja që lind natyrshëm është çfarë i patën borxh shqiptarët që Taravari të luante me të drejtën e tyre për përfaqësim dhe punësim?
Fetai u shpreh qartë dhe pa ekuivoke për më shumë se një muaj, përfaqësuesi i ASH-së në komisionin kadrovik të koalicionit VLEN strukturë vendimtare për planifikimin e punësimeve në administratë u tërhoq me urdhër të Taravarit. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj lëvizjeje, sipas Fetait, ishte bllokimi i plotë i procesit të punësimeve për sektorët që u takonin shqiptarëve, ndërkohë që në pjesën maqedonase ato vazhduan normalisht.
Kjo nuk ishte një lëvizje e pafajshme politike. Ishte një akt sabotazhi ndaj qytetarëve shqiptarë që presin prej vitesh që pushteti të funksionojë edhe për ta. Taravari zgjodhi ta godasë sistemin nga brenda, por jo për të mirën e shqiptarëve për të bërë presion politik brenda një koalicioni ku kishte humbur ndikimin personal. Në vend se të ruante përgjegjësinë institucionale që kishte përballë elektoratit, zgjodhi bllokadën si mjet hakmarrjeje politike.
Kjo sjellje e kthen Taravarin në simbol të një qasjeje të vjetër dhe të rrezikshme atë të politikanit që e sheh shtetin si mjet presioni, e jo si shërbim publik. Dhe kjo është e pafalshme për një lider që ka ndërtuar karrierën mbi retorikën e ndryshimit dhe llogaridhënies.
Fetai, në anën tjetër, premton se kjo do të rregullohet me tempo të përshpejtuar. Por, në këtë pikë, premtimet nuk mjaftojnë. Shqiptarët nuk kanë më kohë për të pritur. Ata kanë nevojë për përfaqësim real, për vende pune të garantuara me meritë dhe për t’u ndjerë të barabartë në këtë shtet.
Kujtojmë që, një gjë është e qartë tani që sabotimi ka emër dhe mbiemër, Arben Taravari u ka një përgjigje borxh qytetarëve shqiptarë. Dhe kjo përgjigje nuk mund të jetë më heshtja apo justifikimi politik. Sepse dëmi është bërë. Dhe përgjegjësia është e tij. /Zhurnal.mk
