A e “tradhtoi” dikush brenda BDI-së Drin Ahmetin, apo nga LSDM-ja?

nga Redaksia

Shkup 2 janar – Pas gjetjes së 750 mjeteve piroteknike në veturën e Drin Ahmetit, nipit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe bahkë-pronar i qendrës tregtare “Soravia”, aktualisht nuk dihet se cila do të jetë përgjegjësia e tij. MPB-ja informoi se SPB Shkup, në koordinim me prokurorin publik, ka dorëzuar parashtresën përkatëse në Prokurorinë Publike të Shkupit për veprime të mëtutjeshme.

Prokuroria sqaron se për rastin është i nevojshëm ekspertimi.
“Për ngjarjen është njoftuar prokurori publik. Sipas Prokurorisë, në varësi të fakteve që do të vërtetohen me ekspertizë për mjetet piroteknike të gjetura, prokurori publik do të vendos për rrjedhën e mëtutjeshme të procedurës”, njoftuan nga Prokuroria.
MPB njoftoi se mbrëmë në rrugën “Samoilova” në Shkup është ndalur një veturë e pasagjerëve “Range Rover” me targa shqiptare. Vetura drejtohej nga 25-vjeçari Drin Ahmeti nga fshati Zajas i Kërçovës dhe gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur 749 mjete piroteknike.

Sido që të vendosë Prokuroria, një dilemë që është paraqitur prej ditës së parë që Drin Ahmeti u ndal nga policia, është nëse në rastin e tij bëhet fjalë për luftë të sinqertë kundër trafikimit ose pengimit të shitjes së mjeteve pitoteknike, ose bëhet fjalë për diçka më tepër.
Sado që lufta kundër krimit në Maqedoninë e Veriut ka shënuar disa përparime, megjithatë ende kemi situata ku kalojnë pa u prekut fare raste të mëdha të tregtisë me drogë, me cigare, me migrantë, manipulimet me miliona euro në tendere të ndryshme, etj. Pa asnjë keqkuptim, nuk jemi kundër procedimit të çdo vepre penale, qoftë ajo e madhe, ose qoftë e vogël.
Mirëpo nëse bëhemi realistë, do ta pranojmë se lufta kundër krimit tek ne ende nuk ka arritur as në nivelin që të dënohen e përndiqen shokë e familjarë të figurave më të vogla politike, e jo më për mjete piroteknik të ndalohet familjar i kryetarit të partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeverisës, nga e cila për shkak të numrave, varet mbijetesa e shumicës parlamentare.

Kjo krijon dyshimet se në këtë rast ose bëhet fjalë për dërgim të ndonjë porosise, ose për “tradhti” ndaj Drin Ahmetit. Një “tradhti” të tillë, nëse është bërë sepse megjithatë mbetet një dozë e vogël besimi se rasti nuk ka prapavijë politike, mund ta bëjë ose dikush nga brenda BDI-së, ose dikush nga partneri më i madh qeveritar, LSDM. A ka kapacitet ndonjë parti tjetër për diçka të tillë? Nukë është për të besuar! Edhe nëse bëhet fjalë për porosi që dikush në këtë mënyrë mundohet të ja dërgojë kryetarit të BDI-së, prapë se prapë ajo mund të vijë ose nga qarqe të pakënaqura në BDI, ose nga qarqe në LSDM. Kapacitet për të dërguar mesazh të tillë përmes njësitit policor “Tigrat” realisht nuk ka dikush tjetër!

Cili mund të jetë qëllimi i “porosisë” ose “tradhtisë”?

Në Maqedoninë e Veriut sivjet do ketë zgjedhje të dyfishta: preidenciale dhe parlamentare. Partitë politike, grupet e interesit, indidvidët e interesuar, do të fillojnë ditë e më tepër të shprehin pretendime për pozicione sa më të forta në lista zgjedhore dhe për sigurimin e atyre pozicioneve nuk do të kursehen mjete e nuk do të zgjedhen metoda. Kjo do të thotë se viti që sapo ka filluar, do të jetë interesant për opinionin, gazetarët dhe mediumet, por mjaft i sikletshëm për politikanët. Asgjë nuk do të mbarojë më 8 maj, kur është caktuar dita e zgjedhjeve parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Madje shumë zhvillime do të fillojnë pikërisht në këtë ditë!

Drin Ahmeti: Fishekzjarrët janë blerë në mënyrë ligjore

Drin Ahmeti, nipi i Ali Ahmetit, ka folur për herë të parë pasi u kap nga policia me një sasi të madhe të mjeteve piroteknike. Ai për “Skopje1″ thotë se fishekzjarrët i ka blerë në mënyrë ligjore. Drin Ahmeti mendon se nuk ka bërë asnjë vepër penale dhe se do të përballet ligjërisht me këtë.

“Për momentin nuk do të komentoj detaje pasi hetimet dhe procedimet janë në vazhdim dhe ekipi im ligjor po punon për të. E vetmja gjë që mund të them është se mjetet piroteknike janë blerë legalisht dhe të gjitha dhuratat e tjera në makinë ishin për mbesat dhe nipërit e mi”, tha Drin Ahmeti.

Megjithatë, sipas Kodit Penal, mbajtja dhe prokurimi i lëndëve plasëse është krim. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dje ka konfirmuar se në njoftimin që MPB-ja e ka dorëzuar në Prokurorinë Publike është përmendur neni 396 i Kodit Penal. “Nëse objekt i veprës penale është sasia e madhe e lëndëve shpërthyese të destinuara për aktivitete të lejuara argëtuese, festive dhe të tjera, kryerësi dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”, tha Spasovski.

Megjithatë, Prokuroria Publike do ta ketë fjalën përfundimtare nëse apo jo, Drin Ahmeti do të përgjigjet për vepër penale apo kundërvajtëse. Nga aty edhe sot nuk ndajnë detaje të reja rreth rastit, përveç se janë në pritje të ekspertizës për provat.

Nëse konstatohet se Ahmeti nuk ka kryer vepër penale, atëherë policia do të ketë mundësi të bëjë kallëzim për kundërvajtje. Ligji për shkeljet e rendit dhe qetësisë publike për përdorimin e mjeteve piroteknike parashikon gjobë nga 100 deri në 250 euro.
Drin Ahmeti u arrestua një ditë para Vitit të Ri në afërsi të pazarit të vjetër të Shkupit, ku “Tigrat” gjetën 750 copë mjete piroteknike në makinën e tij./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More