A ka filluar parafushata për zgjedhjet lokale?

nga I.A

Shkup, 17 janar – Këtë e kuptojmë lehtësisht kur shohim aktivitetet e partive politike. Edhe pse opozita është e përgjumur si ajo shqiptare ngjashëm edhe ajo maqedonase. Pushteti me lehtësi ka filluar fushatën dhe promovimin e të arriturave të tyre në pushtetin lokal. Gjë që lë për të kuptuar që tani kanë ndezur motorët për të depërtuar gjithkund ku ata synojnë të fitojnë. Prandaj, koalicioni VLEN përmes një konference për shtyp kanë precizuar projektet që janë planifikuar të realizohen në komuna nga buxheti i ndarë për vitin 2025, shkruan Zhurnal.

A po ndodhë transformim i komunave shqiptarë me VLEN-in në pushtet –

Koalicioni VLEN po ndryshon faqen e komunave tona, thuhet në reagimin e VLEN-it duke proklamuar të arriturat e tyre si rezultat i angazhimit të tyre në pushtetin lokal. Ata vazhdojnë tutje duke deklaruar që me projekte të mëdha, vizion të qartë dhe përkushtim të palëkundur, po sjellim modernizim, siguri dhe jetë më të mirë për çdo qytetar. Ky është vetëm fillimi i një të ardhmeje më të ndritur.

Komuna e Gostivarit po bëhet pjesë e një vizioni më të gjerë për një jetë moderne dhe cilësore. Një nga projektet kryesore është ndarja e mbi 161 milionë denarëve për vitin 2025, të destinuara për rikonstruksionin e rrugëve dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Ky investim është i rëndësishëm për rritjen e sigurisë, funksionalitetit dhe cilësisë së jetës në komunë, duke kontribuar në ndërtimin e një mjedisi urban të denjë për qytetarët.

Përveç investimeve në rrugë, vëmendje e madhe do t’i kushtohet ruajtjes së mjedisit dhe përmirësimit të infrastrukturës bazë. Komunës së Gostivarit do t’i sigurohen mjete për selektimin dhe transportimin e mbetjeve, për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm. Po ashtu, projektet për ndërtimin e kolektorëve fekalë, kanalizimeve, rezervuarëve të ujit dhe linjave të reja të furnizimit me ujë janë dëshmi e përkushtimit tonë për menaxhimin efikas të resurseve jetike.

Por kjo nuk është e tëra. Në Tetovë, totali i investimeve që planifikohen arrin në 332 milionë denarë, dhe përfshin këto projekte si rikonstruktimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Poroj – 25 milionë denarë (financuar nga buxheti i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor). Vendosja e gardhit mbrojtës në lumin Shkumbin (në pjesën e papërfunduar) – 9 milionë denarë (nga buxheti i Ministrisë). Rikonstruktimi i tubacionit kryesor të ujësjellësit për furnizimin me ujë nga Kodra e Diellit në Tetovë – 65.5 milionë denarë nga totali prej 140.7 milionë denarë (nga fondet e huas së Bankës Evropiane për Investime). Zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit për lagjen “Vonvardarska” – 15 milionë denarë (nga fondet për dotacione kapitale të Ministrisë), si dhe shumë projekte tjera me rëndësi jetike për qytetarët.

Këto investime janë pjesë e një strategjie të koalicionit VLEN, ku infrastruktura dhe mjedisi i pastër shihen si shtyllat kryesore për zhvillimin afatgjatë të komunave. Zhvillimi i qëndrueshëm nuk është vetëm një prioritet i ditës së sotme, por një angazhim për të ndërtuar një të ardhme më të mirë!, kanë deklaruar nga koalicioni VLEN që janë pjesë e pushtetit.

VLEN duhet pasur kujdes mënyrën e qeverisjes, kjo mund t’i kushtoj shumë në zgjedhjet lokale –

Edhe përkundër faktit që kanë radhitur një sërë projektesh që do të realizohen në komunat shqiptare, gjë që reflekton që nga tani kanë filluar përgatitjet për fushatë. Por, një gjë duhet ta kenë të qartë që qytetarët nuk e falin dot injorimin e neglizhencës që mund t’i bëhet nga zyrtarët shtetëror që janë në ato pozita falë votës së këtij qytetari hallexhi.

Ekziston edhe proverba e shumë dëgjuar popullore e cila thotë që “populli të ngrit populli të rrëzon”, shprehje që duhet ta përsëris e ta dijë secili që merret me politikë. Pra, të merr parasysh pavarësisht pozitës ku ndodhet ta dijë për fuqinë që e posedon populli.

VLEN si të ri në qeveri nuk duhet të bëjnë gabimet e njëjta. Kujtojmë që, kur u çrrënjos nga pushteti BDI që kishte qeverisur për dy dekade, këta të fundit për një vit qeverisje çrrënjosen shumë më lehtë e shumë më shpejt. E për këtë ekziston verdikti i popullit, pra qytetarët kanë çekanin në duar me çka do të vendosin në zgjedhjet lokale të shpërblejnë apo të ndëshkojnë.

Me gjithë kompromisin që mund ta bëjë populli kuptohet që janë në fillim të qeverisjes është fazë adaptimi. Por kurrsesi qytetari nuk e falë injorimin apo neglizhimin. Prandaj, të gjithë funksionarët që janë pjesë e këtij ekzekutivi duhet të jenë vigjilent e sy hapur në secilin hap që e bëjnë.  Takimet me qytetarët duhet t’i kenë rutinë, sepse qytetarët janë ata që ia dhënë këtë mundësi për të qeverisur me vendin. Pos kësaj qytetarët janë mësuar me mos përfillje apo arrogancë politike, e për t’ia dëshmuar ndryshimin në vepër duhet të veprojnë ndryshe sepse nuk do të kishte kuptim ndryshimi i pushtetit kur sjelljet mbesin të njëjta. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More