Shkup, 11 dhjetor – Në skenën politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut po shfaqet një dukuri e përsëritur çdo cikël politik prodhon subjekte të reja, në vend se të prodhojë zgjidhje të problemeve të shqiptarëve. Paralajmërimet e fundit ato të Ziadin Selës për formimin e një partie të re, zërat jozyrtarë rreth Fatmir Limanit dhe Arben Fetait, deklarimet e Haqim Ramadanit e Shkodran Halilit, planet e përfolura të Besim Hodës, krahas Lëvizjes së sapoformuar “Arbëria”, e pa përmendur faktin e partive ekzistuese si ato të koalicionit VLEN, BDI-së, PDSH-së e bëjnë skenën politike shqiptare më të fragmentuar se kurrë, shkruan Zhurnal.
Partitë po dalin sikurse “kërpurdhat” pas shiut, çdo qytetet me parti në vete –
Në pamje të parë shumë parti politike nënkuptojnë pluralizëm. Por a garanton numri i madh i partive më shumë demokraci dhe përfaqësim? Apo e dobëson faktorizimin politik të shqiptarëve dhe e shpërndan fuqinë e tyre elektorale?
Se pse po krijohen kaq shumë parti politike mund të ekzistojnë arsye të ndryshme. Shembull mund të lidhet me ambiciet personale të liderëve lokalë. Shumë prej nismëtarëve janë figura me bazë lokale që ndihen të anashkaluar nga partitë e mëdha. Fragmentimi, në këtë rast është simptomë e mungesës së mekanizmave demokratikë brenda partive ekzistuese.
Pakënaqësia me partitë aktuale shqiptare mund të jetë arsye shtesë. Ku elektorati shqiptar është i lodhur nga rotacioni i të njëjtëve aktorë që, pavarësisht ndryshimeve të vogla, prodhojnë të njëjtën politikë klienteliste. Njerëzit kërkojnë shpresë të re dhe përfaqësim të sinqertë.
Shtytje e madhe është edhe logjika elektorale RMV ka prag relativisht të ulët për deputetë dhe ka modele të listave rajonale. Kjo i jep hapësirë shumë iniciativave të vogla që besojnë se mund të marrin 1–2 mandate. Shto këtu edhe garën për ndikim lokal ku disa parti të reja nuk synojnë domosdoshmërisht parlamentin, por pozicionim në zgjedhjet lokale, ku mjafton një votë e strukturuar për të marrë pushtet komunal.
Rreziqet e fragmentimit janë shumë të mëdha –
Rreziku kryesor që pason nga ky fragmentim lidhet me përçarjen e votës shqiptare. Shtimi i partive pa ideologji të qartë dhe pa kapacitet real krijon disa pasoj të rënda.
Sa më shumë të shpërndahet vota shqiptare, aq më pak ulëse sigurohen. Në disa zona, dy apo tre parti shqiptare mund të marrin vota mjaftueshëm për të humbur një mandat që mund ta fitonte një listë e unifikuar. Partitë e vogla shpesh hyjnë në koalicione vetëm për poste, jo për programe. Kjo rrit mungesën e besimit të qytetarëve ndaj politikës.
Shumë parti shqiptare janë krijuar dhe janë shuar po aq shpejt. Kjo krijon një “kulturë politike të përkohshme”, ku partitë janë projekte individuale, jo institucione të qëndrueshme afatgjate. Në vend që të krijohet front i përbashkët për të mbrojtur interesat shqiptare në shtet, krijohet një garë për ndikim personal, e cila shpesh shndërrohet në konflikt midis vetë shqiptarëve.
Çfarë i duhet realisht politikës shqiptare në RMV?
Shqiptarët kanë nevojë për jo shumë parti por parti më të mira, më shumë demokraci të brendshme. Më shumë transparencë e më pak nepotizëm, e mbi të gjitha një vizion të qartë e të gjatë për të ardhmen e këtij populli që ka vuajtur gjatë kohë.
Nëse partitë e reja shfaqen për të mbushur këtë boshllëk, ato duhet përshëndetur. Por nëse shfaqen vetëm si projekte personale, ato rrezikojnë të dëmtojnë interesin kolektiv shqiptar në RMV duke fragmentuar votën, dobësuar përfaqësimin dhe shtuar konfliktet brendashqiptare. E ardhmja politike shqiptare nuk do të përcaktohet nga numri i partive, por nga cilësia e tyre. Dhe mbi të gjitha, nga aftësia për të vendosur interesin e përgjithshëm mbi interesin personal. /Zhurnal.mk
