A mund ta shtypin talibanët kërcënimin e ISIS-it?

Tani që talibanët kanë pushtetin në Afganistan, armiku i ri ka dalë në pah.

Grupi militant, Shteti Islamik (ISIS) ka rrezik që të nisë një tjetër fazë të dhunshme.

Veçse këtë herë, ish-kryengritësit, talibanët, kanë rol në krye të shtetit, pasi trupat amerikane dhe aleatët e tyre në Qeverinë afgane janë larguar, shkruan Associated Press.

Talibanët u kanë premtuar Shteteve të Bashkuara se do ta mbajnë grupin ekstremist nën kontroll, gjatë bisedimeve të zhvilluara për paqe.

Sipas marrëveshjes së arritur më 2020, në mes të SHBA-së dhe talibanëve, këta të fundit kanë garantuar se Afganistani nuk do të kthehet në strehë të sigurt për grupet terroriste që kërcënojnë SHBA-në apo aleatët e saj.

Mirëpo është e paqartë nëse ata do ta mbajnë këtë premtim, për shkak të rritjes së numrit të sulmeve të IS-it, prej kur talibanët kanë marrë pushtetin më 15 gusht.

Një sulm vdekjeprurës me bombë të premten në provincën afgane Kunduz, ka lënë të vdekur 46 besimtarë brenda një xhamie të frekuentuar nga shiitët. Një tjetër sulm vdekjeprurës i IS-it është raportuar në kryeqytetin afgan, Kabul, dhe provincat në veri dhe lindje të shtetit, derisa sulme të shkallës më të vogël janë duke shënjestruar luftëtarët talibanë, pothuajse në baza ditore.

“Historikisht, shumica e sulmeve të IS-it kanë shënjestruar shtetin… tani që SHBA-ja dhe prezenca ndërkombëtare janë larguar, ata duhet të sulmojnë shtetin – dhe shteti janë talibanët”, ka thënë Andrew Mines, hulumtues në Programin për Ekstremizëm në Universitetin George Washington.

Rivalitet prej kohësh

Si talibanët, ashtu edhe Shteti Islamik e mbrojnë udhëheqësinë në bazë në interpretimit të tyre radikal të ligjit islamik. Mirëpo mes tyre ka dallime të mëdha ideologjike, të cilat nxisin urrejtje mes grupeve.

Talibanët kanë thënë se janë duke krijuar një Shtet Islamik në Afganistan, brenda kufijve të shtetit. IS, thotë se është Shtet Islamik, një kalifat global që insiston se duhet ta ndjekin të gjithë myslimanët në botë.

Kjo gjë është përbuzëse për synimet kombëtare të talibanëve dhe ata nuk e njohin IS-in si lëvizje të pastër islamike.

Për arsye të ngjashme, IS është konsideruar prej kohësh armik i ashpër i Al-Kaidës, transmeton rel.

Si ata që mbrojnë talibanët, ashtu edhe ata që mbrojnë IS-in, flasin për versione të ashpra të Ligjit të Sheriatit dhe kanë përdorur taktika si sulme vetëvrasëse me bomba.

Mirëpo në kohën sa ka vepruar në Siri dhe Irak, IS ka qenë edhe më brutal dhe ka kryer ndëshkime edhe më të rënda sesa ato të talibanëve.

IS është krijuar në Afganistan më 2015 me emrin Shteti Islamik në Provincën Korasan, në kohën kur grupi e ka pasur pikun e tij, duke kontrolluar territor në Irak dhe Siri.

Atëbotë në këtë grup janë anëtarësuar militantë afganë dhe pakistanezë, përfshirë edhe një valë të dezertuesve talibanë.

Fillimisht ky grup ka gjetur mbështetje në mesin e lëvizjes së vogël salafiste në provincat afgane, Kunar dhe Nangarhar.

Pjesëtarët e lëvizjes salafite janë margjinalizuar vazhdimisht nga talibanët, mirëpo duke u lidhur me IS-in, ata kanë gjetur rrugë për të krijuar forcë ushtarake.

Mirëpo ndëshkimet e ashpra të IS-it kanë shtyrë disa klerikë salafistë që të shprehin kundërshtimet e tyre. Pas shfaqjes në publik, talibanët janë dëmtuar rëndë nga sulmet ushtarake të talibanëve dhe sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara, ndonëse vitin e kaluar grupi është kthyer sërish në publik.

Talibanët hedhin poshtë kapacitetet e IS-it dhe e shohin si grup periferik.

“Ai nuk ka rrënjë këtu”, ka thënë figura me ndikim e talibanëve, Sheikh Abdul-Hameed Hamasi për Associated Press.

Luftime pafund

Megjithatë, potenciali i kërcënimeve nga IS-i është i pamohueshëm.

Dy bomba vdekjeprurëse kanë goditur Kabulin, duke përfshirë një jashtë aeroportit, ndërkohë që forcat perëndimore kryenin evakuime para përfundimit të misionit në Afganistan.

Si pasojë e sulmit kanë mbetur të vdekur 169 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë.

Mirëpo shkalla e sulmeve të vogla është në rritje.

“Intensiteti i sulmeve tregon për kapacitetin dhe shkallën e shtrirjes në shtet, gjë që ka zënë talibanët në befasi”, ka thënë Ibraheem Bahiss, këshilltar në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Sipas tij, IS nuk është “kërcënim afatshkurtër”.

Mund të kalojë kohë derisa Shteti Islamik të ketë kapacitet për të kontrolluar sërish territor. Qëllimi i tij aktual është që të destabilizojë talibanët dhe të dëmtojë imazhin e grupit si ruajtës të sigurisë.

Deri më tani, strategjia e tij është e vogël, por me metoda. Grupi është duke u shtrirë në fise dhe grupe tjera me qëllim të rekrutimit, ndërkohë që kryen vrasje dhe sulme tjera kundër personelit të talibanëve.

“Në tërësi, kjo është një metodë e kryengritjes për të cilën nuk janë të gatshëm talibanët”, ka thënë Mines.

Bill Roggio nga revista Long War, ka ofruar qasje tjerër, duke thënë se beson që talibanët mund të çrrënjosin IS-in, edhe pa sulme ajrore të SHBA-së, që gati kanë eliminuar këtë grup.

Roggio ka thënë se talibanët kanë treguar se kanë kapacitet për të çrrënjosur disa qeliza të IS-it, duke përdorur rrjete lokale për mbledhje të inteligjencës. Ai ka thënë se IS – për dallim nga talibanët gjatë kryengritjes së tyre – nuk ka qasje në strehat e sigurta në Pakistan dhe Iran.

E ardhmja e IS-it në Afganistan do të varet nga aftësia e tij për të rekrutuar më shumë anëtarë dhe për të fituar përkrahjen e një pjese të madhe të popullsisë.

Prej nisjes së kryengritjes, ky grup ka tentuar të rekrutojë pjesëtarë të talibanëve.

Më 2015, një ish-komandant i talibanëve, Abdul Rauf Khadim, është emëruar zëvëndës i IS-it në Afganistan dhe raportohet se u ka ofruar stimuj financiarë edhe luftëtarëve tjerë talibanë që t’i bashkohen grupit.

Më 2020, kur IS-i është rishfaqur në Afganistan, ai është paraqitur me një udhëheqës të ri nën Rrjetin Haqqani, që aktualisht është degë e talibanëve. Pjesëtarët e linjës së ashpër të talibanëve tani edhe mund t’i bashkohen IS-it, pasi udhëheqësia e talibanëve, tani në pushtet, duhet të bëjë kompromisë si brenda, ashtu edhe jashtë shtetit.

Talibanët janë zotuar për një qeveri më gjithëpërfshirëse, ndonëse një administratë e përkohshme është krijuar vetëm nga pjesëtarë të talibanëve.

Sa më shumë që talibanët bashkëpunojnë me shtetet ndërkombëtare, aq më shumë luftojnë imazhin e rezistencës së luftëtarëve muxhahedinë.

“Ky është një identitet kyç që talibanët do ta humbasin”, ka thënë Mines.

Trajtimi i pakicave
Teksa talibanët barten nga kryengritja në qeverisje, një test i rëndësishëm do të jetë nëse ata do të mbrojnë grupet minoritare që luftëtarët talibanë dikur i kanë tiranizuar, siç janë hazaratë shiitë.

Pakica Hazara është përballur me disa fushata të persekutimit dhe zhvendosjes gjatë historisë së Afganistanit.

Kur talibanët kanë qenë për herë të parë në pushtet në vitet 1990, ata kanë kryer masakra kundër këtij komuniteti, dhe në disa raste edhe si hakmarrje për masakrat ndaj pashtunëve etnikë.

IS-i ka shënjestruar komunitetin Hazara sepse përbëhet kryesisht nga myslimanët shiitë, duke vrarë qindra persona nëpër sulme brutale, që kanë ndodhur nëpër xhami.

Grupi militant i quan sulmet kundër këtij komuniteti si luftë ndaj heretikëve.

Sulmi i së premtes në xhaminë në Kunduz ka qenë mundësi për talibanët që të projektojnë një imazh të ri si fuqi shtetërore.

Talibanët kanë vepruar shpejt, pasi forcat speciale kanë dalë në vendin e ngjarjes, hetimet kanë nisur dhe shefi i policisë së provincës ka bërë premtime për të mbrojtur “vëllezërit” nga radhët e minoriteteve.

Related posts

Talebanët varin 4 persona në mes të sheshit

Z H

Green Pass e detyrueshme në Francë

Redaksia

Moti i ligë godet Korenë e Veriut, shtëpitë mbushen me ujë deri në kulm – shkatërrohen shtëpitë dhe urat nga shirat e rrëmbyeshëm

Redaksia

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More