A mund t’i konvenon destabilizim i vendit një Gjykate Kushtetuese me përbërje të zgjedhur nga shumica e kaluar?

nga I Z

Shkup, 30 gusht– Paralajmërimet për skenare destabilizuese gjatë vjeshtës në Maqedoninë e Veriut, datojnë që nga fillimi i mandatit të Qeverisë së re. Kurse pyetja që po parashtrohet me të madhe sot është nëse i konvenon destabilizim një Gjykate Kushtetuese me përbërje të zgjedhur nga shumica e kaluar parlamentare, që tani është në opozitë?

Dikush mund të thotë se kjo pyetje është me vend, e dikush mund të thotë se është pa vend, por ajo u imponua pas deklaratës së sotme të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski.

“Me Ligjin për Gjuhët, politika krijoi një lloj kaosi juridik, i cili rezultoi me kaos politik, mosbesim, dilema. Publiku ka parë tashmë raportin e Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese është në lëvizje jo për të qenë e mençur, por për të marrë një vendim të bazuar në kushtetutë-ligjore dhe të arsyetuar. Çfarë mund të vendoset, nuk e di, nuk mund ta di dhe nuk do të komentoj”, thotë kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski për MIA-n, duke prekur tema mjaft të ndjeshme.

Lënda e Ligjit për Gjuhët përbëhet nga 13 nisma nga qytetarë, parti politike, shoqata të ndryshme dhe është themeluar që nga viti 2019.

Jemi të vetëdijshëm, siç thotë ai, për interesin publik dhe për pasojat e mundshme nëse Gjykata vendos të shfuqizojë ose lërë në fuqi këtë ligj ose të ndërhyjë në dispozita të caktuara, është e mundur që të ketë pakënaqësi.

“Ajo që është e rëndësishme është që para se të bëni ndonjë koment, të shihni objektivisht argumentet në çdo vendim. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe të pranohet si shprehje e pjekurisë së politikës dhe shoqërisë, vendimi duhet të jetë kornizë udhëzuese për veprimin e ligjvënësit”, thekson Kostadinovski.

Siç thotë ai, fakti është se ligji zbatohet dhe krijon probleme në zbatimin e tij dhe nga ky aspekt, nga 1 shtatori, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të Gjykatës, për të shmangur pasoja të dëmshme. Për qytetarët, Gjykata Kushtetuese ka mundësinë që me një vendim të mundshëm të nisë procedurën për përcaktimin e afatit në të cilin ligjvënësi duhet të respektojë dhe të heqë çdo dispozitë problematike kushtetuese brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj. – Nuk mund të parashikoj nëse kjo do të ndodhë!, shton Kostadinovski.

I pyetur nëse Gjykata do të arrijë të balancojë siç duhet pa i prishur marrëdhëniet politiko-etnike në vend si dhe sfidat e mundshme të sigurisë, Kostadinovski sqaron se Gjykata Kushtetuese mban barrën më të madhe për të vendosur për çdo çështje të ndijshme.

Ai thekson se si një nga gjyqtarët me shërbimin më të gjatë në përbërjen aktuale, ka qenë dëshmitar i disa situatave të tilla.

Fronti Evropian: Këto janë skenare provokimi

Si subjekt të cilit thuhej se i konvenon destabilizimi, përmendej BDI, udhëheqëse e Fronti Evropian. Mirëpo Fronti Europian ka reaguar ndaj “daklaratave politike të partive në pushtet dhe ndaj deklaratës së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, për “heqje të dilemave” për Balansuesin dhe ligjin e gjuhëve”.

Nga Fronti Europian këto deklarata i quajnë provokuese dhe të motivuara politikisht.

“Lojrat me gjuhën shqipe dhe balanserin janë skenare të qëllimshme të pushtetit për provokim.

Pas deklaratave politike nga VMRO, ZNAM dhe përfaqësues të tjerë qeveritarë kundër Balancuesit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, sot dëgjuam edhe një deklaratë shqetësuese nga Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, për gjoja “heqje të dilemave” për Balansuesin dhe ligjin e gjuhëve, të cilën e shohim si të motivuar politikisht.

Hapja e temave të këtilla dhe çdo vendim eventual në drejtim të cënimit të mekanizmave dhe të drejtave që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit, nuk është asgjë tjetër veçse rikthim i Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit. Këto deklarata dhe veprime, janë skenaret e vërteta për destabilizim të vendit dhe tregojnë qartë se kush janë ata që dëshirojnë dhe provokojnë tensione.

Duam t’i rikujtojmë pushtetit aktual se këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur edhe me amendamentet kushtetuese edhe me ligjet e tjera në fuqi, të cilat janë votuar me shumicë të dyfishtë dhe absolute, nga përbërje të ndryshme parlamentare ku kanë participuar të gjjtha partitë më të mëdha maqedonase”, thuhet në reagim.

Sipas FE, dilemat eventuale janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të lartë ligjvënës, në Kuvendin e RMV-së dhe shumica dërmuese prej tyre me koncensus politik dhe me miratim të ekspertëve të fushatës. Për të gjitha këto arritje që i siguruan vendit kohezionin ndëretnik, barazinë e bashkësive etnike dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe të ardhmen euro-atlantike, garantues janë edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së.

“Njëkohësisht ju bëjmë thirje partive shqiptare që pa legjitimitet hyjnë në këtë Qeveri monoetnike të tërhiqen nga kjo aventurë dhe të kuptojnë se aty janë vetëm për tu shërbyer projekteve antishqiptare duke i aprovuar ato me heshtjen dhe servilizmin e tyre”, thuhet në reagimin me përmbajtje mjaft të ashpër.

VLEN: Nisma për kontestimin e dygjuhësisë është tentim për grusht shteti

Edhe koalicioni në pushtet VLEN ka reaguar ashpër në lidhje iniciativën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Në një reagim edhe më të ashpër se ai i Frontit Evropian, nga VLEN thonë se “duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”.

Nga VLEN gjithashtu thonë se “nëse një iniciativë e tillë eventualisht pranohet, atëherë hapet Kutia e Pandorës edhe për ndryshimin e emrit kushtetues, i cili gjithashtu u krye pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm të Republikës, Gjorge Ivanov”.

“Ne nuk besojmë se Gjykata Kushtetuese duhet të kontribuojë në ndonjë rishikim të mundshëm të anëtarësimit tonë të plotë në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike, Aleancën e NATO-s. Qëndrimi ynë për balancerin është i qartë dhe është shprehur disa herë. Ky mekanizëm u bë objekt keqpërdorimi kur maqedonasit u deklaruan si shqiptarë për t’u punësuar në administratën shtetërore. Prandaj, mendojmë se është e nevojshme të miratohet Ligji për përfaqësim të drejtë”.

“Sa i përket moralistëve të rremë të opozitës shqiptare, të cilët në çdo kthesë kërkojnë arsye për të krijuar tensione ndëretnike me qëllimin e vetëm për të shpëtuar krimin familjar të Ali Ahmetit, u themi që t’i përgjigjen popullit shqiptar: Çfarë bëtë pesë vite nga viti 2019 deri në vitin 2024 dhe pse nuk e hodhën poshtë mundësinë që Gjykata Kushtetuese të rishikojë përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare?”.

“Iniciativa e “Levicës” në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar në vitin 2019, kur BDI ishte në pushtet. Në atë kohë për kryetar të Gjykatës Kushtetuese ishte zgjedhur Sali Murati, i cili sot është deputet nga radhët e të ashtuquajturit “Front Evropian”.

“Në vitet 2009 dhe 2014, ekipi i Ali Ahmetit, me urdhër të Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit, zgjodhën Gjorge Ivanovin për president të Republikës. Në vitin 2024, ata turpshëm nuk e mbështetën kandidaturën presidenciale të Arben Taravarit dhe kështu penguan shqiptarët që për herë të parë në histori të kenë shansin për fitore në raundin e dytë”.

“Kjo është një dëshmi e drejtpërdrejtë e hipokrizisë së BDI-së, të cilët në çdo hap lënë kurthe të fshehta për interesat e shqiptarëve. Është koha e fundit që të ndalojnë nënvlerësimin e inteligjencës së popullit shqiptar dhe të pranojnë përgjegjësinë për politikat e tyre të gabuara, të papërgjegjshme dhe kriminale”, thonë nga VLEN./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More