A po blen kohë Taravari !

nga Redaksia

Shkup, 6 maj – Takimi i ditës së djeshme midis kryetarit te ASH-së, Arben Taravri dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ka përfunduar pa epilog. Edhe pse nuk kishte prononcime zyrtare, burime nga qeveria njoftuan se bisedimet do të vazhdojnë. Kjo i bie që Taravari me vetëdije po blen kohë dhe vazhdon të mbetet në qeveri, por jo si pjesë e VLEN-it, shkruan Zhurnal.mk

Takimi kokë më kokë që s’pati epilog

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari biseduan kokë më kokë rreth një orë e gjysmë. Në takim u morën vesh që bisedimet konstruktive të vazhdojnë dhe deri në fund të muajit të ketë një vendim final. Kryeministri vazhdon të theksojë se Taravari ka dy opsione, në qeveri për reforma dhe ndryshime ose me ata që për dy dekada kriminalizuan shtetin, një opsion i tretë nuk ekziston. Ndërkaq, Taravari ka thënë se nuk ka marrëveshje me BDI-në, dhe se kur të ketë, nuk do të synojë të jetë më pjesë e qeverisë.

“Lojërat pas krahëve janë lojëra që shihen, lehtë identifikohen dhe vërehen dhe shpesh këto lojëra pas krahëve u bien mbi kokë atyre që i bëjnë”, ka thënë Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkaq Taravari thotë se VLEN-i sikur servilosen dhe me çdo kusht duan të jenë në qeveri, ndërsa sa i përket ASH-së, nuk ka asnjëfarë problemi që ata të dalin nga qeveria.

Qoku: Dikush u servilos mbrëmë në qeveri

Shefi i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku ka reaguar ndaj deklaratës së Arben Taravarit, i cili dje tha se “VLEN-i sikur serviloset dhe me çdo kusht mundohet të jetë në qeveri”. Qoku duke komentuar takimin e djeshëm mes kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Taravarit, tha se “Dikush duhet të jetë servilosur mbrëmë në takim, që të mbetet në qeveri”.

Mexhiti: Buka që thyhet nuk ngjitet

Kreu i Lëvizjes Demokratike, pjesë e VLEN, Izet Mexhiti ka shkruar një shkrim një rrjetet sociale, ku flet për besën dhe fjalën e dhënë, ndërkaq përmend edhe afate. A po flet Mexhiti për situatën politike dhe për gjendjen pas largimit të Taravarit nga VLEN?

“Fjala e dhënë — besa — është një nga shtyllat kryesore të kodit të nderit ndër shqiptarë. Besa është besimi, ndershmëria dhe përgjegjësia ndaj fjalës së dhënë. Një njeri që jep besën, është lidhur moralisht dhe shpirtërisht për ta mbajtur atë premtim, edhe nëse kjo do t’i kushtojë shumë. Kur shkilet fjala e dhënë, është thyer buka. E buka që thyhet nuk ngjitet. As me takime të njëpasnjëshme, as me afate një mujore. Sepse besa nuk është thjesht një zotimç ajo është një garanci nderi, që në histori ka qenë më e fuqishme se çdo dokument ligjor”, ka shkruar Mexhiti.

A po blen kohë Taravari !

Takimi pa epilog mes Mickoskit e Taravrit është një sinjal i fuqishëm se kryetari i ASH-së është duke blerë kohë që të qëndrojë sa më gjatë në qeveri. Në këtë formë, ai vazhdon të mbajë pozitat që i ka dhe të forcojë edhe më shumë strukturat e tij partiake. E gjitha kjo jashtë konceptit dhe marrëveshjes që e kishte në kuadër të VLEN-it. Nëse kësaj radhe nuk kishte përgjigje, gjasat që edhe pas një muaji, kur i bie festa e Bajramit të ketë shtyrje të qëndrimit në qeveri dhe në këtë formë arrin muaji korrik, kur edhe de-jure mbyllen të gjitha procedurat për punësime, avansime etj. Rregulli thotë që tre muaj para zgjedhjeve lokale, e të cilët duhet të mbahen në muajin tetor, gjithçka bllokohet dhe nuk ka më efekt asnjë punësim, asnjë konkurs, anjë pozitë e asnjë emërim. Në këtë formë Taravri do të blejë kohë deri në muajin korrik, për t’i kënaqur disa në kërkesat e anëtarëve të tij partiak dhe pastaj mund të shkojë më i qetë në zgjedhjet lokale.

Këtu ende nuk është e qartë se çfarë loje është duke luajtur kryeministri Mickoski. A dëshiron ai që ta largojë Taravarin, ose dëshiron ta zhagisë edhe më tutje procesin. Nëse do ta largonte që në këtë moment Taravarin, ai e di se do ta ketë të vështirë me nëntë deputetë shqiptarë, prandaj kërkon garanci që Sela, apo edhe deputetë tjerë nga opozita t’i bashkohen qeverisë. Deri sa ta marrë këtë garanci, Mickoski nuk do ta largojë Taravarin. Nga ana tjetër, VLEN vazhdon të bëjë me të drejtë presionin, sepse në qeveri taravari ka hyrë si pjesë e koaliconit VLEN dhe pikërisht për këtë arsye ai nëse nuk është pjesë e VLEN-it, nuk duhet të ketë asgjë nga marrëveshja për formimin e qeverisë.

Blerja kohë e Taravarit mund t’i kushtëojë shtrenjë VLEN-it sepse është sinjal sikur Taravari ka peshë të veçantë. Pikërisht në këtë moment duhet të qartësohen qëndrimet dhe kryeministri duhet të jetë më i drejtpërdrejtë në vendimet për vazhdimin e funksionimit të qeverisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More