Getting your Trinity Audio player ready...
|
Shkup, 15 maj – Në një periudhë të zgjatur frustrimi diplomatik, ku ngërçi politik mes shteteve është bërë më i fortë se vlerat evropiane, një sinjal i ri vjen nga Berlini. Në margjinat e Konferencës Ministrore të Kombeve të Bashkuara për Operacionet Paqeruajtëse në Berlin, zëvendësministri i Jashtëm i RMV-së, Zoran Dimitrovski, u takua me ministrin e Shtetit për Evropën të Gjermanisë, Günter Kirchbaum, për të diskutuar krizën e integrimit që po mban peng Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më gjerë. Nga ky takim vlerësohet që Gjermania shihet si shtytëse e madhe që ka ndikimin e duhur për të përshpejtuar procesin integgrues të vendit tonë por edhe të tërë rajonit, shkruan Zhurnal.
Gjermania shpresë për hapjen e dyerve të BE-së –
Në një periudhë të zgjatur frustrimi diplomatik, ku ngërçi politik mes shteteve është bërë më i fortë se vlerat evropiane, një sinjal i ri vjen nga Berlini. Në margjinat e Konferencës Ministrore të Kombeve të Bashkuara për Operacionet Paqeruajtëse në Berlin, zëvendësministri i RMV-së, Zoran Dimitrovski, u takua me ministrin e Shtetit për Evropën të Gjermanisë, Günter Kirchbaum, për të diskutuar krizën e integrimit që po mban peng Maqedoninë e Veriut dhe rajonin më gjerë.
Takimi solli një deklaratë kyçe që ndryshon narrativën tradicionale të procesit të zgjerimit: Gjermania propozon krijimin e një mekanizmi të brendshëm në BE për kapërcimin e bllokimeve dypalëshe, duke e bërë procesin e zgjerimit më të drejtë, më transparent dhe mbi të gjitha të bazuar në merita dhe jo në kapriçio politike.
Nga kriteret e Kopenhages te “vetot” politike –
Që nga Samiti i Selanikut në 2003, Ballkani Perëndimor është njohur si pjesë legjitime e së ardhmes evropiane. Por, ndërkohë që vendet si Maqedonia e Veriut kanë bërë lëshime të rënda politike dhe identitare, përfshirë ndryshimin e emrit, pengesat nuk janë pakësuar përkundrazi, janë thelluar.
Çështjet dypalëshe me Bullgarinë kanë ndaluar përparimin real të vendit, pavarësisht përmbushjes së një sërë reformash demokratike, ligjore dhe institucionale. Në këtë kontekst, Gjermania duket e vetmja zë i madh brenda BE-së që po e sheh qartë se sistemi aktual është i pajustifikueshëm.
Ministri Kirchbaum e tha qartë: “Zgjerimi duhet të jetë proces i bazuar në meritë.” Dhe kur “merita” bie ndesh me “veton politike”, atëherë BE jo vetëm që humbet besueshmërinë, por edhe ndikimin në rajon.
Gjermania, si shteti më i fuqishëm në BE dhe promotor i integrimit, ka filluar të artikulojë publikisht domosdoshmërinë për një rishikim të mekanizmit të zgjerimit. Kërkesa për një mekanizëm institucional për tejkalimin e bllokimeve bilaterale nuk është thjesht ndihmë për Ballkanin por një korektim i një padrejtësie që BE e ka lejuar të ndodhë me vite të tëra.
A po rikthehet shpresa për Maqedoninë e Veriut?
Dimitrovski theksoi në takim se “shumë lëshime janë bërë nga ana jonë” dhe se vendi meriton një rrugë të parashikueshme drejt BE-së. Dhe me të drejtë nuk mund të ketë progres të qëndrueshëm kur procesi nuk ka as rregulla të qarta, as një përfundim të arsyeshëm në horizont. Për Maqedoninë e Veriut, kjo nismë e re mund të jetë një dritë në fund të tunelit, për sa kohë që vendi vazhdon të përmbushë kriteret e Kopenhages, që mbeten bazë për çdo anëtarësim.
Megjithatë, mes përparimit teknik të vendeve kandidate dhe bllokimeve politike nga shtete anëtare, BE ndodhet në një udhëkryq. Ose zgjerimi bëhet i parashikueshëm, meritokratik dhe funksional, ose Ballkani do të vijojë të jetë një “dhomë pritjeje pa afat”, ku zhgënjimi ushqen populizmin dhe rrezikon stabilitetin. Gjermania sapo ka hedhur hapin e parë drejt ndryshimit. Pyetja e vetme është: a do ta ndjekin edhe shtetet e tjera anëtare këtë vizion më të drejtë për zgjerimin? /Zhurnal.mk