A po hyn ish kryeministri Zaev në garë për president pas takimit me Kovaçevskin dhe Ahmetin ?

nga Redaksia

Shkup, 19 janar – Ish Kryeministri Zoran Zaev, Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti janë takuar mbrëmë në Shkup.
Zaevi, Ahmeti dhe Kovaçevski kanë realizuar një drekë pune dhe për 4 orë rresht kanë diskutuar për mundësitë e krjimit të “frontit europian” për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare.

Ky takim, sipas mediave, ka përfunduar në atmosferë konstruktive dhe pozitive, por nuk u dhanë detaje rreth temave tjera të diskutuara. Ky takim është dëshmi se zhvillimet në skenën politike po marin një dinamikë të shtuar në kampin politik, kurse i ashtuquajturi “front evropian”, që kohën e fundit ka bë disa gjeste jo shumë evropiane, po mundohet të konsolidohet përballë një VMRO-DPMNE-je që udhëheq bindshëm në anketat e gjitha agjencive pa përjashtim, por edhe përballë një opozite të konsoliduar shqiptare, e cila me përkrahjen e Vetëvendosjes tani po shihet si rival shumë serioz i BDI-së.

Ahmeti afron Zaevin dhe Kovaçevskin, LSDM me “mision” të largojë VV-në nga zgjedhjet në Maqedoni?
Në funksion të konsolidimit të “frontin evropian”, Zhurnal mëson nga burime në pushtet se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka marë detyrën të ndërmjetësojë mes miqve të dikurshëm, në ndërkohë paksa të armiqësuar, Dimitar Kovaçevski dhe Zoran Zaev, që për hir të zhvillimeve aktuale të harrojnë mosmarrëveshjet e krijuara mes tyre ndërkohë dhe të bashkojnë forcat, që LSDM të arrijë rezultat i cili i jep gjasa të formojë qeveri pas zgjedhjeve dhe “BDI të mos detyrohet të shkojë në koalicion me VMRO-DPMNE”.

Takimi nuk ka qenë i lehtë, sepse hendeku i thelluar mes Zaevit dhe Kovaçevskit ka qenë vështirë për t’u tejkaluar. Burimet e Zhurnal thonë se ky hendek ka gjasa të tejkalohet me propozimin e Ahmetit që Zaev të jetë kandidat konsensual për president, si figurë që mund të mobilizojë pjesën e pasivizuar të votuesve të LSDM-së dhe me këtë t’u japë shpresë se mundtë arrihet tek ajo që për momentin duket e pamundur-edhe një mandat qeverisës të udhëhequr nga LSDM.

Takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të synuar paraprakisht, por ideja për Zaevin president si duket ka ofruar mjaft qëndrimet mes treshes Ahmeti-Zaev-Kovaçevski.
Ahmeti ka kërkuar nga Kovaçevski që LSDM të vazhdojë përpjekjet për të bindur Vetëvendosjen të qëndrojë sa më larg procesit zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, duke shfrytëzuar lidhjet që kanë si parti simotra, pasi ky qëllim nuk është arritur në takimin e parë në Prishtinë. Një ide tjetër e dalë në takim, sipas burimeve të Zhurnal në pushtet, ka qenë që të kërkohet mundësi për të bindur opozitën shqiptare të mos bashkëpunon me VMRO-DPMNE-në, e aq më pak të përkrahë kandidatin presidencial të VMRO-së në raundin e dytë të zgjedhjeve.
Si ide gjoja është përmendur mundësia që postet ministrore dhe zëvendës ministrore që i takojnë VMRO-DPMNE-së në qeverinë teknike, t’i ofrohen opozitës shqiptare dhe në këtë mënyrë gjitha partitë shqiptare para zgjedhjeve të jenë pjesë e Qeverisë. Kjo, sipas burimeve tona, është pjesë e idesë që VMRO-DPMNE të mbetet pa partner shqiptar pas zgjedhjeve të ardhshme.

Ministritë e VMRO-së do t’i ofrohen LEN-it?

Edhe “Fokus” duke u thirë në burime të LSDM-së në pushtet ekskluzivisht ka informuar se ka marrëveshje politike që përbërja e Qeverisë teknike të dorëzohet pa emrat dhe mbiemrat e kandidatëve nga VMRO-DPMNE.
“Të gjitha propozimet për përbërjen e Qeverisë teknike do të dorëzohen në Kuvend, ndërsa pozitat që sipas ligjit duhet t’i propozojë VMRO-DPMNE-ja do të jenë bosh, pa emra dhe mbiemra. Ne nuk e shohim nevojën që të propozojmë, as deputetët e LSDM-së nga shumica parlamentare që të votojnë propozimet e VMRO-DPMNE-së nëse vetë nuk i përkrahin.

Askund në botën demokratike nuk ka shembull që dikush të propozojë ministra apo deputetë dhe të mos i mbështesë gjatë zgjedhjeve? Nuk bëhet fjalë për lojëra politike. Qeveria Teknike është një detyrim ligjor. Ai duhet të propozojë zyrtarisht kryeministrin e ri teknik. Kur të jenë në VMRO-DPMNE të gatshëm të mbështesin, para së gjithash, propozimet e tyre, atëherë mund të propozohen dhe përkrahen nga deputetët e LSDM-së”, kanë thënë burime të larta në LSDM.

Sipas burimeve, ky vendim i LSDM-së ka përkrahjen e partive tjera në pushtet, dhe vjen pasi kryetari i VMRO-DPMNE-sëopozitare, Hristijan Mickoski, publikisht deklaroi se partia e tij do të marrë pjesë në Qeverinë teknike, do të propozojë kandidatë por nuk do t’i mbështesin në Kuvendi, dhe do të abstenojë gjatë votimit për zgjedhjen e Qeverisë teknike.

Sinjalet e para që vijnë nga opozita shqiptare ndaj mundësive të këtilla janë negative. Lideri i Alternativës, Afrim Gashi pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim duke folur nga Uashingtoni në emisionin “10 Minuta” në TV21, ka komentuar takimin mes funksionarëve të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë dhe Vetëvendosjes në Prishtinë të Kosovës.
Thotë se ky takim tregon se Ali Ahmetit, liderit të BDI-së i pengon Albin Kurti – lideri i Vetëvendosjes, dhe për këtë të fundit ka nevojë LSDM-ja.

Shton se ky takim dëshmon se LSDM nuk po merret vesh me BDI-në.. “Vërtetë është konfuze. Si duket kanë problem me BDI-në ata (LSDM), nuk po merren vesh, se Ali Ahmetit i pengon Albin Kurti, LSDM-ja paska nevojë për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen. Mendoj se duhet t’i sqarojnë këto dilema ata, se cili është roli i Vetëvendosjes në Maqedoni: pozitiv apo negativ? Kur t’i sqarojnë këto dilema, mendoj se duhet të dalin në publik”, tha Gashi./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More