Shkup, 6 maj – Ishim dëshmitarë të një debati të aktualizuar për rastin për të cilin dyshohet se është i montuar i njohur si “rasti Allfa”. Pra, kishte një kërkim falje nga ish ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ndaj të cilit pati replikë nga ish ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali. Ky debat mes dy ish ministrave u bë në kurriz të personave që rrezet e diellit i shijojnë me afat të kufizuar kohor. Që janë prapa grilave dhe çdo ditë që zbardhë ata e nisin me shpresë që rasti i montuar për të cilin ata besojnë do të zbardhet si rezultat i presionit politik për një hetim të duhur me rezultat mbi rastin në fjalë. Por, kjo nuk po ndodhë, përse? shkruan Zhurnal.
Përse ende nuk është zbardhur rasti “Allfa” dhe a po bëhen viktima të burgosurit në emër të lojërave politike?
Rasti “Allfa” është një nga ato ngjarje që ka tronditur besimin në sistemin e drejtësisë dhe ka ngritur dyshime për padrejtësi të mundshme që i janë bërë të burgosurve, si dhe për përdorimin e tyre si vegla për qëllime politike. Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ishte një nga ata që në kohën e tij në detyrë vizitoi të burgosurit që dyshohet se janë viktima të një rasti të montuar, që për fatin e keq të tij dhe familjes së tij, e gjithë qytetarëve njëri prej tyre, Rexhail Qerimi, humbi jetën në kushte të rënda, duke kërkuar drejtësi e duke pritur lirinë.
Por përse ende askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë rast të mbushur me plotë dyshime e dilema? Pse, pas kaq shumë premtimeve për zbardhjen e këtyre rasteve, të burgosurit mbeten të harruar dhe pa drejtësi? Është një pyetje që ngre jo vetëm familjet e viktimave, por edhe shoqërinë e gjerë, e cila e ka humbur besimin në një sistem që duhet të jetë garantues i drejtësisë dhe barazisë për të gjithë.
Një pyetje e thjeshtë që lind është që a po keqpërdoren të burgosurit si vegla në lojërat politike për të arritur qëllime të ulëta dhe përfitime të ngushta? Nuk është një pyetje e re. Historia e drejtësisë në shumë shtete ka treguar se ndonjëherë të burgosurit mund të shfrytëzohen për qëllime politike si pjesë e një skeme për të dëmtuar individë të caktuar ose për të shfrytëzuar situata për të forcuar pozita politike.
Çfarë mund të bëhet për të zbardhur rastet dhe për të siguruar drejtësi për të burgosurit?
Ka pasur shumë premtime për zbardhjen e rasteve të tilla, por siç duket, ato kanë mbetur vetëm premtime fushate pa vepra konkrete në këtë drejtim. Çdo ministër, çdo lider politik ka premtuar që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve të montuara dhe që do të sigurojë drejtësi për të burgosurit që janë viktima të padrejtësisë. Megjithatë, shumë vite pas këtyre premtimeve, asnjë nga këto raste nuk është trajtuar siç duhet dhe drejtësia ka mbetur e vonuar.
Sistemi i drejtësisë duhet të garantojë që çdo individ të trajtohet në mënyrë të barabartë, dhe se askush nuk duhet të jetë i viktimë e lojërave politike, ashtu siç ka ndodhur me Rexhail Qerimin dhe shumë të tjerë. Është e domosdoshme që organet kompetente të marrin hapa të shpejtë dhe të ndershëm për zbardhjen e rasteve të montuara dhe të sigurojnë që ata që kanë humbur jetën për shkak të padrejtësisë të gjejnë drejtësi.
Kujtojmë që, sistemi i drejtësisë ka nevojë për një reformë të thellë për të siguruar që të burgosurit të mos përdoren më si mjete për përfitime politike dhe për të garantuar që rastet e padrejtësisë të trajtohen me seriozitet dhe transparencë. Të burgosurit, veçanërisht ata që janë viktima të rasteve të montuara, kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi. Dhe kjo drejtësi duhet të vijë nga një sistem që është i gatshëm të përballet me të vërtetën, pavarësisht kostos politike që mund të ketë.
Nëse nuk bëhet asgjë për të ndalur këtë keqpërdorim, jo vetëm që do të humbim besimin në sistemin e drejtësisë, por do të vazhdojmë të shohim viktima të tjera që janë shfrytëzuar për përfitime politike, duke u privuar nga e drejta më themelore, lira. E kur nuk mund të bëhet asgjë për ata e udhës është që të paktën mos të keqpërdoren për pikë të ulëta politike, sepse janë veprime të pa tolerueshme dhe populli ynë dinë mirë t’i ndëshkojë. /Zhurnal.mk