Abdixhiku letër publike liderëve partiakë: Ta shkurtojmë fushatën dhe përballjen politike ta bëjmë përmes debateve në media

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku u ka bërë ftesë publike liderëve të tri partive parlamentare, atij të LVV-së, Albin Kurti, të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga të cilët ka kërkuar që të kapërcehen dallimet dhe të bëjnë një pakt zgjedhor duke marr parasysh situatën e rëndë me pandeminë.

 

Abdixhiku ka kërkuar nga liderët e tre partive parlamentare që të shkurtojnë fushatën zgjedhore dhe  përballjen politike nga terreni ku grumbullohen mijëra njerëz të bëjnë në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale.

Lexoni të plotë ftesën:

“FTESË PUBLIKE LIDERËVE TË PARTIVE PARLAMENTARE

I nderuar kryetar i LVV-së, z. Kurti,

I nderuar kryetar i PDK-së, z. Krasniqi,

I nderuar kryetar i AAK-së, z. Haradinaj,

Po ju drejtohem sot kështu, në këtë formë, për të shtruar para jush e para qytetarëve të Republikës së Kosovës, votuesve tanë, pra të gjithë atyre që ne së bashku i përfaqësojmë, çështjen e organizimit të fushatës zgjedhore në kohë të paprecedent pandemie.

Vendi ynë, Republika jonë, tash e sa kohë është renditur si vendi me më së shumti vdekje për kokë banori në gjithë botën. Vetëm në 10 ditët e fundit, plot 189 kosovarë kanë humbur jetën në ballafaqim me Covid-19. Nga 1 bashkëqytetar tonin, të ri e të moshuar pa dallim, për çdo orë po e humbim në këtë ballafaqim. Janë qytetarët tanë, njerëzit tanë, dhimbjet e të cilëve besoj se i ndajmë të gjithë ne këtu pavarësisht pozicioneve që mbajmë sot ose nesër secili nga ne.

Po gjatë 10 ditëve të fundit, mbi 17,420 kosovarë kanë rezultuar pozitiv, që do të thotë se, fatkeqësisht, ritmi i vdekjeve do të vazhdojë edhe për një kohë. Këtë ritëm duhet ta ndalojmë. Përtej përgjegjësive shtetërore që Qeveria i ka, përgjegjësi që duhet t’i ushtrojë me plot kompetencë, përgjegjësi për të cilat do të mbahet për llogari gjithsesi, sot po ju drejtohem secilit nga ju, si kryetarë partish, që të kapërcejmë mbi veten, ti kapërcejmë dallimet e të ndërtojmë një pakt zgjedhor. Më saktësisht, në këtë pakt, propozoj që:

  1. Me vullnet të plotë politik, përkundër rregullativës ligjore në vend, të shkurtojmë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në 10 ditë. Ta bartim përballjen politike nga terreni ku grumbullojmë zakonisht me qindra e mijëra njerëz përnjëherë, në debate tjera, televizive, përballje digjitale e sociale.
  2. Të udhëzojmë të gjithë kandidatët tanë, që çdo aktivitet paraelektoral e elektoral nga sot e deri më 17 tetor, ta bëjmë konform rregullave strikte të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Pra të kemi njerëz aq sa lejohet, të respektohet distanca, e të respektohen masat e tubimeve të vogla siç udhëzohemi nga ekspertët tanë.

Kështu, ne jo vetëm që shpëtojmë jetë, jo vetëm që i japim kohë vaksinimit masiv – që duhet të ndodhë – por solidarizohemi njëmend me mijëra mjek e staf shëndetësor që tash e 18 muaj pandalshëm po përballen me sfidën më të madhe njerëzore në 100 vitet e fundit. Po këtë kohë, ta shfrytëzojmë për një fushatë tjetër, atë të ngritjes së vetëdijes publike për procesin e vaksinimit.

Në rast të një pajtimi eventual me këtë propozim, sugjeroj ta ftojmë Parlamentin nga pushimi, të aprovojmë një rezolutë në këtë drejtim, e të japim shembull të mirë për vendin, qytetarët tanë e secilin tjetër të përfshirë në këtë drejtim. Në fund, është shëndeti publik, jetët e njerëzve tanë, ajo që mbanë rëndësi. Shpresoj e pres përgjigje pozitive në këtë drejtim. Këtë mesazh do ta pranoni secili edhe në formë të shkruar”.

Related posts

Vitia – në luftë me pandeminë e sytë nga Prishtina

Redaksia

Kurti takon komisionerin Varhelyi, i kërkon liberalizimin e vizave për Kosovës

D V

Qeveria miraton masat e reja për luftim të pandemisë

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More