Abuzimet e dyshuara me fondin 33 milionë euro të BE-së për bujqësinë nga ana e autoriteteve shqiptare kanë shkaktuar pasoja të rënda tek fermerët shqiptarë, për shkak të bllokimit të grantit tjetër nga ana e Ipard. Ky është mendimi i deputetëve të opozitës, sipas të cilëve qeveria shqiptare nuk pranon as ndihmën e opozitës për të gjetur një zgjidhje të besueshme për Brukselin. Përkundrazi, sipas JoridaTabakut, kryetare e komisionit për çështjet europiane, qeveria shqiptare ka tentuar një tjetër alternativë për të siguruar këto para për të ndihmuar sektorin e bujqësisë, duke dështuar.
“116 milionë euro janë bllokuar si rezultat i asaj që ka ndodhur në korrik të vitit të shkuara. Qeveria është duke u përpjekur që t’i gjenerojë këto fonde nëpërmjet sistemi bankar dhe i ka thirrur të gjitha bankat, por ka qenë e pamundur sepse janë procedura të cilat sistemi bankar nuk i kryen dot ashtu siç mund të bëhen nëpërmjet granteve të BE”.
Përfituesit e fondeve të BE, për demokraten Tabaku, janë vetëm sipërmarrës të mëdhenj me njohje qeveritare.
“Fondet shkonin tek një grup i privilegjuar fermerësh, vetëm fermerë e mëdhenj përfitonin, është një numër prej 260 fermerësh që kanë aplikuar, kishte një procedurë të vështirë për t’i marrë këto fonde, të cilat e bënë të pamundur për fermerin individual që t’i përfitonin këto fonde. Në këto kushte u ngrit një industri e tërë që këto njerëzit që kanë marrë fondet të ishin të lidhur me qeverinë”.
ZonjaTabaku është e mendimit se me këtë skemë, zyrtarët e përfshirë në këtë aferën e dyshuar i kanë bërë një dëm të madh Shqipërisë në sytë e Brukselit.
“Problematikë që lindi pas zbulimit të aferës korruptive me fondet e donatorëve dhe të BE janë të dyja njolla që sado të përmirësonin mekanizmat mbeten njolla mbi institucionet shqiptare. Praktikisht AZHBE është vulosur, është një skenë krimi”.
Përveç se hetimit të OLAF, çështja me abuzimet e dyshuara të fondeve të BE për fermerët shqiptarë është në hetim edhe nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsion.