Adoleshentët duhet të shmangin plotësisht kafeinën, sipas udhëzimeve të reja

nga Xh M

Sipas rekomandimeve të reja është më mirë të shmangen pijet me kafeinë të lartë ndërkohë që truri është në periudhën e zhvillimit të shpejtë, apo adoleshencë, ka shkruar Food And Wine.

Adoleshentët sot kanë shumë mundësi për të konsumuar produkte me kafeinë, si pije energjike, kafe dhe pije të gazuara. Studimet kanë treguar se afërsisht një e katërta e adoleshentëve konsumojnë kafeinë pothuajse çdo ditë. Megjithatë, udhëzime të reja nga një grup studiuesish mbi ushqimin sugjerojnë që adoleshentët duhet të shmangin plotësisht kafeinën.

Këto udhëzime janë krijuar nga ekspertë të Healthy Eating Research, Akademisë së Ushqyerjes dhe Dietës, Akademisë Amerikane të Stomatologjisë Pediatrike, Akademisë Amerikane të Pediatrisë dhe Shoqatës Amerikane të Zemrës, dhe japin rekomandime për pijet për fëmijë dhe adoleshentë nga mosha 5 deri në 18 vjeç. Udhëzimet theksojnë se uji dhe qumështi i thjeshtë janë opsionet më të mira, ndërkohë që duhet të kufizohet konsumi i lëngjeve me përmbajtje 100% të frutave, qumështit me bazë bimore dhe qumështit me shije të shtuar. Duhet të shmangen pijet me sheqer të shtuar, ato me ëmbëltues artificialë, si dhe ato që përmbajnë kafeinë dhe stimulues të tjerë.

Sipas udhëzimeve adoleshentët duhet të shmangin pijet me çdo sasi kafeine, përfshirë çajin e zi, kafenë dhe pijet energjike, duke pasur parasysh paqartësinë mbi nivelet e sigurta të kafeinës për fëmijët dhe adoleshentët. Aktualisht, nuk ka udhëzime federale për sasinë e sigurt të kafeinës për fëmijët dhe adoleshentët, megjithatë, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) thotë se shumica e të rriturve të shëndetshëm mund të konsumojnë deri në 400 miligramë kafeinë në ditë.

Si ndikon kafeina te fëmijët?

Kafeina është një stimulues që ndodhet natyrshëm në më shumë se 60 bimë, përfshirë farat e kafesë e gjethet e çajit të zi. Ajo gjithashtu mund të shtohet në disa produkte, si pije energjike.

“Kafeina ka veti varësie. Kafeina e tepët mund të shkaktojë probleme me gjumin, tension të lartë të gjakut dhe ankth. Ndërprerja e konsumimit të kafeinës është gjithashtu e dhimbshme dhe mund të shkaktojë dhimbje koke”, ka thënë Jamie Alan, PhD, profesoreshë e farmakologjisë në Universitetin e Shtetit të Michiganit.

Për adoleshentët, konsumimi i sasisë së madhe të kafeinës është veçanërisht shqetësues, pasi shumë pije energjike dhe pije të tjera të reklamuara për ta përmbajnë deri në 200-300 miligramë kafeinë.
Kjo është sasi e lartë edhe për të rriturit. Konsumimi i tepërt i kafeinës mund të shkaktojë simptoma si:

Përlotje dhe dridhje

Paqëndrueshmëri dhe pagjumësi

Dhimbje koke

Marramendje

Rritje të shpejtë të ritmit të zemrës

Dehidrim

Ankth

Varësi

Ansley Schulte, drejtoreshë mjekësore pediatrike në “KidsPeace”, ka thënë se “zakonet që krijohen në vitet e adoleshencës janë themel për shëndetin afatgjatë”.

Ajo ka sugjeruar që është më mirë të shmangen pijet me kafeinë gjatë periudhës kur truri është ende në zhvillim.

Burimet më të mëdha të kafeinës për adoleshentët

Për adoleshentët, burimet më të zakonshme të kafeinës janë:

Kafeja : 2-15 miligramë

Çaj i ftohtë në shishe: 20-80 miligramë

Pije të gazuara: 35-55 miligramë

Çaj i zi ose i gjelbër: 55 miligramë

Kafe: 80-200 miligramë

Pijet energjike: 200-250 miligramë

Lloje të ndryshme të pijeve me stimulues energjikë: 150-300 miligramë

Kafeina gjithashtu mund të futet në mënyrë të fshehtë në disa ushqime dhe pije, të tilla si:

Çokollata

Disa biskota me proteinë

Çokollata për ëmbëlsira

Akullore

Goma dhe “snacks” për “rritjen e energjisë”

Madje edhe disa pije që duket se nuk kanë kafeinë, mund të përmbajnë këta stimulues (një version i madh mund të përmbajë deri në 55 miligramë kafeinë).

“Përmbajtja e kafeinës nuk është gjithmonë e shfaqur në etiketat e ushqimit, që e bën më të vështirë përcaktimin e sasisë së kafeinës që adoleshentët po konsumojnë”, ka thënë doktoresha Megan Lott.

A duhet adoleshentët ta shmangin kafeinën krejtësisht?

Po, sipas udhëzimeve të fundit.

Ky këshillim është në përputhje me këshillën e Akademisë Amerikane të Pediatrisë, që thotë se: “Shmangia e kafeinës është zgjedhja më e mirë për të gjithë fëmijët”.

Doktoresha Gina Posner, pajtohet, me këtë udhëzim.

“Unë definitivisht u them pacientëve të mi ta shmangin atë”, ka thënë ajo duke shtuar se nëse lejohet edhe një sasi e vogël, adoleshentët mund ta mendojnë si mundësi për të konsumuar shumë.
Doktoresha ka vënë në dukje se kafeina është një stimulues dhe mund të ndikojë në trupin e adoleshentëve ndryshe nga të rriturit.

Schulte gjithashtu ka këshilluar që të shmanget kafeina sa më shumë të jetë e mundur për shkak të efekteve anësore si gjumi i dobët dhe ankthi.

Kurse Posner ka cekur se pijet energjike janë veçanërisht shqetësuese.

“Ka pasur adoleshentë që kanë vdekur nga pijet energjike”, ka thënë ajo.

Megjithatë, doktoresha ka thënë se “nuk është fundi i botës” nëse një adoleshent konsumon kafeinë herë pas here, por duhet ta minimizojë.

Jamie Alan gjithashtu sugjeron që prindërit nuk duhet të bëjnë panik nëse fëmija i tyre konsumon ndonjëherë produkte me kafeinë.

“Një pije e rastit me sasi të ulët kafeine, një filxhan kafe, një kafe me qumësht, ose një kënaqe me pije të gazuar, është e mundur të jetë plotësisht e sigurt për adoleshentët. Por problemi më i madh është sasia e madhe e kafeinës në shumë pije që janë në dispozicion”, ka thënë Alan.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More