Shkup, 19 korrik – Edhe pse largimin e Izet Mexhitit dhe përkrahësve të tij opinioni e vlerësoi si dridhjen më të madhe që ka pësuar BDI që nga ekzistimi i saj si parti politike, nënkryetari i kësaj partie Arbër Ademi foli me gjakëftohtësi, duke vlerësuar se ndarja kak ndodhur si rezultat i “përkëdheljes” së krahut tashë të shkëputur nga ana e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, shkruan Zhurnal.
“Shprehim keqardhjen tonë të thellë për rrugën të cilën e kanë zgjedhur dy deputetët tanë, për arsye se prej mediumeve dje jemi njoftuar se janë përcaktuar për një rrugë tjetër politike, por opinioni dhe ju e dini se kanë qenë të trajtuar mirë. Kanë patur pozicione të larta partiake, politike brenda BDI-së, nga vet kryetari Ali Ahmeti gjithashtu janë trajtuar me përkëdhelie dhe kanë qenë bartës të përgjegjësive institucionale si rrjedhojë e besimit që ua ka dhënë BDI dhe qytetarët”, tha mes tjerash Ademi.
Udhëheqësi, për momentin ende joformal, Izet Mexhiti megjithatë theksoi se bëhet fjalë për pakënaqësi nga funksionimi i BDI-së, e jo për “përkëdhelje” të tepruar ndaj tyre, shkruan Zhurnal.
Mexhiti tha se betejën politike ai dhe përkrahësit e tij do ta vazhdojnë me një subjekt të ri politik, që sipas tij, synon të mbledhë bashkë krejt faktorin opozitar.
“Kemi arritur në përfundimin se janë ezauruar të gjitha mundësitë për të vepruar për përmirësimin e brendshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim, dhe pas kësaj, konkluzioni i sotëm është se jemi duke formuar një lëvizje të re politike, tha një një deklaratë për mediat deputeti Izet Mexhiti, njëri nga udhëheqësit e fraksionit të brendshëm të deritanishëm në BDI, pas debatit të sotëm që u mbajt në hapësirat e komunës Çair.
Ai u bëri thirrje edhe të gjithë intelektualëve që nuk kanë qenë të përfshirë më parë apo janë të përfshirë në parti të tjera politike, por nuk janë të kënaqur, të gjithë ata që, siç tha ai, duan të kontribuojnë për një standard më të mirë, duan t’u shërbejnë qytetarëve, jo vetëm të marrin vota dhe të harrojnë, por për t’i shërbyer kauzës, do të kenë një derë të hapur në lëvizjen e re politike.
Poashtu rikujtoi se ishte deputeti Kastriot Rexhepi, që është rreshtuar bashkë me të, deputeti që shpëtoi këtë qeveri.
“Mazhoranca tani është e brishtë. Nuk më habit që ta kenë problem edhe 61-shin. Kjo mazhorancë ka mbijetuar falë zotëri Rexhepit”, tha Mexhiti.
Këtyre zhvillimeve dhe ndarjeve u parapriu formimi i “Grupit të Zjarrit”, që në fund të ndahen në përcaktimet konceputale-një pjesë me vlerësimin se më së miri është të vazhdohet me lëvizje të re politike, e një pjesë tjetër se është më mirë të vazhdohet me veprimin fraksional. Koha do të tregojë se cilët patën të drejtë, por një gjë është e sigurtë se pas gjithë këtyre turbulencave, BDI “ateroi” në pistë pa dy deputetë të saj dhe pa një kryetar komune! /Zhurnal.mk