Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar TOP LAJM

Ahmeti t’iu rikthehet rrënjëve të BDI-së, degët e kalbura do ta lënë në baltë!

Zhurnal Ads

Shkruan, Bexhet Muslija, Drejtor i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 9 janar – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nga një ish lider me shumë shokë, ka mbetur një lider me disa piunë partiakë, që për interesa të ngushta janë të gatshëm të bëjnë gjithçka. Nëse dikur Ahmeti rrënjët i kishte në shokët e tij besnik të luftës e të paqes, sot Ahmeti po mbahet vetëm në degët e kësaj peme që u themelua me gjakun e dëshmorëve. Ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, luftën e kishte bërë me ushtarët më besnik dhe më të denjë që ishin në gjendje të sakrifikonin jetën e tyre për të çliruar shqiptarët e robëruar nga çizmja e policisë dhe ushtrisë maqedonase, e cila atë botë ua mohonte atyre çdo të drejtë elementare.

Pas sakrificës së përgjakshme dhe fitores së pastërt të UÇK-së, kur u ndryshua Kushtetuta dhe u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, për të drejtat e shqiptarëve duhej të kujdesej një forcë politike. Tani duhej lënë pushkën dhe duhej kapur lapsin që t’iu dilej përballë strukturës akademike e shumë të rrezikshme maqedonase. I ndodhur në situatë kur PDSH dhe PPD e kishin monopolin politik në terren, Ali Ahmeti u detyrua që bashkë me shokët e luftës të themelonte partinë e quajtur Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Për këdo që ishte futur në këtë çështje ishte një sakrificë e re. Tani nga përvoja ushtarake, ata duhej të ballafaqoheshin me sfidat e paqes, e që në të vërtet dukeshin mjaft të vështira. Makineria politike e PDSH-së dhe PPD-së, të cilët kishin përvojë shumë të madhe në terren, luftonin me mish e me shpirt, që me lloj-lloj manipulimesh dhe kualifikimesh ndaj komandantëve të UÇK-së të dilnin fitues. Lufta politike ishte shumë e vështirë, por Ahmeti besimin e kërkoi te miqtë e tij më të ngushtë, tek ata që qëndruan bashkë në kohë më të vështira. Shqiptarët përkundër shumë kërcënimeve dhe tentimeve qe me para të blenin vota, ditën të bëjnë dallimin. Votuan Ali Ahmetin me shokët e tij, duke i shpërblyer ata për sakrificën që e bënë në realizimin e më shumë të drejtave për shqiptarët.

Qarqeve anti shqiptare, strukturave të nëntokës maqedonase dhe akademikëve e politikës zyrtare maqedonase, iu pengonte që në kolltuqet e qeverisë të qëndronin komandantët e UÇK-së. Prandaj, për t’i mposhtur ata, u duhej një partner me të cilin do të linin anash vullnetin e popullit.

Në vitin 2006, PDSH edhe pse kishte humbur zgjedhjet, pranoi të bëhej pjesë qeverisë me VMRO DPMNE-në e Nikolla Gruevskit dhe në këtë formë e la anash BDI-në. Njerëzit e etur për pushtet brenda BDI-së menjëherë filluan të lëkunden. Pushteti ua tërboi sytë dhe filluan ngadalë të ndryshojnë anët. Planet e qarqeve antishqiptare për shkatërrimin e BDI-së menjëherë u vendosën në lëvizje.

Edhe pse ishin fitues të zgjedhjeve, BDI mbeti në opozitë dhe me këtë fakt rrezikohej rrënimi i partisë. Të gjendur në këtë pozitë të vështirë kur përveç kërcënimeve politike kishte edhe kërcënime me armë, Ali Ahmetit sërish afër tij iu gjetën shokët më besnik. BDI filloi të mbajë protesta të rregullta me të cilat kundërshtonte defaktorizimin e votës shqiptare, por në protesta dilnin vetëm një numër i vogël i njerëzve më besnik. Në ballë të kërcënimeve ishin pikërisht miqtë e luftës e miqtë e paqes, të cilët sakrifikuan të ardhmet e tyre.

Shumë prej tyre duke besuar në ideologjinë e pastërt të BDI-së dhe luftës së UÇK-së, i lanë partitë e tyre të paraluftës dhe përkundër të gjitha benificioneve iu bashkuan Ahmetit, të bindur se ai është në anën e drejtë. Shumë prej ish ushtarëve të UÇK-së të cilët pas pushtetit VMRO DPMNE – PDSH ishin nën hetime të vazhdueshme, i mbetën dhe iu gjetën pranë liderit Ahmeti. Pas protestave të shumta dhe ballafaqimeve me policinë, iu dha me dije kryeministrit të atëhershëm Gruevski, se ai nuk mund të vendosë për fatin e shqiptarëve.

Edhe pse ishte çuar në këmbë e gjitha klika e shërbimeve sekrete dhe policore maqedonase, kundër Ali Ahmetit, ishin pikërisht ish-luftëtarët e UÇK-së, bashkëthemeluesit e partisë dhe njerëzit më besnik të tij, që nuk vraponin pas kolltuqeve, ata të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre duke dalë në ballë të cdo sfide, të çdo proteste dhe të çdo ballafaqimi. Pushteti u detyrua  të shkojë në zgjedhje të parakohshme falë insistimit dhe rrezistencës së vazhdueshme të njerëzve më besnik dhe jolajkatarë të BDI-së.

Në protestën madhështore të BDI-së në Tetovë në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2008, ish ushtarët e UÇK-së dhe bashkëpartiakët më të ngushtë të Ahmetit nga Çairi i Shkupit,  ishin ata që e “çliruan” Tetovën dhe e siguruan Ahmetin se askush nuk guxon të prekë dinjitetin e tij dhe nuk nuk do t’i mungojë asnjë qime floku. Falë këtij guximi, Ahmeti doli triumfues ndaj bandave dhe falë këtij guximi Ahmeti arriti ta faktorizoj votën shqiptare karshi maqedonasve duke i bërë me dije Gruevskit dhe klikës së tij anti shqiptare, se nuk munden maqedonasit të vendosin se kush do të futet në qeveri. Që nga ai moment, u vendos parimi i pashkruar që qeverinë e formojnë fituesi me fituesin. 

Sakrifica dhe burrëria e shokëve më besnik të Ahmetit u tregua edhe në kohën kur duhej të rrëzohej regjimi i Gruevskit. Edhe pse ishin ata që e detyruan Gruevskin të bëjë koalicion me BDI-në të cilën nuk donte ta shihte përballë, në zgjedhjet e vitit 2016 ishin pikërisht të njëjtët njerëz besnik të Ahmetit ata të cilët nuk e lejuan Gruevskin të vazhdonte qeverisjen e tij. Sfidës se regjimi i Gruevskit duhej të merrte fund njëherë e përgjithmonë, i dolën ballë pikërisht strukturat me përvojë dhe themelues të BDI-së, të cilët i thanë Gruevskit se jemi ne ata që vendosim se me kë e formojmë qeverinë. Në interes të parë u vendos vota dhe interesi shqiptar dhe jo interesi i ngushtë personal i disa personave brenda BDI-së që të ardhur si satelitë, mundonin të bindnin Ahmetin se duhej të vazhdonte ende qeverisja me Gruevskin.

Falë këtij insistimi të bashkëpartiakëve me vizion të qartë, Ahmeti nuk gaboi kur i tha jo Gruevskit, duke çliruar shtetin nga kapja dhe duke i dhënë përparësi një qeverisje pro perëndimore, duke e bërë vendin anëtar të NATO-s dhe duke i hapur mundësitë për integrim në Bashkimin Evropian.

Lideri i BDI-së e di fort mirë se me kë i ka ndarë të mirat e të këqijat. E di fort mirë se kush e këshillonte kah e mira dhe kush nga e keqja. Ahmeti e di qartë se kush e çfarë sakrifica ka bërë, prandaj është e pakuptueshme të shihet se si i ka vendosur në pozita të larta ata që kur nuk sakrifikuan asgjë për këtë parti, kur nuk u rreshtuan atje ku duhej dhe çdoherë e shikuan vetëm interesin e tyre personal. 

Sfidat janë të vazhdueshme dhe ata fitohen me shokë. Populli thotë “trimi i mirë me shokë shumë” dhe “shoku i mirë shihet në ditë të vështirë”, prandaj edhe tani sfidat për zgjedhjet lokale, të cilat vijnë shpejt janë të tejkalueshme vetëm me shokët më besnik të cilët e dinë se si merr frymë elektorati, të cilët e dinë se kah duhet të orientohen, të cilët e kanë dëshmuar veten në 20 vitet e fundit dhe tek e fundit për ata votuesit japin votën e tyre. Nëse druri nuk i ka rrënjët e shëndosha atëherë degët thahen e këputen shpejtë. Prandaj, lideri i saj Ali Ahmeti duhet t’iu rikthehet rrënjëve të BDI-së, përndryshe degët e kalbura rrëzohen lehtë!

Zhurnal Ads
Zhurnal Ads

Postime të ngjashme

Zbardhen detajet nga gjyqi ndaj Filan M, tentoi sulm me bombë në restorant

T E

Hoxha dhe Çuçi nënshkruan Marrëveshjen për Bashkëpunim Fitosanitar në mes RMV-së dhe Shqipërisë

E.E.

Todorov: Mickoski duhet të largohet, duhet të ketë tranzicion demokratik në parti

E.E.

Maqedonia e Veriut në TOP 10 vendet e botës për të vdekur nga Covid 19

Z H

Blerja e stazhit për daljen në pension, përmes ligjit të ri

T E

Aksident në hyrje të Sarajit

T E
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...