Shkup, 7 janar – Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka dërguar urata deri tek besimtarët e krishterë për festën e tyre më të madhe krishtere, Krishtlindjet, informon Zhurnal.
Ahmeti dëshiron paqe dhe mirëqenie në të gjitha shtëpitë që festojnë këtë festë, duke uruar për një të ardhme më të ndritur.
“Uroj që këto Krishtlindje të sjellin mbarësi dhe mirëqenie nëpër të gjitha familjet që festojnë dhe dëshiroj që fryma e bekuar e kësaj feste t’i prekë të gjithë njerëzit gjatë shprehjes së dëshirave për një të ardhme më të ndritur.
Përfitoj nga rasti që të theksoj se pikërisht janë Krishtlindjet ai moment kur solidariteti me ata në nevojë dhe fryma e të qenit një me ata që kërkojnë shpresë mbizotëron, prandaj besoj dhe jam optimistë se viti 2021 do të jetë pikërisht një vit që do të rrjedh në këtë shenjë e nën këtë frymë.
Krishtlindjet tubojnë familjen si një nga elementet bazë të shoqërisë dhe afrojnë njëri me tjetrin të gjithë njerëzit edhe atë përmes besimit në Zot, ndërsa njëkohësisht na rikujton edhe bekimin që dallimet na bashkojnë dhe na bëjnë më të begatë.
Duke shprehur uratat më të sinqerta për secilin nga ju dhe për familjet e juaja, uroj që shënimi i sivjetmë i Krishtlindjeve t’ju gjejë në shëndet të mirë në shtëpitë e juaja.
Paçi festë të mbarë miq, gëzuar”, ka uruar Ahmeti.
Ndryshe sot është festë shtetërore dhe ditë jo pune për të gjithë qytetarët.//Zhurnal.mk