Shkup, 29 korrik – Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut njihet si streha kryesore ku grumbullohen kryesisht akademikët maqedonas të arsimuar e që nxjerrin vrerë kundrejt shqiptarëve, e këtë e bëjnë në formë të hapur publikisht. Pra, këta “akademikët” mendojnë se sa më kundër shqiptarëve je aq më maqedonas je. Dhe, tani kur vendi ndodhet në udhëkryq për sa i përket vazhdimit të rrugëtimit tutje për anëtarësim në BE duhet patjetër të bëhen ndryshimet kushtetuese, poqë nuk u realizuan këtu ndryshime vendi kthehet në pikën zero. Në mënyrë tallëse e ofenduese me vetëdijen e qytetarëve pati lëshuar një deklaratë skandaloze kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në RMV, Lupço Koçarev. Ai pati thënë se Akademia është kundër ndryshimit të Kushtetutës, por është pro BE-së. Pra, edhe pse dihet botërisht që kushti i vetëm në këtë moment për të vazhduar drejt BE-së janë ndryshimet kushtetuese, këtij akademikut nuk i bëhet vonë të tallet në këtë formë. Por, tani ditëve të fundit ka filluar iniciativa për krijimin e një Akademie shqiptare për asgjë tjetër as akt patriotik e as nacionalist, thjesht vetëm si kundërpërgjigje e diskriminimit në vazhdimësi të përfaqësimit të shqiptare në këtë Akademi ekzistuese, shkruan Zhurnal.
Do të themelohet Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Art në RMV –
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti përmes një statusi në faqen e tij në Facebook shkruan se po jetësohet ideja për krijimin dhe institucionalizimin e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art në Maqedoninë e Veriut.
Mexhiti thotë se ky institucion fillimisht do të financohet nga komunat.
“Në fazën fillestare, kjo nismë do të financohet nga komunat e më pas, do të punojmë drejt sigurimit të mbështetjes shtetërore, duke e bërë këtë Akademi një institucion të qëndrueshëm dhe të financuar në mënyrë të duhur. Ne besojmë fuqimisht se Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art do të shërbejë si një pikë referimi për të gjithë ata që aspirojnë të përparojnë në këto fusha dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë qytetarët në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar mes tjerash Mexhiti.
Të parët që reaguan kundër kësaj ideje që tashmë ka kaluar në iniciativë ishin shqiptarët nga BDI të cilët tashmë janë në opozitë dhe në fazën që po mundohen të rehabilitohen diku dhe të praonojnë realitetin se kanë ngelur pa pushtet.
BDI e cilëson si veprim skandaloz themelimin e Akademisë shqiptare –
Nga BDI këtë deklaratë e kanë quajtur si skandaloze pasi me idenë që e paraqet VLEN-i kjo Akademi mund të llogaritet si institucion lagjesh, por jo dinjitoz për intelektualët shqiptarë.
“Ndodhi edhe kjo në vazhdën e serialit “një skandal në ditë” të vazalëve dhe shërbëtorëve të VMRO-së në rolin e poshtëruesve të popullit shqiptar, si pjesëmarrës jolegjitim, pa vullnetin e popullit, në qeverinë monoetnike. Për 30 ditë, na kthyen prapa për 30 vjet! Në përpjekje për të shfaqur ndonjë rezultat dhe për ta ndaluar rënien e lirë që po poshtëron kombin, Vlen paska “themeluar” “AKADEMINË” e shkencave dhe arteve e cila do të finansohet, imagjinoni, nga Komunat, rast i vetëm në botë, një akademi mahallash. Kështu ndodhi me Muzeun e Lirisë, Teatrin për fëmijë dhe me dhjetëra improvizime tjera komunale që shërbyen për të hedhur hi syve. Në vend se të marrin kryesimin e Akademisë shtetërore për shkencë dhe arsim, të krijonin vend për më tëpër akademikë, të votonin ligjin që ne propozuam ndërsa ata e bllokuan me VMRO-në për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në ASHAM, këta dolën me “idenë e madhe komunale” që poshtërson akoma më tepër shqiptarët” thuhet në reagimin e BDI-së.
Por, nga kjo parti harrojnë se derisa kanë qenë këta në pushtet as që e kanë menduar këtë Akademi e lëre më të brengosen për diskriminimin etnik që ka aplikuar Akademia shtetërore. E reagim shumë më përmbajtësor e më të mirë ka ardhur nga kryeministri i vendit gjegjësisht VMRO-DPMNE për dallim prej reagimit të BDI-së të cilët e kanë harruar idenë se për çfarë flitet por vetëm kanë nxjerrë vrerë.
VMRO: mirë që “VLEN” po kërkon vend për shqiptarët në Akademi
“Na gëzon fakti që partitë shqiptare në Qeveri kërkojnë vend për shqiptarët në shkencë. Ne e mirëpresim dhe kjo tregon një ndryshim nga ajo që bënte BDI, të cilët kërkonin vende vetëm në tenderë dhe kështu u bënë, një parti e gjelbër”, thuhet në reagimin e VMRO-së.
Zëvendëskryeministri, Arben Fetai, duke nxjerrë një fakt nga Instituti për politika publike Arben Xhaferi, ka shtuar se nga BDI nuk duhet ta kundërshtojnë idenë por të kërkojnë falje për të bëmat e tyre famkeqe.
“Për 22 vite qeverisje të BDI-së, në Akademinë e Shkencave është punësuar një shqiptar, nga gjithsej 63 të punësuar (numrat e vitit 2022). Ky institucion që paguhet nga taksat tona nxorri enciklopedinë famëkeqe që fyu tërë kombin shqiptar, poashtu gjatë qeverisjes së BDI-së. Të njëjtit e paskan sulmuar nismën e Koalicionit VLEN për themelimin e Akademisë Shqiptare për Shkenca dhe Art. Sikur të kishin një trohë fytyrë, këta do kërkonin falje për veprat e tyre dhe do heshtnin edhe për 22 vite tjera”, ka shkruar Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të mirë.
Megjithatë, sipas koalicionit VLEN Akademia Shqiptare për Shkencë dhe Kulturë do të fokusohet ekskluzivisht në shkencë, art, duke shmangur përfshirjen e politikës. Objektivi, sic thuhet, është të krijohet një mjedis ku shkenca dhe arti mund të lulëzojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale. /Zhurnal.mk