Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka bërë të ditur se personeli turk i caktuar për të punuar në qendrën e përbashkët të monitorimit në Malësinë e Karabakut ka mbërritur në Azerbajxhan, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Stafi ynë shkoi në Azerbajxhan dhe qëndron gati atje. Pasi të përfundojë ndërtimi i qendrës së përbashkët, një gjeneral dhe 35 oficerë ushtarakë menjëherë do të fillojnë detyrën e tyre”, tha Akar në konferencën e fundvitit për media, që u mbajt në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjenerali Yaşar Güler, komandatë të tjerë ushtarakë dhe autoritete të lartë ishin të pranishëm në konferencën e fundvitit.
Duke adresuar çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, Akar kujtoi se Azerbajxhani çliroi tokat e saj nga pushtimi i Armenisë pas pothuajse 30 viteve.
Më 10 nëntor, Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.
Turqia dhe Rusia nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të formuar një qendër të përbashkët për të monitoruar marrëveshjen e paqes. Kjo qendër do të vendoset në territoret e Azerbajxhanit të çliruara nga pushtimi i Armenisë.
Më herët këtë muaj, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se qendra do të ngritet në qytetin Aghdam.
Akar theksoi se në kuadër të përpjekjeve për të pastruar rajonin nga minat dhe eksplozivat e improvizuara, në rajon vazhdojnë aktivitetet e elementëve të Forcave të Armatosura Turke.
Dy ekipe speciale të zbulimit dhe pastrimit të minave, të përbërë nga 135 specialistë të pastrimit të minave nga forcat turke, kanë mbështetur trupat azerbajxhanase në rajonet e çliruara nga pushtimi armen.
Trupat turke po ashtu trajnojnë ushtarë azerbajxhanasë në teknikat dhe taktikat e zbulimit dhe pastrimit të minave.
“Në kuadër të aktiviteteve të ndihmës humanitare, ne bëmë çmos për të mbështetur vëllezërit dhe motrat tona të Azerbajxhanit dhe do të vazhdojmë të bëjmë këtë. Ne i kemi mbështetur ata në luftën e tyre të drejtë dhe të ndershme, si dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, shtoi Akar.
Çlirimi i Malësisë së Karabakut
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, që nga viti 1991 kanë qenë të tensionuara, pasi ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si një territor azerbajxhanas.
Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.
Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete, si dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi pothuajse 3-dekadësh i Armenisë.
Pavarësisht marrëveshjes që i dha fund konfliktit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, ushtria armene disa herë shkeli marrëveshjen, martirizoi disa ushtarë azerbajxhanas dhe një civil, si dhe plagosi shumë të tjerë.
Armëpushimi konsiderohet si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të të cilës janë tërhequr në bazë të marrëveshjes.