Shkup, 16 shkurt – Fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollat e mesme të Maqedonisë së Veriut do të bëhen me asistentë arsimorë kur të përfundojë rishqyrtimi, plotësimi dhe miratimi i Ligjit për Arsimin e Mesëm. Edhe pse ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska paralajmëroi se nga janari i këtij viti procesi arsimor do të mund të zhvillohet me asistentë arsimorë, procesi vazhdon të mbetet i bllokuar në bankat e Kuvendit.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për Eurothink thonë se vërejtjet e partive në Kuvendin e RMV-së për Ligjin për Arsimin e Mesëm bëhen vetëm për të fituar pikë politike, e jo për përgjegjësi sociale dhe dëshirë për përmirësimin e arsimit të mesëm në vend.
“Ligji i ri për Arsimin e Mesëm parasheh angazhimin e asistentëve arsimorë për nxënësit me aftësi të kufizuara, por ai u tërhoq nga procedura parlamentare. Asistentët arsimorë në shkollat e mesme deri më tani janë angazhuar nëpërmjet programeve të shërbimit në komunitet të mbështetura nga UNDP. Pas miratimit të Ligjit për Arsimin e Mesëm, i cili është tërhequr për finalizimin dhe ndryshimin e tij, shteti do të mundësojë asistencë arsimore të detyrueshme dhe falas edhe në shkollat e mesme”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Sipas Qendrës Burimore për Prindërit e Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ofron asistentë arsimorë për shkak se nuk kanë të dhëna se sa fëmijë kanë nevojë për to, por edhe për shkak të numrit të madh të mangësive që kanë të bëjnë me procesin inkluziv. Ata thonë se nxënësit që kanë punuar sipas një Plani Arsimor Individual në shkollën e mesme regjistrohen njësoj si të gjithë nxënësit e tjerë. Dhe pikërisht këtu, siç thonë ata, për ta parandaluar diskriminimin, bëhet diskriminimi më i madh ndaj nxënësve që kanë nevojë për mbështetje shtesë.
“Numri i vogël i asistentëve, kriteret e përzgjedhjes së tyre, sigurimi i burimeve financiare për asistentët, rregullat pamjaftueshëm të qarta për rolin e asistentit në klasë, rregullat pamjaftueshëm të qarta për rolin e asistentit në raport me prindërit, ekipet pamjaftueshëm gjithëpërfshirëse në çdo shkollë dhe një sërë mangësish të tjera u shfaqën menjëherë me fillimin e procesit të arsimit fillor. Një numër i madh i këtyre mangësive ende janë të pranishme në terren dhe është e rëndësishme të dihet se pavarësisht se sa është numri i tyre, për një familje nënkuptojnë mospërfshirje të fëmijës së tyre”, thonë nga Qendra Burimore.