Agjencia Zhurnal.mk

Aktakuzë ndaj ish-ministrit serb në qeverinë e Kosovës

Prokuroria e Posaçme e Kosovës njoftoi të hënën se ka ngritur aktakuzë ndaj ish ministrit të qeverisë së Kosovës, Ivan Teodosijeviç, për shkak se siç thuhet, “duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij, me dashje, ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës”.

Në njoftimin e prokurorisë, thuhet se ai, me 24 mars të vitit 2019 “në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme.

Për shkak të këtyre deklaratave, ish ministri Teodosijeviç, ishte shkarkuar më 9 prill nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Më 25 mars, kryeministri Haradinaj, shkarkoi edhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.

Ajo shkroi më 25 mars në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Në muajin prill parlamenti i Kosovës miratoi një mocion për krijimin e një komisioni të veçantë për, siç thuhet, dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë.

Komisioni që do të ketë për detyrë propozimin e nismave ligjore për të dënuar krimet e luftës, pasoi deklaratat e zyrtarëve serb të përfshirë në institucionet e Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit që mohojnë krimet e luftës.

Qeveria e Kosovës hodhi nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Kosova sivjet shënoi njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe që i dhanë fund luftës nga e cila Kosova doli me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit, zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

T E

Lajmet e fundit

Loading...