Agjencia Zhurnal.mk
Shqipëri

“Akuzat e pabaza, s’mund të publikohej emri”- Theu karantinën, Shqipëria dëbon diplomatin e Ambasadës ruse: Të largohet brenda 72 orësh

Shqipëria ka vendosur të dëbojë sekretarin e dytë të Ambasadës ruse në Tiranë, Alexey Krivosheev.

Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Jashtme bën me dije se diplomati rus që prej prillit thyente në mënyrë permanente masat e marra nga shteti shqiptar kundër virusit.

Ndërkohë burime për “Zërin e Amerikës” konfirmuan se sekretari i dytë i Ambasadës ruse kishte thyer karantinën pasi kishte rezultuar pozitiv me Covid-19. Ministria e Jashtme shqiptare njoftoi dje se ka shpallur person të padëshiruar dhe ka kërkuar largimin brenda 72 orësh të sekretarit të dytë të Ambasadës ruse në Tiranë, Alexey Krivosheev, për shkak të mosrespektimit të rregullave anti-COVID të vendosura nga qeveria shqiptare.

Ndërkohë, selia diplomatike ruse në Tiranë, në një reagim për median “Sputnik”, i konsideroi akuzat e pabaza dhe kundërshtoi publikimin e emrit të diplomatit.

“Ne i konsiderojmë të pabazuara të gjitha akuzat ndaj diplomatit rus të përmendura në këto dokumente. Ne gjithashtu vërejmë se zbulimi në njoftimin për shtyp i emrit të punonjësit tonë kundërshton ashpër praktikën ndërkombëtare diplomatike”, reagoi Ambasada ruse.

REAGIMI I MINISTRISË SË JASHTME SHQIPTARE

Qeveria shqiptare dëshiron forcimin e marrëdhënieve miqësore me Federatën Ruse dhe shpreh keqardhje që vullneti i mirë i të dyja palëve është cenuar nga veprime individuale, të përsëritura të personelit diplomatik rus në Tiranë, në mosrespektimin e masave të marra nga autoritetet shqiptare, për mbrojtjen e popullsisë ndaj COVID-19. Që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, qeveria shqiptare ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme mbi shkeljet e hapura të masave të marra nga ana e një diplomati të Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë.

Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati.

MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve.

Sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej.

Me keqardhje, qeveria shqiptare ka marrë vendimin të shpallë “Person NON Grata” (person të padë-shirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar. Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për të gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo.

Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

Ironia e ambasadorit rus për vaksinën, përplasja me Ramën

Në fund të vitit që lamë pas Kryeministri Rama nisi kritikat ndaj Bashkimit Europian për skemën e shpërndarjes së vaksinës anti-Covid. Pas deklaratave të Kryeministrit Rama, Ambasada ruse në Tiranë reagoi përmes një komenti në profilin e këshilltarit të Kryeministrit Rama, Endri Fuga. Në komentin e saj, Ambasada ruse shprehej e gatshme për të mbështetur vendin tonë me doza vaksinash.

“Ju bëjmë me dije se Fondi Rus i Investimeve Direkte është autorizuar të zhvillojë negociata me vendet të cilat janë të interesuara për të blerë vaksinat kundër COVID19. Nuk kemi dyshime se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj ‘Sputnik-V’ edhe në Shqipëri. Vaksinimi me ‘Sputnik-V’ tashmë filloi në Rusi dhe në Argjentinë, ndërkohë më shumë se 50 vende kanë aplikuar për të blerë 1.2 miliardë doza të preparatit. Në çdo rast, e përsërisim informacionin e postuar më parë për karakteristikat dhe avantazhet e saj në krahasim me një sërë vaksinash të tjera”, komentoi Ambasada.

I pyetur në konferencën e fundvitit për këtë çështje, Kryeministri Rama e cilësoi provokuese dhe të papërshtatshme ofertën e Ambasadës ruse. Kreu i qeverisë tha se deklarata të tilla nuk mund të bëhen nga një ambasadë serioze, duke kërkuar ndjesë.

Nga ana tjetër, përfaqësia e Moskës në Tiranë vijoi më tej “lojën” dhe theksoi se Rusia është pjesë e përpjekjeve botërore në luftën kundër Covid-19 dhe se nuk u vë asnjë kusht partnerëve të mundshëm. Ambasada tha po ashtu se vullneti i mirë i Rusisë është interpretuar si provokues nga ana e Kryeministrit shqiptar.

“Është e vështirë të kuptohet pse Kryeministri i nderuar i Shqipërisë, z. Edi Rama, u mërzit kaq shumë nga komenti i Ambasadës së Rusisë në faqen e saj në ‘Facebook’ më 28 dhjetor të këtij viti. Ambasada vetëm reagoi ndaj ‘re-twitter’-it të drejtorit të komunikimit të Kryeministrit, z. E. Fuga, në lidhje me fillimin e vaksinimit kundër Covid-19 në vendet anëtare të BE-së”, reagoi Ambasada.

Postime të ngjashme

Vlora 7 ditë luftë me flakët, drejtori i zjarrfikëseve: Me mbështetje të fortë ajrore do ia dalim!

D V

Emërohet zv/ambasadori i SHBA në Shqipëri, për herë të parë vizitoi Shqipërinë si turist në 1997

D V

“Para 31 gushtit hapim tunelin e 5″/ Balluku: Brenda vjeshtës lidhet Sauku me Maternitetin e ri!

D V

Rindërtimi në Vaqarr, Rama: Shëmbëlltyrë kuptimplotë e solidaritetit shqiptar

D V

Manastirliu nga Saranda: Vijnë sot 50.000 doza të tjera vaksinash Pfizer, apel për studentët të vaksinohen përpara fillimit të vitit të ri akademik

D V

Richard Grenell për vizitë në Shqipëri, publikon foton me Ramën: Në një Tiranë shumë të nxehtë!

D V

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...