Prokuroria e Korçës ka zbardhur pas 7 vitesh vdekjen e Antonio Karafilit, i cili në vitin 2018 u raportua se kishte vrarë veten duke u varur në një pemë.
Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për ish-partneren e Karafilit, Kejsi Spahillari, e dyshuar për vrasjen e të riut.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, në një prononcim ekskluziv për Euronews Albania, e ëma e Kejsi Spahillarit mohon përfshirjen e vajzës në krim.
Mes lotësh, ajo shprehet se e gjithë çështja është e sajuar dhe se vajza po merret nën akuzë pa prova konkrete.
Sa i përket gjurmëve biologjike në çarçaf, ajo pohon se e bija ndodhej në vendngjarje pas vetëvrasjes dhe kishte ndihmuar në uljen e trupit nga pema, së bashku me persona të tjerë.
“Asgjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është sajesë, është e stisur. Nuk e njoh fare personin në fjalë, e dëgjoj për herë të parë. Jam e shokuar. Si ka mundësi që në kaq vite nuk u gjet asgjë, dhe tani shpiket kjo histori pa asnjë fakt konkret? Nuk e kuptoj si çdo akuzë merret si e mirëqenë. Vajza më ka thënë që nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje”, deklaron e ëma. /euronews.al/