Al-Sarraj tha në një deklaratë për mediat se ai e mirëpriti caktimin e datës 24 dhjetor 2021 për zgjedhjet dhe se Komisioni i Lartë Zgjedhor i vendit do të ndajë fondet për mbajtjen e tyre.
Pa dhënë hollësi të mëtejshme rreth fondeve në fjalë, kryeministri libian i mbështeti këto zgjedhje, të cilat – sipas tij – pritet ta nxjerrin vendin nga kriza.
Marrëveshja u arrit gjatë bisedimeve të sponsorizuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Tunizi, ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur ndërkombëtarisht dhe gjeneralit puçist, Khalifa Haftar.
Sipas nënkryetares së Misionit Mbështetës së Kombeve të Bashkuara në Libi (UNSMIL), Stephanie Turco Williams, pjesëmarrësit në bisedime ranë dakord që të formojnë një këshill presidencial të ri dhe një organ ekzekutiv për të menaxhuar periudhën e tranzicionit dhe për të mbajtur zgjedhjet kombëtare.
Libia është shkatërruar nga një luftë civile që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në 2011.
Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 në bazë të një akordi të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të një ofensive ushtarake nga forcat e Haftarit.
Me ndihmën e Turqisë, GNA-ja e njohur nga OKB-ja dhe e kryesuar nga Fayez al-Sarraji ka arritur fitore të rëndësishme kundër forcave të Haftarit në muajt e fundit.