Pas paralajmërimit se Japonia rrezikohet të goditet nga një mega-tërmet, kryeministri i vendit Fumio Kishida vendosi të anulojë vizitën e tij në Azinë Qendrore.
Alarmi erdhi nga një grup shkencëtarësh që supozojnë se janë të gjitha gjasat që pas tërmetit të një dite më parë me magnitudë 7.1 Rihter një tjetër lëkundje e madhe të godasë vendin.
“Si kryeministër me përgjegjësinë më të lartë për menaxhimin e krizave, kam vendosur që do të qëndroj në Japoni për të paktën një javë”, tha Kishida.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë thotë se rreziku i një tërmeti me përmasa shkatërruese rreth Ngushticës Nankai përgjatë bregut të Paqësorit është papritmas më i lartë, duke lëshuar në mënyrë efektive paralajmërimin e parë të këtij lloji.
Paralajmërimi vjen pas tërmetit me magnitudë 7.1 të regjistruar në rajonin Kyushu, në anën jugperëndimore të arkipelagut në orën 16:42 me orën lokale.
Sipas vlerësimeve të qeverisë japoneze, ka një shans 70-80% që një tërmet me magnitudë 8 ose 9 ballë të ndodhë përgjatë kanalit brenda 30 viteve të ardhshme, me një numër vdekjesh që mund të kalojë 320,000.
Në rast se një tërmet me magnitudë maksimale ndodh në Ngushticën Nankai, zona të mëdha nga Kanto në Kyushu pritet të jenë subjekt i lëkundjeve të forta, me një probabilitet të lartë cunami përgjatë bregut të Paqësorit nga Kanto në Okinawa.