Shkup, 19 mars – Derisa situata e sigurisë vazhdon akoma të jetë e brishtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sëfundmi Kosova, Shqipëria dhe Kroacia pra më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo gjë aspak nuk i ka shkuar përshtati Vuçiq i cili e ka vlerësuar si provikim, derisa po i tunden themelet e pushtetit të tij ky i fundit po tenton që përmes Kosovës ta rifreskojë pushtetin e tij, shkruan Zhurnal.
Kurti: Aleanca Kosovë-Shqipëri-Kroaci do të kontribuojë në sigurinë e rajonit –
Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Lidhur me këtë marrëveshje ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka cilësuar si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal në fushën e mbrojtjes.
“Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nënshkruan sot një deklaratë të përbashkët për bashkëpunim, e cila do të forcojë aftësitë tona mbrojtëse përmes bashkëpunimit, përfshirë zhvillimin e teknologjive të reja. Ky është një hap i rëndësishëm në bashkëpunimin rajonal dhe vizionin e mbrojtjes, i cili do të kontribuojë në sigurinë e rajonit në tërësi”, ka shkruar Kurti në platformën “X”.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci e nënshkroi këtë deklaratë së bashku me homologun nga Shqipëria, Pirro Vengu dhe atë kroat, Ivan Anushiq, tha se tri shtetet do të punojnë që të rrisin ndërveprueshmërinë mes ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta
“Duke u bazuar në vlerat tona të përbashkëta, në orientimet e njëjta gjeostrategjike dhe në angazhimet e ndërsjella për bashkëpunim rajonal, Shqipëria, Kroacia dhe Kosova angazhohen për forcimin e bashkëpunimit dhe avancimin e hapave për mbrojtjen e territoreve dhe popujve tanë, për të kontribuar në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes”, tha Maqedonci pas nënshkrimit të deklaratës.
Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s, organizatë ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, e cilësoi deklaratën si hap të rëndësishëm drejt forcimit të aftësive mbrojtëse, zhvillimit të industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimit të ndërveprimit ushtarak në rajon.
“Shqipëria dhe Kroacia do të vijojnë të mbështesin Kosovën në aspiratën e saj për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”, shkroi ai në X.
Ndërkaq, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, pas nënshkrimit të deklaratës në Tiranë të Shqipërisë tha se duke pasur rreziqet gjeopolitike të sigurisë në Evropën Juglindore, shteti i tij është i vendosur që të forcojë raportet me Shqipërinë dhe Kosovën.
Ai tha se Kroacia, si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka njohuri të çmuara dhe dëshiron që t’i ndajë me aleatët.
“Me këtë nismë, që do të përfshijë edhe shtete të tjera të interesuara nga Evropa Juglindore, ne forcojmë pozicionin tonë brenda NATO-s dhe BE-së dhe kontribuojmë për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të sigurt”, tha ai.
Pas kësaj deklarate trepalëshe të bashkëpunimit, Ministria serbe për Punë të Jashtme tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë.
Sipas Beogradit, Shqipëria dhe Kroacia me nënshkrimin e këtij dokumenti, “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.
Autoritetet në Beograd, që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, thanë se kjo nismë paraqet “provokim të hapur dhe shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.
“Ne presim përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet e vërteta të kësaj lloje të rrezikshme të sigurisë. Serbia nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Sipas Serbisë, deklarata e bashkëpunimit ishte rezultat i “një strategjie që synon izolimin e Serbisë”.
Sigura në Ballkan çështje diskutabile –
Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës“, tha Rutte për gazetarë në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra një polic dhe tre sulmues. Së voni, NATO-ja ka zhvendosur trupa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata dërgojnë “mesazh të qartë” të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësitë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur. /Zhurnal.mk