Agjencia Zhurnal.mk

Editorial: Ali Ahmeti të mos lejojë që uji të derdhet nga shtrati ! (Audio)

Audio

Editorial nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 1 tetor, Zhurnal.mk – Në opinion po shtrohen pyetje të shumta me atë se çfarë po ndodh me BDI-në në kohën e fundit. A është ajo përfaqësuese dhe trashëgimtare e luftës së UÇK-së në vitin 2001, a mbetet kjo parti ajo e njëjta, e cila u themelua në bazë të idealeve të dëshmorëve që e dhanë jetën interesat e kombit? Një parti pa ish ushtarë dhe pa ish komandantë, a është e njëjta! A janë futur brenda BDI-së agjentë të shërbimeve të huaja, shqiptarë me emër të cilët po punojnë për interesa të të tjerëve me moton “përçaj e sundo” dhe duke e çuar partinë në rrugë pa kthim!

Çfarë po ndodhë me Ali Ahmetin!

Gjatë 20 viteve në politikë dhe asnjëherë humbëse në elektoratin shqiptarë, BDI në Maqedoninë e Veriut konsiderohej si zinxhiri më i fuqishëm i shqiptarëve në ruajtjen e paqes, stabilitetit të vendit dhe zbatimin e të drejtave të shqiptarëve. Edhe pse kishte tentime të shumta nga partitë maqedonase për ta përçarë dhe denigruar këtë parti, shqiptarët ditën t’i ruajnë vlerat dhe të respektojnë amanetin e dëshmorëve duke i dhënë përkrahjen BDI-së, si asnjë partie më parë.

Votat dhe euforia e luftës së UÇK-së ishte ajo që e mbante gjallë BDI-në, e cila dukej se ish-komandantët e malit kanë zbritur në qytet dhe janë futur në politikë. Shqiptarët duke e ndjerë dhe vlerësuar lart luftën e pastër dhe të drejtë të UÇK-së, vazhduan të votojnë ish-komandatët e tyre, atyre që ua besuan djemtë dhe vajzat në vitin 2001, atyre që ua besuan jetën dhe të ardhmen.

Por, duke kaluar vitet, BDI në krye me Ali Ahmetin filloi të largojë gradualisht ish-luftëtarët e UÇK-së. Ngadalë – ngadalë, pas 20 viteve Aliu i largoi të gjithë ish-shokët e tij, e kjo ka bërë zhgënjimin më të madh. Përderisa në opinion kishte shumë dilema se shumica nga ish luftëtarët e UÇK-së, kanë pas interesa personale, tani më po del në shesh se Ahmeti viteve të fundit, në mënyra të ndryshme i largoi ata nga kabineti i tij, dhe përfundimisht edhe nga partia e BDI-së.
Largim i të gjithë ish luftëtarëve

Rastet janë të freskëta, pasi sot nuk gjenden në parti as ish-gjenerali Gëzim Ostreni, ish-komandant “Mësuesi”, Rafiz Haliti, Hazbi Lika, Hysni Shaqiri, e shumë ish luftëtarëve të tjerë, të cilët sot ndjehen të lënë në harresë. Të gjithë këta emra të njohur, por edhe shumë të tjerë që me ose pa dëshirë u lanë larg politikës, u larguan me dëshirën e Ahmetit, apo ishin mision i futjes së Artan Grubit në kabinetin e Ahmetit, ku pas hyrjes së tij në parit, filluan largimet e ish luftëtarëve.

Ardhja e Grubit në BDI është pastrim i kuadrove kombëtare të BDI-së apo projekt plan i dikujt tjetër për të shkatërruar BDI-në? Dyshimet janë shumë të qarta dhe domethënëse, sepse ai ka marrë pozita të larta në ekzekutiv, duke qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i parë, sekretar partie dhe shef i kabinetit të Ahmetit.

Pak do mend që kjo të kuptohet se diçka po i ndodh Ali Ahmetit, pasi që edhe me disa njerëz të ngushtë në partin e tij, tani më ai nuk është në raporte të mira. Janë pikërisht ata njerëz të cilët për plot 20 vite me sakrifica të mëdha arritën ta bëjnë BDI-në të konsiderohej si partia më e fortë shqiptare në Maqedoni.

Revoltë e madhe ekziston në BDI

Burime të larta të BDI-së për “Zhurnal” theksojnë se ende ka revolta të madhe në BDI. Sipas burimeve të Agjencisë “Zhurnal”, gati e gjithë struktura partiake në BDI po habitet me veprat e Ali Ahmetit, se si ai nuk pyet askënd më dhe nuk konsultohet me asnjë nga ish shokët e tij të luftës, përveç me Artan Grubin, për të cilin thuhet se çdo emërim në qeveri, në postet e zv/ministrave por edhe të drejtorive janë përgatitur nga ai.

Burimet për “Zhurnal” thonë se nëse pak analizohet më detajisht listën e të emëruarve, kjo s’do mend se është përgatitur pikërisht nga Artan Grubi, sepse janë njerëzit e tij ata të cilët figurojnë gjithkund.

Ahmeti kësaj radhe i habiti dhe i zhgënjeu të gjithë strukturën partiake, e cila tani më është e shqetësuar se çfarë po ndodh me të. Pyetja që sillet vazhdimisht nëpër kokë është se cila është fuqia që Ahmeti të mos konsultohet më me kryetarët e degëve të partisë dhe të vendosë kokë më vete, apo nga pëshpërimat e Grubit!

Ahmeti duhet të mos harroj veprat e bashkëluftëtarëve të tij, si në LPK ashtu edhe në UÇK, sepse pikërisht janë ata që deri më tani kanë ruajtur fuqinë dhe kanë kontribuar në proceset e mëdha të vendit, por edhe të shqiptarëve në vend.

Ahmeti të dëgjojë popullin, jo pëshpërimat në kolltukët e partisë

Burime pran BDI-së thonë se Ahmeti duhet del nga Reçica e Vogël, nga kolltukët e partisë dhe të takojë banorët e fshatrave ku dhe është nis beteja për të drejtat e shqiptarëve e të dëgjoj bashkëluftëtarët dhe bashkëpartiakët e tij, se çfarë halle e kërkesa kanë. Nuk duhet të lejohet të shkaktohet përçarje, sepse BDI-ja nuk është parti, e cila aq lehtë duhet t’i dorëzohet një personi i cili nga ardhja e tij, ka sjellë vetëm përçarje e dyshime mes njerëzve. Dyshimet që në fillim kanë qenë se misioni i tij është të shkatërrojë këtë parti sa më parë edhe atë me skenarë të mirë menduar, e sigurisht me ndihmë nga partitë maqedonase dhe struktura tjera të dyshimta.

Ali Ahmeti duhet të zgjohet nga gjumi e të mos qëndrojë vetëm në zyrat e partisë, duke dëgjuar vetëm fjalët e dashakeqit të kësaj partie, por të zgjohet nga gjumi e të dëgjoj shokët, bashkëluftëtarët e tij, se cila rrugë është më e mirë për partinë dhe kombin.

Prandaj, është koha e fundit që Ali Ahmeti të mos lejojë që uji të derdhet nga shtrati, e të kthjellet sa më shpejt në të mirë të kombit shqiptar!

Audio

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

R ZH

Lajmet e fundit

Loading...