Shkup, 19 qershor – Koalicioni VLEN, më saktësisht partia Alternativa, është tërhequr nga vendimi që Safije Sadiki-Shaini të jetë zëvendësministre në Ministrinë për Marrëdhënie mes Bashkësive. Ky hap i tyre vjen pasi dje edhe zyrtarisht, me dorëzimin e emrave të ministrave në Kuvend, Mickoski propozoi që Ivan Stoillkoviq, kryetari i Partisë Demokratike serbe, të jetë Ministër i Marrëdhënieve mes Bashkësive, pra dikaster ku Sadiku-Shahini do të ishte zëvendësministre.
Orhan Murtezani e konfirmoi vendimin për tërheqjen e emrit të Safije Sadiku-Shahinit, por i pyetur më tej për arsyet, nuk komentoi më tej. Po për çështjen e emërimit të Stoillkoviqit ditë më parë foli sekretari i përgjithshëm i Alternativës, Zekirija Ibrahimi, në DailyClick.
Megjithatë, edhe pse nuk pajtohen me këtë emërim, Ibrahimi tha se VLEN nuk mund të përzihen në vendimet e Mickoskit për ministrat, ashtu siç Mickoski nuk mund të përzihet në vendimet e VLEN-it për emrat për të cilat vendosin. Të njëjtën gjë e tha edhe mandatari Mickoski.
Duke u përgjigjur për akuzat që janë bërë në adresë të Stoillkoviqit, për qëndrime pro-ruse dhe për çështjet e tjera, Mickoski tha se çdo ministër i Qeverisë së tij duhet të ketë pozita pro-maqedonase, dhe kjo sipas tij nënkupton orientimin strategjik të Maqedonisë, partner i fuqishëm në NATO dhe vend i cili një ditë nga sot do të jetë pjesë e BE-së.
Stoillkoviq akuzohet për mbështetje të politikave ruse, ndërsa së fundmi deklaratën e Kombeve të Bashkuara për gjenocid në Srebrenicë e quajti “diznilend nekrofil”. Kjo pati nxitur reagime nga komuniteti boshnjak në Maqedoni, që çoi deri në ngritjen e një kallëzimi penal ndaj tij.