Shkup, 3 mars – Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, i shoqëruar nga Xhevat Podvorica, nga stafi i Ambasadës, realizoi sot një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Gjatë takimit, drejtori i Institutit, Prof.dr. Skender Asani, e informoi ambasadorin Qehaja për aktivitetet, projektet kërkimore dhe sfidat me të cilat përballet institucioni në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve. Ai vuri në dukje se institucionet shkencore, siç është ITSHKSH, duhet të jenë jashtë ndikimeve politike, sepse vetëm si të pavarura këto insticione mund ta kryejnë misionin e tyre shkencor e kulturor.
Ambasadori Qehaja shprehu mirënjohjen e tij për punën e palodhshme të Institutit dhe vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes Ambasadës së Kosovës dhe Institutit. Ai theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në promovimin e identitetit dhe kulturës shqiptare në rajon.
Të dy palët u pajtuan për vazhdimin e koordinimit dhe përpjekjeve për avancimin e çështjeve të interesit të përbashkët.