Amerika nuk do ta detyrojë Izraelin t’i japë fund luftës në Gaza

nga D. V.
Getting your Trinity Audio player ready...

Që kur të mërkurën në Doha u rinisën negociatat për pengjet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, u ka bërë të ditur ndërmjetësve të tjerë se Uashingtoni nuk planifikon të detyrojë Izraelin të ndërpresë luftën në Gaza.

Arsyeja për këtë është refuzimi i prerë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për ta bërë një gjë të tillë, sipas dy zyrtarëve arabë që folën për Times of Israel.

Ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti kishin shpresuar se SHBA do të merrte një drejtim të tillë, duke pasur parasysh komentet e presidentit amerikan, Donald Trump dhe zyrtarëve të tjerë të lartë në lidhje me dëshirën e tyre për t’i dhënë fund luftës, pas lirimit të pengut amerikano-izraelit, Edan Alexander nga Hamasi.

Netanyahu ka këmbëngulur vetëm për një armëpushim të përkohshëm prej rreth 45 ditësh, i cili do të niste me lirimin nga Hamasi të rreth 10 pengjeve. Gjatë kësaj periudhe, ai i ka thënë Witkoffit se Izraeli është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një përfundim të përhershëm të luftës, por pa u angazhuar paraprakisht për një rezultat të tillë.

Hamasi ka refuzuar në mënyrë të prerë këtë kornizë, duke pretenduar se tashmë kishte pranuar të lironte pengje gjatë marrëveshjes për armëpushim të janarit, që do t’i jepte Izraelit mundësinë të hynte në bisedime për përfundimin e luftës. Megjithatë, Netanyahu kishte refuzuar të hynte në negociata të tilla dhe në fund e vazhdoi ofensivën.

Për shkak të qëndrimeve të papërkulshme të të dyja palëve, Witkoff ka paraqitur një propozim që përpiqet të gjejë një rrugë të mesme – një marrëveshje që do të mundësonte lirimin e një numri më të vogël pengjesh në këmbim të një armëpushimi disa-javor, sipas dy zyrtarëve arabë.

I dërguari i Trumpit ka tentuar gjithashtu, përmes ndërmjetësve, ta bindë Hamasin se këtë herë SHBA do të sigurojë që Izraeli të hyjë realisht në bisedime për një armëpushim të përhershëm.

Por, ndërmjetësit arabë shpresojnë që SHBA-të do ta bindin Izraelin që të paktën ta shtyjë ofensivën për disa ditë të tjera, ndërkohë që presin të përcaktohen rezultatet e sulmit të IDF-së të martën ndaj një objektivi të liderit të Hamasit në Gaza, Muhammad Sinwar.

Edhe pse vazhdojnë të ndjekin udhëheqjen e Witkoffit në negociata, Katari dhe Egjipti besojnë se strategjia duhet të jetë “shtyrja e palëve” drejt një përfundimi të përhershëm të luftës, tha një zyrtar arab.

Witkoff në masë të madhe pajtohet me qasjen arabe dhe u ka thënë familjeve të pengjeve javën e kaluar se plani i qeverisë së Netanyahut për zgjerimin masiv të luftës nuk do të jetë efektiv.

Kur në një takim tjetër u përball me pyetjen pse SHBA-të nuk ishin të gatshme ta detyronin Netanyahun të përfundonte luftën, Witkoff u përgjigj “ne nuk jemi qeveria izraelite… Qeveria izraelite është një qeveri sovrane. Ata nuk mund të na thonë neve çfarë të bëjmë, dhe ne nuk mund t’u themi atyre çfarë të bëjnë”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More