Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Analistët: Liderët joserioz, më shumë negociojnë për interesat partiake sesa ato qytetare

Shkup, 19 maj, zhurnal.mk – Partitë politike në Maqedoninë e Veriut kanë dështuar edhe në takimin e dytë të caktojnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një takim të thirrur nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Lidhja Social Demokrate në pushtet, që drejtohet nga Zoran Zaev, ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, më 21 apo 28 qershor, si afate më të mira për zgjedhjen e institucioneve të reja, që sipas kësaj partie duhet të përballen me koronavirusin si dhe të përmirësojnë gjendjen ekonomike.

VMRO-DPMNE-ja opozitare mbetet në qëndrimin se zgjedhjet duhet të mbahen pas normalizimit të gjendjes me koronavirusin, ndërsa ka shprehur shqetësimin me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19 (sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi). Kjo parti po kërkon që zgjedhjet të mbahen nga fundi i gushtit apo fillimi i shtatorit.

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët insiston që zgjedhjet të mbahen pasi të ketë vlerësime pozitive mbi pandeminë, por gjithashtu kërkon mbajtjen e tyre pasi të jenë hapur kufijtë, për të mundësuar votimin edhe të diasporës.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron se shëndeti është mbi të gjitha, por shprehet i gatshëm për pjesëmarrje në zgjedhje në cilëndo datë që do të merren vesh partitë politike.

Sipas ekspertëve, kriza me koronavirusin që ka goditur rëndë ekonominë, reflektohet edhe në qëndrimet e partive që të forcojnë pozicionet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë në pushtet synojnë sa më parë të shkojnë në zgjedhje për të mos pritur përshkallëzimin e mëtejmë të ekonomisë, pasi kjo do të reflektohej në rënien e popullaritetit të tyre.

Analisti, Selim Ibraimi për ZHurnal thekson se nuk është hera e parë që liderët e partive politike në MV nuk dakordohen dhe duhet nga jashtë të intervenohet edhe për një datë zgjedhjesh. Sipas tij është shume e qartë se derisa vazhdon kriza me COVID-19 nuk ka kushte sigurie për organizimin e zgjedhjeve.

“Datën partitë poliitke mund ta caktojnë por nuk duhet të merret si përfundimtare, pasi kemi të bëjmë me një gjendje që ndryshon dhe duhet adaptuar në kushte të reja. Nuk mund të rrezikohet votuesi për karrigen dhe pushtetin e një deputeti.Andaj mendoj se konsultimet duhet të vazhdojnë deri në një fazë kur COVID-19 do të na lejojë të lëvizim lirshëm dhe sigurtë dhe pa infektime të reja. Kjo që po ndodhë tek presidenti Pendarovski është një “burlesque” lojë në mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Partitë shqiptare nuk duhet të pajtohen me një datë që nuk shkon në përputhje me situatën në terren”, ka deklaruar për Zhurnal, Selim Ibraimi, analist.

Nga ana tjetër, politologu, Mevlud Islami për Zhurnal thotë se pas përfundimit të takimit të dytë me liderët politik në villën e presidentit të shtetit Stevo Pendarovski dhe në bazë të deklaratave që dhanë liderët pas takimit, tek qytetarët po krijihet një perceptim se shëndeti i qytetarëve po “mbrohet” vetëm në mënyrë deklarative nga ana e subjekteve politike.

Sipas tij kjo qasje joserioze dhe finoke dalëngadal po demaskohet, dhe po del në pahë interesi partiak.

“E them këtë për dy arsye, gjithmonë duke u bazuar në nevojat reale të qytetarëve e jo të pushtetëdashësve. Së pari, vetë fakti që nuk mund të mirren veshë për një datë është argument i fortë se partitë më shumë e negociojnë për një periudhë kohore më të përshtatshme që do të ndikonte pozitivsh në rezultatin final të partisë, se sa për një qeveri legjitime që do të na mbronte në kohë pandemie. Së fundmi, mundë të konstatojmë se perderisa bota luftonë virusin me rekomandime nga OBSH, te ne gjendjen aktuale partitë e përdorin për poena politik. Ky diskurs është rezultat i qasjes joserioze nga ana partive politike e jo konspiracion për degradim të ndonjë subjekti politik. Zgjidhja më e mirë është të shkohet në zgjedhje posa të krijohen kushte e jo të krijohen kushte për ngritje rejtingu. Shëndeti publik, në rend të parë”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu, Mevlud Islami.

Zgjedhjet në Maqedonisë e Veriut ishin paraparë të zhvillohen më 12 prill, por ishin anuluar për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në fuqi ende është gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa vendi drejtohet nga një qeveri teknike.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!