Agjencia Zhurnal.mk

Analistët: Liderët të i’u japin më shumë mundësi kandidatëve për deputet që të shpalosin programin e tyre

Shkup, 29 qershor, zhurnal.mk – Koha parazgjedhore është kohë kur qytetarët presin që partitë politike të tregojnë se i kuptojnë problemet dhe pritjet e tyre. Më tepër se zakonisht, partitë politike duhet të tregojnë se kanë ide të qarta dhe të qëndrueshme për atë se si tu qasen zgjidhjeve të tyre. Në kushte të shkallës së lartë të mosbesimit ndaj politikanëve, aktivitetet parazgjedhore janë gjasa e fundit e partive për përmirësimin e këtyre percepcioneve dhe për rezultate më të mira në zgjedhje.

Krahas paraqitjeve ditore dhe fushatës intenzive, një nga mënyrat më të mira për tu parë nëse partitë politike kanë vizion për katër vitet e ardhëshme,janëprogramet e partive politike. Programet duhet të ofrojnë një pasqyrë të detajuar të qëndrimeve dhe prioriteteve për problemet kyçe shoqërore.

Masat dhe aktivitetet e parapara në programet politike janë indikatorii rëndësishëm për përkushtimin e gjithmbarshëm tëpartive politike, përkundër dyshimeve të vazhdueshme për implementim të asaj që është paraparë.

Përshpejtimi i procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, benifitet që ka siguruar vendi me anëtarësimin në NATO si në aspektin e sigurisë dhe atë ekonomik, ideja që qeveria e ardhshme të drejtohet nga një kryeministër shqiptar, eliminimi i dallimeve rreth marrëveshjes me Bullgarinë, si dhe mbrojtja e interesave kombëtare, janë tema këto ku kryesisht janë të fokusuar liderët e partive politike në javën e parë të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut.

Nga ana tjetër, nën hije mbeten oferat e kandidatëve për deputetë për votuesit sa i përket vënies së institucioneve të shtetit në shërbim të qytetarëve.

Njohësit e cështjeve politike thonë se liderët për një moment si duket po harrojnë se këto janë zgjedhje parlamentare dhe se në këto zgjedhje në rend të parë duhet të promovohen kandidatët.

Ismet Ramadani për Zhurnal thotë se çdo folkrol politik i cili tërheq vëmendjen jashtë interesave të përditshme, nuk beson se qytetarët do të bien në lajthitje të këtilla.

“Partitë politike, respektivisht liderët e partive politike për një moment si duket po harrojnë se këto janë zgjedhje parlamentare dhe në zgjedhje parlamentare duhet në rend të parë të promovohen dhe tu jepet mundësi kandidatëve për deputet të shpalosin programet e tyre dhe njëkohësisht janë shumë më të përafërt dhe më konkret për punët që duhet t’i bëjnë ata gjatë mandatit të ardhshëm. Përndryshe çdo folkrol politik i cili e tërheq vëmendjen jashtë interesave të përditshme konkrete të qytetarëve është çështje e tejkaluar dhe nuk dua të besojë se qytetarët do të bien në lajthitje të këtilla”, ka deklaruar për Zhurnal, Ismet Ramadani, analist.

Nga ana tjetër, analisti politik, Berat Azizi për Zhurnal ka deklaruar se programet e partive politike që garojnë në zgjedhjet e 15 korrikut në fakt mund të jenë programe të mira në letër, të hartuara dhe të planifikuara konform standardeve evropiane, por pa thënë shpjegime se si do të mund të zbatohen në praktikë. Sipas tij, tashmë jemi mësuar që në çdo cikël zgjedhor të kemi programe të mira, por të parealizueshme.

“Nuk dallon programet e partive politike nga njëra tjera, ndërsa në tubime nuk thuhet asgjë nga ai program duke u lënë vendin kritikave, akuzave ndaj njëri tjetrit dhe retorikës nacionaliste. Kjo e fundit duket si mënyra më e mirë për të nxitur elektoratin që të del në votime. Fenomeni i liderit ndodh për shkak se kandidatët për deputet në pamundësi për tu dukur para opinionit ata gjithmonë fshihen pas emrit të liderit. Paramendoni se çdo kandidat për deputet nuk thirret në emrin e tij apo në programin që ai duhet të zbatojë për të mbrojtur qytetarët e atij vendi, mënyrën e investimeve në atë zonë pasi e njeh më mirë, por ai fshihet pas liderit të tij duke mos e ditur se lideri propozon emra kurse Ju duhet të jeni ata që do ti realizojnë në praktikë, ka deklaruar Azizi duke shtuar se përderisa kandidatët veprojnë nën hijen e liderit atëherë është panevojshme që të shpalosin edhe programin politik dhe atë ekonomik.

“Kemi kandidat të cilët nuk janë në gjendje që të bindin masën se ata kanë kapacitet, kanë dije dhe mbështetje politike për të realizuar atë që e premtojnë për votuesit e asaj zone nga vijnë ata. Kjo e bën që kandidatët të fshihen pas liderit të tyre dhe kjo është në dëm të demokracisë dhe vlerave demokratike të një vendi. Të vepruarit në këtë mënyrë krijon një sistem demokratik të kushtëzuar nga vetë lideri dhe të kufizuar po nga lideri”, ka përfunduar Berat Azizi, analist.

Ndryshe, koalicioni opozitar shqiptar mes Aleancës dhe Alternativës ka hapur fushatën me prezantimin e programit zgjedhor “Shtet për të gjithë”, që sipas këtyre partive parasheh vendosjen e shtetit ligjor për të gjithë qytetarët, zgjidhjen e çështjen ende kanë mbetur zvarrë si dhe përmirësimin e gjendjen ekonomik-sociale. Ky koalicion pret që më 15 korrik të ndodhë ndryshimi i shumë pritur të shqiptarët në Maqedoni.

Edhe koalicioni mes LSDM dhe Lëvizjes BESA kanë promovuar programën parazgjedhore të koalicionit që është titulluar: “MUNDEMI, edhe më shumë, edhe më mirë”. Pjesë këtij programi do të jetë paga minimale prej 300 euro dhe paga mesatare prej 600 euro, 100.000 vende punë, edukim parashkollor për 60% e fëmijëve, rritje të pensioneve çdo vit, klinika të reja, ndërtime të qindra kilometrave autostrada, rrugë lokale si dhe projekte të tjera.

Ndërkaq, në Sheshin “Iliria”, para selisë së partisë në Tetovë, Partia Demokratike Shqiptare gjatë javës së kaluar shpalosi platformën dhe ofertën e saj për zgjedhjet parlamentare 2020.

Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi, që synon të jetë zëvendëskryeministër në Qeverinë e ardhshme, tha se ky kandidim nuk është ide individuale, projekt apo qëllim individual.

Ai i luti shqiptarët e Maqedonisë, që të hapin dyert sepse, siç u shpreh, “vera filloi të vijë nga dera”, slogan ky i PDSH-së për këto zgjedhje parlamentare. Duke folur për platformën e PDSH-së për qeverisjen 2020/2024, Thaçi tha se baza e saj është insistimi i PDSH-së që në Maqedoni të praktikohet demokracia konsensuale.

Nga ana tjetër, sot me fillim në ora 12:00, para ndërtesës së Qeverisë në Shkup, “kryeministri i parë shqiptar” do ta mban seancën e parë qeveritare ku do ta prezanton programin qeverisës të Bashkimit Demokratik për Integrim para qytetarëve.

Ndërkohë dhe anketat nxjerrin në pah se qytetarët e Maqedonisë në plan të parë kanë reformat në sistemin e shëndetësisë dhe atë të arsimit, për të mundësuar shërbime më cilësore.

Në bazë të sondazhit të fundit të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar të publikuar së fundmi, një e treta e qytetarëve (32%) kanë vlerësuar se prioritet janë reformat në sistemin e kujdesit shëndetësor, për të siguruar shërbime më cilësore ndërkohë që një e katërta (23%) e qytetarëve të anketuar kanë theksuar se nevojiten reforma në arsim, ndryshe nga vitet e kaluara kur në krye të listës me prioritet ishin çështjet ekonomike, ulja e shkallës së papunësisë, standardi jetësor.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...