Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Analistët: Ndodhitë në ASH-së për shkak se Sela nuk respekton strukturat e partisë

Shkup, 20 maj, zhurnal.mk – Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoninë e Veriut që pritet të mbahen së shpejti duke pasur parasysh se këto ditë po zhvillohen bisedime mes liderëve për gjetjen e një date, në partinë më të madhe opozitare Aleanca për Shqiptarët kanë filluar përcarjet e thella që nisën në Degën e Tetovës por që më pas u shtrinë edhe në struktura të tjera.

Javën e kaluar brenda ASH-së ka pasur përplasje mes kryetarit të degës në Tetovë, Altrim Mamutit dhe grupit të të përkrahur nga Ziadin Sela.

Analistët politik i shohin këto përcarje brenda ASH-së si rezultat i pakënaqësive brenda strukturave partiake por edhe për shkak të një koalicioni përplot dallime të shumta midis ASH-së dhe Alternativës derisa kjo e fundit vazhdon akoma të jetë pjesë e qeverisë teknike. Ata thonë se koalicioni mes ASH-së dhe Lëvizjes Besa do të kishte qenë më natyral.

Gazetari Urim Saliu për Zhurnal thotë se ndodhitë e fundit në ASH tregojnë se sa e pabesë është bërë politika shqiptare edhe ashtu e përçarë prej kohësh. Sipas tij këtë moment delikat e shfrytëzojnë të gjithë, madje edhe LSDM që i konvenon ky kaos politik brenda partive shqiptare.

“Prandaj Zaev tha se do t’i merr 100 mijë vota shqiptare kësaj rradhe. Ndoshta ai di më shumë për këtë. Ishte një koalicion i ngutshëm midis ASH dhe Alternativa për shumë arsye. E para nuk mund të jenë në sinkron një parti pushteti me një tjetër nga opozita. E dyta më herët kishte akuza të rënda me njëra -tjetrën për fonde të dyshimta. Dhe së fundmi një lider partie duhet të ketë kujdes më përzgjedhjen dhe respektojë strukturat e jo të sillet si politikanët e vjetëruar fjala e të cilëve është ligj. Në fund duhet parë sidomos brenda ASH se çfarë njerëz e përfaqësojnë atë në organizimin partiak sepse mund të ndodhë që dikush të punojë për interesa personale, mund të ketë satelitë që komandohen nga të tjerë e kështu me rradhë”, ka theksuar Saliu duke shtuar se koalicioni natyral do ishte ASH-Besa që duhej të vazhdonte.

“Jo se kam diçka kundër Alternativës por një parti pushteti me një opozitare nuk shkojnë bashkë dhe ky qe gabimi që mbase mund të ketë nxitur pakënaqësi brenda strukturave dhe para zgjedhjeve këto përplasje nuk të sigurojnë fitore”, ka deklaruar për Zhurnal, Urim Saliu, gazetar.

Nga ana tjetër, analisti politik, Arben Llalla për Zhurnal shprehet se largimet nga ASH i kanë fillimet kur nuk u realizua koalicioni fitues ASH-BESA-Alternativa, kulmin e pakënaqësive u arriti kur kryetari z.Sela nuk vendosi kandidat për deputet propozimet e degës, por vendosi emrat që ai dëshironte.

“Nëse shikoni emrat pararojë për kandidat në njësinë Gjashtë janë njerëz periferikë të ASH dhe jo të qytetit të Tetovës. Pra, kandidat të diktuar nga kryetari i partisë z.Sela dhe jo meritorë, që nuk kanë qenë as pjesë themeluese të konceptit Xhaferistë, por vijnë edhe si ish-pjesë e lartë e degës së BDI. E kam thënë që në Shkurtë, në një kanal televizivë se do kemi dobësim të ASH në Tetovë edhe më gjerë, kalime në partitë e tjera. Duhet ta themi të vërtetën ashtu siç është, ASH dhe Alternativa gabuan rëndë që nuk e morën dhe Besën në koalicion. Tashme është tepër vonë dhe njerëzit duan një rreze dielli të ngrohën e kjo rreze nuk po shikohet tek koalicioni në fjalë, kështu, do kemi largime të tjera si nga ASH ashtu edhe Alternativa”, ka deklaruar për Zhurnal, Arben Llalla, analist.

https://business.facebook.com/zhurnal.mk/videos/611561026128604/

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...