Agjencia Zhurnal.mk

Analistët: Përmes një regjistrimi real të popullësisë, merr fund fryma nacionaliste që e ka mbajtur gjallë VMRO-DPMNE-në

Shkup, 2 korrik, zhurnal.mk – Bojkoti i mundshëm i regjistrimit të popullsisë nga ana e opozitës maqedonase, rrezikon realizimin e procesit i cili duhet të ndodh në prill të vitit të ardhshëm. Drejtori i Entit për Statistika Apostoll Simoski thotë se pavarësisht se ky institucion është i gatshëm të realizojë regjistrimin, bojkoti nga një pjesë e popullsisë do të pamundësojë realizimin e tij.

“Cili do qoftë bojkot do të thotë nuk ka regjistrim të popullsisë. Dhe puna e fundit për të gjitha procedurat që ndodhin këtu tek enti është që të ndodh një gjë e tillë. Shpresoj se do të kuptojnë të gjitha partitë politike se ky ligj është më së paku politik, se ky ligj është vetëm profesional dhe regjistrimin e bënë si operacion statistikor profesional dhe jo si politik”-theksoi Apostoll Simovski, Enti i statistikave.

Simovski deklaroi se pa ligjin për regjistrim, në aspekt teknik, nuk do të kenë problem për të realizuar regjistrimin, por se është e rekomandueshme që ligji të miratohet. Ai tha se ende nuk janë takuar me përfaqësuesit e partive politike dhe shton se pret që të takohet javën që vjen, pasi ata të përfundojnë konsultimet me ekspertët. Nga VMRO-DPMNE, deputeti Vllatko Gjorçev, nuk jep qëndrim të qartë nëse do të bojkotojnë ose jo regjistrimin, por thotë se vendit i duhet regjistrim me popullsinë rezidente.

“Maqedonia duhet të realizojë regjistrim në pajtueshmëri me kriteret e Eurostat, kriteret e BE-së dhe kombeve të bashkuara. Do të thotë njëjtë ashtu siç realizohet regjistrim në Gjermani, në Skandinavi, në Spanjë, në cilin do qoftë vend të Evropës, ashtu duhet të realizohet regjistrimi në Maqedoni, respektikvisht të kemi numërim të popullatës rezidente”, pohoi Vllatko Gjorçev, VMRO-DPMNE.

Njohësit e rrethanave politike në vend shprehen se VMRO-DPMNE nuk është në situatë të dikton kushte rreth regjistrimit të popullësisë. Sipas tyre partitë në pushtet LSDM dhe BDI duhet ti thonë partisë opozitare VMRO-DPMNE se pas regjistrimit do të ketë zgjedhje.

“Për shkaqe praktike regjistrimi duhet të mbahet. Ajo është e lidhur edhe me hapjen e kapitujve dhe negociatave të mëtutjeshme me BE-në. Situata është e tillë që BDI dhe LSDM duhet të ju thonë VMRO-DPMNE-së, zgjedhje do të ketë vetëm pas procesit të regjistrimit. VMRO-DPMNE nuk është në situatë të dikton kushte rreth regjistrimit. Njëherë e huqi edhe pse me marrëveshje me BDI-në. Por tani situata është krejtësisht ndryshe. Regjistrimi patjetër duhet të bëhet dhe të jetë legjitim, preciz dhe i pranuar. Më nuk shoh shkathtësi politike që të prolongohet. BDI dhe LSDM e kanë fjalën e fundit ku duhet të jetë regjistrim e më pas zgjedhje. Nëse nuk e bëjnë këtë tani, ka mundësi të shndërrohet në problem të madh në negociatat me BE-në”, ka deklaruar për Zhurnal, analisti politik, Dame Çkatroski.

Nga ana tjetër analisti politik, Abdulla Mehmeti për Zhurnal thotë se kërcënimi i partisë maqedonase të opozitës, VMRO-DPMNE, për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nëse nuk merr pjesë në hartimin e këtij propozimligji është real, meqë përmes kësaj ajo dëshiron ta amnistojë vetveten nga pjesëmarrja në falsifikimin e numrit të popullsisë, anulimin e këtij operacioni statistikor në vitin 2011 dhe fshehjen e krimit me dhënien e mbi katërqindmijë shtetësive të paligjshme gjatë qeverisjes së kësaj partie.

“Sidoqoftë, me pjesëmarrjen apo jopjesëmarrjen e kësaj partie në përgatitjen e këtij propozimligji, pushteti në Maqedoninë Veriore nuk është ende i gatshëm ta pranojë realitetin për përbërjen etnike të këtij shteti, sidomos numrin real të shqiptarëve. Regjistrimi i popullsisë si operacion statistikor i obligueshëm, sipas standardeve ndërkombëtare, edhe gjatë kohë nuk do të jetë real në këtë shtet, përderisa numri i banorëve me përkatësi etnike jomaqedonase është më i madh se numri i atyre maqedonas, ndërsa pranimi i këtij realiteti do të impononte koncept tjetër të shtetit, krejtësisht ndryshe nga ky që është deklaruar deri më sot, si shtet nacional i popullit maqedonas. Rajoni gjeografik i Maqedonisë historikisht ka qenë shumetnik, ndërkohë që krijimi i shteteve nacionale në këtë hapësirë është përcjellë edhe me shpërngulje të mëdha të dhunshme të popullsisë autoktone, sidomos të asaj shqiptare. Ndryshimi i dhunshëm i strukturës etnike dhe falsifikimi i madh i numrit të popullsisë i ka shqetësuar edhe kësaj radhe qarqet nacionalshoviniste, prandaj kjo parti është tepër këmbëngulëse dhe nuk do të tërhiqet nga këto veprime, që nënkupton edhe kërkimin e pretekstit për bojkotimin e regjistrimit të popullsisë. Përmes një regjistrimi real të popullsisë sipas standardeve ndërkombëtare, merr fund koncepti i shtetit etnik të Maqedonisë Veriore me këtë edhe fryma nacionaliste që e ka mbajtur gjallë partinë VMRO-DPMNE në skenën politike gjatë tri dekadave të fundit nga pavarësimi i këtij shteti”, ka theksuar për Zhurnal, analisti politik, Abdulla Mehmeti.

Nga enti për Statistika, njoftuan se ka përfunduar me sukses dhe brenda afatit të lejuar regjistrimi testues i popullsisë. Regjistrimi testues është bërë në 32 qarqe të regjistrimit që ndodhen në 13 komunat e përzgjedhura në tetë rajonet e vendit. Drejtori Apostoll Simovski tha se janë përfshirë 3 839 ndërtesa, 4 572 banesa, 3184 familje dhe 10 262 persona. Ai shtoi se qytetarët e kanë pranuar regjistrimin pa problem dhe janë të gatshëm për këtë proces.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...