Agjencia Zhurnal.mk
Analiza Maqedoni Rekomanduar

Analizë / BE-ja duhet ta pranojë Ballkanin Perëndimor ngjashëm sikur Rumaninë dhe Bullgarinë

Shkruan, Agjencia e Lajmeve Zhurnal.mk

Shkup, 10 prill – Maqedonia e Veriut pritet që t’i fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian gjatë këtij viti nëse sërish nuk ka një veto nga Bullgaria, e cila nuk do ta pengojë këtë gjë. Por, situata është ende e paqartë se çfarë qëndrimi do të mbaj fqinji lindor, duke marrë parasysh problemet e brendshme në këtë vend me formimin e qeverisë. Nëse lëshohet mundësia sërish që të hapen negociatat me BE-në për shkak të kapriciove politike, atëherë në Bashkimi Evropian ose duhet të bëjë presion ndaj Bullgarisë dhe ta detyrojë atë që mos t’i bllokojë negociatat, ose duhet të ofrojë alternativë tjetër për mbajtjen afër të Ballkanit Perëndimor. Në të kaluarën është përfolur një Mini-Schengen ballkanik, por së fundmi dalin ide të ndryshme siç është anëtarësimi në Hapësirën Ekonomike Europiane (EEA – Europaen Economic Area).

Mini-Schgengeni Ballkanik apo EEA – Europaen Economic Area

Mini Schengeni Ballkanik u lançua si ide viteve të fundit, ku protagonist kryesor ishin Serbia dhe Shqipëria. Kjo ide që erdhi si iniciativë nga Procesi i Berlinit, parashikonte krijimin e një zone më të ngushtë të bashkëpunimit midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku fillimisht do të ndodhte një lidhje më e ngushtë midis vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe më vonë gradualisht do të inkuadroheshin në BE. Kjo metodë e bashkëpunimit do të ishte një test dhe parapërgatitje për rajonin që të anëtarësohet në BE. Megjithatë, shumë skeptikë ishin kundër kësaj iniciative, ndër ta më e zëshmja ishte Republika e Kosovës, e cila me këtë lloj të bashkëpunimit frikësohej se primatin në rajon sërish do ta merrte Serbia. Të tjerë e panë këtë iniciativë si një Jugosllavi të re, në të cilën tani do të bënte pjesë edhe Shqipëria. Edhe pse si iniciativë nuk ka dështuar plotësisht dhe realizohen projekte të caktuara, megjithatë kjo përpjekje nuk ia doli që t’i bashkojë shtetet ashtu siç u planifikua.

Problemi më i madh në të ashtuquajturin Mini-Schengen është disbalanci ekonomik dhe kapaciteti prodhues i shteteve. Serbia është lider në këtë pjesë, sepse e trashëgon ende fuqinë ekonomike dhe përvojën e lidershipit të saj në ish-Jugosllavi, ndërsa vendet më të vogla si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi por edhe Kosova, nuk e kanë kapacitetin e duhur që të jenë partnerë të drejtë dhe të barabartë me Serbinë në bërjen e tregtisë dhe qarkullimin e mallrave. Serbia në këtë rast do t’i ngulfaste ekonomitë e vogla dhe do t’i bëhet ato të varura nga ajo.

Përveç disbalancit ekonomik, në kuadër të Minischengenit, Kosova do të ishte e shkelur sërish sepse ndaj saj do të kishte edhe disbalanc politik, nga vetë fakti i mosnjohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Serbisë.

Ky problem, por edhe shumë të tjera, që nuk janë temë sqarimi në këtë Editorial, nuk e favorizojnë aspak idenë e Mini-Schengenit.

Ideja e re për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Hapësirën Ekonomike Europiane – EEA, ka hapur sërish diskutime të reja. Bllokimi i Bullgarisë në rrugën euro-integruese nxjerr në pah se Bashkimi Evropian, nuk ka fuqi ndikimi ndaj asnjë shteti me qëllim që t’i detyrojë ata të bëjnë kompromis në interes të zgjerimit të BE-së dhe realizimit të synimeve strategjike të saj. BE-ja nuk arrin të gjejë mirëkuptim  as nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, as për liberalizimin e vizave për qytetarët e këtij vendi dhe as për shumë çështje tjera që janë në interes të afrimit dhe mbajtjes në vijën pro-evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Të ndodhur në këtë qorrsokak, lindin ide si kjo e fundit që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e EEA-s.

Por çka është EEA?

Për t’u bërë pjesë e EEA-s, së pari vendi duhet të anëtarësohet në Asociacionin Evropian të Tregtisë së Lirë, anëtarët e së cilës e krijuan atë. Në këtë Asociacion Evropian të Tregtisë së Lirë bëjnë pjesë aktualisht Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni dhe ekziston që nga vitet e largëta të viteve 1960. Në rrugën për në BE, pothuajse të gjitha vendet që janë tani në Bashkimin Evropian kanë kaluar nëpër të. EFTA drejtohet nga një Këshill i përbërë nga përfaqësues të anëtarëve i cili vendos me konsensus për të gjitha çështjet, përfshirë pranimin e anëtarëve të rinj.

Këto katër vende, në marrëveshje për bashkëpunimin më të gjerë me BE-në, formuan EEA-në në vitin 1992 dhe ajo u bë funksionale në vitin 1994. Gjëja themelore për të ditur është se këto katër vende, në parim, nuk duan të bashkohen me BE-në dhe të përdorin të gjitha përfitimet e Bashkimit. Islanda nuk është e interesuar për peshkimin, e cila është industria kryesore e vendit dhe do të humbasë privilegjet detare që gëzon tani. Norvegjia është kundër për shkak të energjisë dhe peshkimit, ndërsa të gjitha janë pjesë e Schengenit.

Anëtarët e EEA-s janë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni. Zvicra gjithashtu nënshkroi në 1992 për t’u bërë pjesë e EEA dhe menjëherë filloi negociatat për anëtarësimin në BE. Në dhjetor të të njëjtit vit, u mbajt një referendum për anëtarësim në Bashkimin Evropian në të cilin 50.3 përqind votuan kundër dhe 49.7 – pro. Kështu, me 0.3 përqind, projekti dështoi. Berni, menjëherë pezulloi negociatat me Brukselin, të cilat u anuluan në vitin 2016. Në të njëjtën kohë, Zvicra u tërhoq nga marrëveshja e EEA-s dhe mbeti në EFTA. Kjo është arsyeja pse EEA ka vetëm tre anëtarë. Islanda gjithashtu ka negociuar me BE-në që nga viti 2010, por hoqi dorë në vitin 2013. Në Norvegji, kishte dy referendume për anëtarësimin në BE, të cilat ishin të pasuksesshme dhe sipas një sondazhi të vitit 2018, rreth 73.6 të Norvegjezëve ishin kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ku të orientohet Maqedonia e Veriut!

Është një fakt i padiskutueshëm që Maqedonia e Veriut nuk ka asnjë shans të anëtarësohet në Bashkimin Evropian për një periudhë më pak se 10 vjet, edhe nëse kushtet janë ideale. Por, kjo mund të shkojë edhe në 20 vjet. Anëtarësimi në EEA do të ishte një privilegj, por që është vështirë i realizueshëm. Maqedonia e Veriut nuk ka kapacitete dhe resurse siç ka Zvicra ose Norvegjia që mos të bëhen pjesë e BE-së, sepse vendi ynë mbahet gjallë nga ndihmat dhe projektet që i ndan BE-ja për ne, ndërsa Norvegjia dhe Zvicra janë shtete të cilat e ndihmojnë BE-në.

Si do që të jetë, përpjekja për tu bërë pjesë e EEA-s nuk është një humbje kohe, por do të ishte një përgatitje e mirë dhe ndihmë e madhe për shtegun e gjatë që do të çojë vendin në Bashkimin Evropian.

Të gjitha iniciativat, sikur ajo e Procesit të Berlinit, Mini-Schengeni, kjo për në EEA dhe të tjera, kanë treguar se nëse nuk ka një forcë më të madhe amerikane ose evropiane që do t’i shtyjë proceset përpara, vetvetiu liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i tejkalojnë nacionalizmat, egozimat, historizmat dhe problemet e shumta të së kaluarës për të çuar vendet e tyre përpara drejt BE-së.

Në këtë pikë, Maqedonia e Veriut duhet të shtojë dhe përforcojë aleancat me vendet e Bashkimit Evropain dhe me SHBA-të, duke kërkuar mbështetje të fuqishme të tyre për proceset e saj euro-integruese. Çdo herë kur këto vende janë lënë në mëshirë të fatit të liderëve të saj popullist, kanë dështuar në këtë rrugë duke prodhuar destabilitet dhe trazira për rajonin. Historia e kaluar e Ballkanit fatkeqësisht e ka dëshmuar një gjë të tillë. 

Andaj, Ballkanit Perëndimor nuk i duhen aleanca dhe rrugë të tjera alternative, por i duhet një vendim i fuqishëm politik nga Bashkimi Evropian, që do t’i bëjë pjesë e saj njëherësh të gjitha këto shtete. Pastaj, përderisa këto janë nën ombrellën e BE-së, reformat e tyre do të ndodhin medoemos. BE-ja duhet të gjejë kurajo dhe guxim që t’i fus në BE vendet e Ballkanit Perëndimor ngjashëm siç bëri me Bullgarinë dhe Rumaninë. Në këtë kundërtën, janë të kota dhe humbje kohe të gjitha përpjektet e diplomacisë për të gjetur rrugë alternative. Stërkëmbëzat në Ballkan nuk do të kenë të ndalur. Nëse dje ishe Greqia, sot është Bullgaria, pastaj do bëhet problem Serbia, Kosova etj…

Postime të ngjashme

ASH-AA: Përshëndesim vendimin e Pendarovskit, Ligji të kthehet në Kuvend dhe tu shërbejë qytetarëve

R Zh

Buçi: Kishim mosmarrëveshje me Qeverinë

R Zh

Zaevi: Micotakisi zhvilloi disa ide për të hequr bllokadën bullgare dhe për të ndihmuar në rrugën tonë drejt BE-së

R Zh

MPJ-ja e Bullgarisë: Jemi të hapur për dialog me Maqedoninë e Veriut, takim do të ketë kur të plotësohen kushtet e nevojshme

R Zh

Hoxha opozitës: Nëse votoni ndryshimet të hënën, paret u lëshohen duhanprodhuesive deri të premten

N E

Janë ndarë certifikatat e pjesëmarrësve në programin “Menaxher të rinj dhe lider biznesi”

Z H

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...