Shkup, 10 janar – Që në tetor të vitit të kaluar, kur kryeministri kosovar Albin Kurti vizitoi Çairin dhe Tetovën, duke anashkaluar zyrtarët shtetëror, ishte e qartë se ai dhe Lëvizja Vetëvendosja në një, ose në formë tjetër, do të jenë të kyçur në zgjedhjet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut, sado që asokohe ende nuk ishin shpallur zyrtarisht.
Ardhja e Kurtit ishte paksa e papritur dhe e kapi të papërgatitur edhe pushtetin, që fillimisht pretendonte se vizita e tij në Tetovë e Çair është manipuluar nga opozita.
Mirëpo dy muaj e gjysëm më vonë, respektivisht pak para vitit të ri, u vërtetua se Kurti jo që nuk është manipuluar, por se VV do të rreshtohet krah për krah me opozitën shqiptare në zgjedhjet presidenciale e parlamentare, që do të mbahen në fund të prillit dhe në fillim të muajit maj. Ky lajm është pritur me eufori në kampin opozitar shqiptar, mirëpo me eufori edhe më të madhe tek votuesit opozitarë, që ardhjen e VV-së e shohin si mundësi të mirë për të sjellë ndryshimin e shumëpritur politik, që ka ndodhur tek të gjithë vendet dhe popujt evropian. E intervistat e para të vitit 2024 të Ali Ahmetit, që janë bë në televizionet e Tiranës, nga opinioni i këtushëm janë kuptuar si porosi e qartë se as kryeministri shqiptar Edi Rama nuk do të shikojë nga distanca dhe duarkryq “shkeljen” e Kurtit në terenin elektoral në Maqedoninë e Veriut.
Pro dhe kundër “Open Ballkanit”
Që në qasjen fillestare, Kurti ka një përparësi ndaj Ramës. Partia e ka kryeministrit kosovar dhe ka qasjen se shqiptarët e Maqedonisë si popull që zyrtarisht përbëjnë 30 për qind të popullatës së përgjithshme, nuk kanë statusin e merituar, e këtë e argumentojnë me të drejtat shumë fishm më të mëdha që gëzojnë serbët e Kosovës, që nuk janë as 5 për qind e popllsisë. Për dallim, rrethi i Edi Ramës cili çdo herë përdor floskulën e “vetëkënaqshme” se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë popull shtetformues edhe pse realiteti tregon se nga e thëna në të bërë (sa i përket shtetformësisë shqiptare në RMV) ka ende një mal të tërë. Nëse e sublimojmë me një fjali, mund të themi lirisht se Kurti kërkon që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të jenë më aktiv, kurse Rama në një farë mëyre vlerëson se me raste e poste individuale politike, po realizohen aspiratat e shqiptarëve të këtushëm.
Për këtë arsye, Albin Kurti këtu perceptohet si lider i brengosur për fatin e shqiptarëve të Maqedonisë, kurse Edi Rama më tepër si lider i brengosur për fatin e elitave politike dhe biznesore. Kjo është përparësia e parë e Albin Kurtit në ringun e tyre të përballjes në Maqedoninë e Veriut, që nënvizojnë shumica e njohësve të rrethanave politike në Shkup. Nga ana tjetër, dihet se përplasja e parë më e madhe mes Ramës dhe Kurtit ndodhi rreth projektit të “Open Ballkanit”, prandaj mund të supozohet që tani se edhe “përplasja” e tyre në Maqedoninë e Veriut do të jetë rreth këtij projekti.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani shumë qartë dhe në shumë raste “Open Ballkanin” e kanë quajtur projekt serbo-rus, që është në kundërshtim me interesat shqiptare në Ballkan. Nga ana tjetër Edi Rama e ka përqafuar këtë projekt, e që në vendin tonë është përqafuar fortë edhe nga dy partitë më të mëdha në pushtet, LSDM e BDI. Rama dhe përkrahësit tjerë shqiptarë të “Open Ballkanit” si duket vlerësojnë se është në interes të shqiptarëve që ne të sakrifikojmë edhe më shumë që ta heqim Serbinë nga ndikimi i Rusisë dhe se një gjë e tillë mes tjerash mund të bëhet përmes projekteve siç është “Open Ballkani”. Nga ana tjetër, kundërshtarët shqiptarë të “Open Ballkanit” vlerësojnë se ne nuk kemi nevojë për të sakrifikuar për “evropianizim” të Serbisë, para së gjithash për shkak se një gjë të tillë as nuk ia kanë borxh Beogradit, e as që është e mundur të ndodhë. Nëse kemi parasysh zhvillimet aktuale në Serbi, ku “Rusia po e shpëton Vuçiqin nga synimet e Perëndimit për ta rrëzuar”, shihet qartë se të parët u treguan naivë, kurse koha po u jep të drejtë kundërshtarëve shqiptarë të “Open Ballkanit”. Prandaj epilogu i zgjedhjeve tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut mund të tregohet vendimtar edhe për fatin e “Open Ballkanit”. Njëkohësisht kjo përbën një përparësi tjetër të Kurtit përballë Ramës në Maqedoninë e Veriut, ku disponimi i shqiptarëve është bindshëm kundër “Open Ballkanit”.
Cila mund të jetë përparësia e Ramës, përballë këtyre dy përparësive të Kurtit që i numëruam më lart? Në këtë drejtim përmendet çdo herë dështimi i VV-së në zgjedhjet e parafundit parlamentare në Shqipëri, kur nuk siguroi asnjë mandat deputeti edhe pse garoi me disa kandidatë. Mirëpo ai ishte rast tjetër, sepse VV ende pa u etabluar si duhet në Kosovë, hyri në teren të Ramës në Shqipëri. Përkrahësit e VV-së akuzave për dështim në zgjedhjet në Shqipëri i përgjigjen me rezultatin e shkëlqyeshëm që arritën në zgjedhjet në Luginën e Preshevës, një teren shumë i afërt me botëkuptimin elektoral tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
A mund të bëjnë gabime politikanët “king makerë”?
Hyrja e VV-së në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, duke koalicionuar me opozitën, është një moment i ri politik, që krijon rrethana krejtësisht të reja. Që në momentin e parë është vërejtur se në këto rrethana vështirë do ta ketë të gjendet edhe një parti e kalitur për PR dhe propagandë, siç është BDI-ja e Ali Ahmetit. Po vërehen këshillat e gabuara të këshilltarëve të tij, që në vend se ta këshillojnë të vendosë një kontakt direkt me opinionin e këtushëm, këtë kontakt po mundohen ta vendosin përmes studiove luksoze televizie nga Shqipëria. Kjo po krijon një imazh ndryshe për Ahmetin, si politikan i salloneve dhe studioeve luksoze televizive, e jo si politikan i dalur nga gjiri i popullit. Gazetarët e këtyre televizioneve mbajnë garderobë me vlerë mijëra euro, apo orë luksoze që kushton më shumë se shtëpia e një familje dëshmori ose invalidi të U:K-së, gjë që hedh hije dyshimesh edhe për prapavijë lukrative ndaj interesit të tyre për të pasur si mysafirë në studio politikanët nga Maqedonia e Veriut, e aq më tepër për të lavdëruar “king makerat” e politikës shqiptare tek ne.
Gazetarët/et që janë ngjitur na majat e “santove” të ajsbergut me “kredi nse” të ndryshme gjatë karierës, nuk mund të sjellin pikë politike për politikanët e këtushëm shqiptarë, sepse votuesi shqiptar në Maqedoninë e Veriut ka specifikat e tij. Këtyre gazetarëve të ngjitur e të rrëshqitur nëpër “santo” të ajsbergut, ndoshta mund të ju duken arkaike dhe të tejkaluara krahasimet e vlerës së bizhuterive të tyre me vlerën e shtëpive ku jetojnë familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të U:K-së, por për shoqërinë shqiptare këtu kjo është një çështje e dhimbshme dhe ende e pazgjidhur.
Është një çështje tejet e rëndësishme që ndryshoi diskursin ndëretnik dhe politik në vitin 2001 dhe prandaj vazhdon të jetë aktuale sot e kësaj dite. Sa më larg që politikanët tanë të qëndrojnë nga gazetarët milionerë që brenda natës i shpallin “king makerë”, aq më pak gabime do të bëjnë. Nën ndikimin e teorive të atyre gazetarëve mund të bësh gabime të papërmirësueshme, duke akuzuar kryeministrin kosovar se po përzihet në punët e brendshme në Maqedoni, akuzë që e çon ujin në mullirin e armiqve tanë. Mediumet dhe gazetarët në Maqedoni nuk janë të pasur si ata në Shqipëri, mirëpo realitetin e njohin shumë më mirë dhe nuk të zhysin në gabime të tilla.
Halimi: Kurti mund të arrestohet shkaku i pjesëmarrjes në zgjedhjet në Maqedoni
Drejtor Ekzekutiv Instituti për Studime Evropiane dhe Global, Jeton Halimi, në një intervistë për Euronews Albania, foli në lidhje me situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet që kërkon të krijojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me shqiptarët në rajon. Ai theksoi se Edi Rama e fali Kurtin që u fut në zgjedhjet e Shqipërisë, por sipas tij kjo nuk do të ndodhë në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, nëse Kurti merr dhe njëherë pjesë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, do të arrestohet nga autoritetet ligj-zbatuese. “Kurti u fut dhe tek zgjedhjet e Shqipërisë por, që ishte i pasuksesshëm. Rama në një mënyrë e fali. Në Maqedoni ishte herën e kaluar Kurti, por mori mesazhin e qartë nga institucionet që edhe njëherë nëse futet atje, mund të arrestohet nga organet ligj-zbatuese.
Mendoj se nuk është koha që Kurti të bëjë përçarje, asnjë lëvizje vetëm e vetëm për të qenë një “sulltan’ në vendet ku ka shqiptarë. Mendoj se këto veprime nuk i bëjnë mirë as Kosovës dhe as shtetit ku janë shqiptarët. E vetmja parti që përfaqëson shqiptarët në Maqedoni është Ali Ahmeti. Nëse nuk do ishte Ahmeti shqiptarët nuk do i kishin ato të mira siç i kanë tani në Maqedoni”, tha ai. /Zhurnal