Analizë: Pas dorëheqjes së Faton Ahmetit, kush e ka “fatin e zi” për të liruar vende për kuadrot e Musa Xhaferit e Blerim Bexhetit?

nga Redaksia

Shkup, 15 gusht – Faton Ahmeti ka bë të ditur sot dorëheqjen nga pozita e Drejtorit Gjeneral të Fondit të Shëndetësisë. Një gjë të tillë e ka bërë publike vet ai përmes rrjeteve sociale duke thënë se do të përkushtohet në pozitat partiake në të cilat është aktualisht.

“Çdo detyrë e ka fillimin dhe përfundimin e saj. Unë, sot, Ju njoftoj se dorëzova dorëheqjen nga detyra Drejtor gjeneral i Fondit për Sigurim Shëndetësorë.

Ju falemnderoj për mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm gjatë kësaj periudhe.

Angazhimin tim do ta vazhdoj duke u fokusuar në detyrat partiake, me përkushtim maksimal në realizimin e vizionit të Ali Ahmetit!”, ka shkruar Ahmeti.

Në dorëheqjen e tij, Ahmeti zyrtarisht bën të ditur se dorëhiqet për të ju përkushtuar angazhimeve partiake. Ai mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm në BDI, post për të cilin me siguri ia kanë lakmi shumë bashkëpartiakë, sepse në bazë të postit që mban është ndër personat më të afërt të kryetarit të partisë, Ali Ahmeti, shkruan Zhurnal.

A do të ketë edhe dorëheqje tjera pas Faton Ahmetit?

Mirëpo parashtrohet pyetja nëse Ahmeti vërtet dha dorëheqje nga “drejtorllëku” në Fondin Shëndetësor për t’u marrë më tepër me “hallet” e partisë, apo bëhet fjalë për diçka tjetër, sepse sqarimi zyrtar shpeshherë më shumë fsheh, se që tregon shkakun e vërtetë. Dilema fillimisht buron nga fakti se çdo funksionar i lartë në BDI, nëse nuk është deptet në Kuvend, atehërë mban post të lartë në ekzekutiv. Tani e tutje Faton Ahmeti do të ketë vetëm post partiak, e jo edhe në ekzekutiv. Si praktikë nuk është diçka e keqe, por padyshim se është përjashtim në funksionimin e kësaj partie.

Nga ana tjetër, pas disa muajsh rebelimi, gjysma e “Grupit të Zjarrit” të udhëhequr nga Musa Xhaferi, Blerim Bexheti dhe Nevzat Bejta, janë rikthyer “me mandat” të plotë në BDI, pranë kryetarit të kësaj partie Ali Ahmeti. Rikthimi i tyre ishte më i befasishëm se rebelimi në kuadër të “Grupit të Zjarrit” edhe atë në momentin kur ky grup po formalizohej në një subjekt të ri politik, shkruan Zhurnal.

Që atëherë shumëkush parashtroi pyetjen se me çfarë kushtesh u rikthye gjysma e “Grupit të Zjarrit” pranë Ahmetit? E sot përsëri parashtrohet pyetja nëse në mesin e atyre kushteve është edhe marrja e postit të Drejtorit të Fondit të Shëndetësisë nga ndonjë kuadër i afërt me Xhaferin, Bexhetin dhe Bejtën?

Nëse rezulton e saktë kjo dilemë që po e parashtrojmë, gjithsei se do të paraqitet edhe dilema e radhës: nëse Faton Ahmeti dhe drejtoria e tij kanë qenë kushti i vetëm për rikthim të “Zjarrtëve” në BDI, ose kanë edhe kërkesa tjera, për poste dhe drejtori tjera?

Në kohën kur “Grupi i Zjarrtë” u largua nga BDI, ata u zhveshën nga shumë poste që mbanin e në mesin e atyre posteve konsiderohej edhe MEPSO, që fillimisht kaloi tek Alternativa, e më vonë te ASH. Drejtori i Fondit të Shëndetësisë duket si një kompensim i mjaftueshëm për MEPSO-n, por cili do të jetë kompensimi për pozitat tjera që u janë marë nga dora në kohën kur u “hidhëruan” me Ali Ahmetin, pritet të shohim. Treshja Xhaferi-Bexheti-Bejta një kohë ishin aq të fuqishëm sa që “dridhnin” BDI-në, siç thuhet me vokabular partiak. Nëse kanë arritur të ruajnë një pjesë tëasaj fuqie, nuk është çudi që ambiciet e tyre të përfshijnë edhe ndonjë ministri, e jo vetëm drejtori.

“Zjarr” më nuk ka, por tym ende ka

Rikthimi i Xhaferit, Bexhetit e Bejtës, si dhe formimi i Lëvizjes Demokratike të udhëhequr nga Izet Mexhiti, ka shuar “zjarrin” brenda BDI-së (sado dëmin që mund të ketë bë ky zjarr), mirëpo nga oxhaqet e kësaj partie vazhdon të dalë edhe më tutje tym. Veçmë kemi shkruar për pakënaqësinë dhe revoltën që ka shprehur kryeparlamentari Talat Xhaferi, duke mos hezituar që ndaj rivalit të tij Nevzat Bejta të shprehet edhe me fjalët më ofenduese, si për shembull “çka është turpi për rezilin”.

Vërtetë nuk e ka lehtë Talat Xhaferi. Përkrahësit e tij e një vit e tepër e mbronin BDI-në dhe Ali Ahmetin nga kritikat e “Grupit të Zjarrit”, kurse tani janë sërish në situatë që rrugën për në Reçicë të Vogël duhet t’ua hapë Nevzat Bejta, me të cilin dihet që kanë rivalitet në nivel lokal, rivalitet që erdhi edhe më tepër në shprehje gjatë “vlimeve dhe zjarreve” në këtë parti, shkruan Zhurnal.

Në të njëjtën pozitë mund të themi se gjenden edhe përkrahësit e Rafis Alitit në degën e BDI-së në Saraj. Ata gjatë kohë u përpoqën ta ruajnë strukturën partiakenga shkapërderdhja si pasojë e rrebelimit të “Grupit të Zjarrit”, kurse tani sërish fjalën kryesore në degë do e kenë përkrahësit e kryetarit të komunës, Blerim Bexheti. Ata që mbajtën anën e Ali Ahmetit përballë Blerim Bexhetit, sot sërish duhet t’i japin llogari këtij të dytit!

Situata të ngjashme ka edhe në shumë degë tjera të BDI-së. Një “zjarr” shuhet, shpërthen “zjarr” tjetër, diku më I vogël diku më i madh. Sa “rehatohet” një grup, pakënaqësi paraqiten te një grup tjetër. E gjithë kjo tregon se partisë me seli në Reçicë të Vogël po i mungon numër i mjaftueshëm “zjarrfikësish” që i kishte me bollëk në kohën kur ishte parti e vetme shqiptare në pushtet. /Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More