Karlo Ançeloti dha një intervistë të gjatë për “AS”, ku foli për të kaluarën e tij të lavdishme te Real Madridi dhe të tashmen me ekipin kombëtar brazilian. “Këto vite në Madrid ishin spektakolare, jo vetëm për titujt, por edhe për mënyrën se si i fituam ato. Rikthimet në Ligën e Kampioneve kundër PSG-së, Çelsit, Sitit dhe Bajernit do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time. Lashë një pjesë të zemrës sime. Ishte një nder të isha pjesë e historisë së saj.”
Ai nuk ka dyshime për pasardhësin e tij, Çabi Alonson:
“Si lojtar mund ta kuptoje që do të bëhej trajner. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme. Është i pari në La Liga dhe ndër më të mirët në Ligën e Kampioneve. Te Madridi, një barazim shihet si krizë, por Çabi ka gjithçka që duhet për të pasur sukses.”
Ish-trajneri analizon gjithashtu ciklin e ri të klubit:
“Mbape dhe Bellingam po e ngrenë standardin. Real Madridi është i fortë dhe konkurrues. Çabi mund ta vazhdojë trashëgiminë tonë pa asnjë problem.”
Lidhur me futbollin modern, Ançeloti vëren:
“Sot ka disa të zgjedhur: Mbape, Vinicius, Bellingam, Lamine Jamal, Haland… por askush nuk do të jetë kurrë si Kristiano Ronaldo.”
Dhe lidhur me kampionin portugez, ai shton me një buzëqeshje: “Kristiano do të shënojë një mijë gola, jam i sigurt për këtë. Kur ta bëjë, dua të ftohem në festë! Ai është një profesionist unik, si Modriç. Të dy do të vazhdojnë për sa kohë që kanë pasion. Dhe pasioni, në futboll, është gjithçka.”
