Bota

Anija me raketa shkakton incident ushtarak mes Kinës dhe SHBA

Një anije luftarake amerikane lundroi të mërkurën përmes Ngushticës së Tajvanit në një akt që ushtria amerikane e përshkroi si kalim “rutinë”, por që shkaktoi revoltim të Kinës, e cila pretendon se gëzon sovranitet mbi këtë ishull dhe ujërat përreth.

Marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit janë keqësuar muajt e fundit lidhur me tema si tregtia dhe Hong Kongu, ndërkohë që Tajvani autonom ka qenë prej kohësh burim tensionesh.

Destrojeri USS Barry i pajisur me raketa me preçizion kaloi përmes ngushticës më 14 tetor, sipas një deklarate të Flotës Amerikane të Paqësorit.

“Kalimi i destrojerit përmes Ngushticës së Tajvanit dëshmon angazhimin amerikan ndaj një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur,” thuhej në deklaratë.

“Marina amerikane do të vazhdojë të fluturojë, lundrojë dhe operojë kudo që lejon ligji ndërkombëtar,” vazhdonte deklarata.

Çdo operacion i marinës amerikane në Ngushticën e Tajvanit, që ndan Kinën nga ky ishull, shoqërohet me një përgjigje të fortë nga Pekini, i cili e konsideron Tajvanin si pjesë e paprekshme e territorit kinez.

Në një notë plot zemërim, Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës thotë se e kishte ndjekur nga ajri dhe toka destrojerin “gjatë gjithë procesit”.

“Paralajmërojmë SHBA të ndalin fjalët dhe aktet që provokojnë dhe trazojnë situatën në Ngushticën e Tajvanit,” tha zëdhënësi i Komandës së Hapësirës Lindore, Kolonel Zhang Chunhui.

Ishulli është vetë-qeverisur që nga fundi i luftës civile në Kinë në 1949.

Tajvani ka flamurin, monedhën dhe ushtrinë e tij, por nuk njihet si vend sovran nga OKB.

Uashingtoni i shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Taipejn në 1979, në mënyrë që të përmirësonte marrëdhëniet me Kinën, por SHBA mbeten aleatja më e fuqishme e këtij ishulli dhe furnizuesja e tij kryesore me armë.

Kina ka kërcënuar të përdorë forcën nëse Taipej shpall pavarësinë, ose nëse ndërhyn një vend tjetër.

Pekini e sheh kalimin e një mjeti të huaj lundrues përmes Ngushticës së Tajvanit si një shkelje e sovranitetit të tij.

Uashingtoni dhe vende të tjera, ndërkaq, e konsiderojnë këtë ngushticë si pjesë e ujërave ndërkombëtare dhe të hapur për të gjithë.

Postime të ngjashme

Azerbajxhani akuzon Armeninë për sulm me raketa

admin

Përshkallëzohet situata në Etiopi

T E

Publikohen pamje të tmerrshme të spitaleve në Rusi ku po trajtohen pacientët me COVID-19

S.B.
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...