Agjencia Zhurnal.mk

Desktop Header

Desktop Under Menu 1

Desktop Under Menu 2

Ansambli Nacional i këngëve e valleve shqipe nga R.M.V dhe Unioni i bashkive shqiptare në rajon sollën edicionin e parë të manifestimit “Takohemi në Tuz”

Me ftesë nga “Unioni i Bashkive shqiptare në rajon” , “ Ansambli Nacional i këngëve e valleve shqipe nga R.M.V”, pati nderin të jetë ansambli i vetëm shtetëror shqiptar i ftuar në edicionin e parë të manifestimit të takimeve të komunave shqiptare. Manifestimi këtë vit u mbajt në Tuz, qendër kjo që u bë shqiptare pas 62 vitesh me ardhjen në krye të saj të z.Nik Gjeloshaj. Kështu për 8 mars, në nderim të grave të suksesshme nga të gjitha fushat, gjatë ditës u organizua një panel i gjërë ku u diskutua për sfidat e tyre dhe gjetjen e mënyrës për përfaqësimin më të dinjitetshëm në organe vendimarrëse me ç’rast u prezantuan edhe punime artizanatesh, kurse, në mbrëmje u mbajt “Gala- koncert”, në një ambient të mrekullueshëm, në “Shipshanik” ku performuan edhe artistë të njohur të përzgjedhur nga Unioni si: Vikena Kamenica, anëtarët e familjes Qerimi dhe Besiana Mehmedi e cila ishte edhe moderatore e mbrëmjes. Mbrëmja u mbikqyrë nga Andriola Morina-Kambo- drejtoreshë e sektorit të Unionit të bashkive shqiptare në rajon dhe Valbona Selimllari- kuratore e manifestimit.

Në mbrëmjen “Takohemi në Tuz” me program prej 2 orë e 30 minuta “IN Ansambli Nacional i këngëve e valleve shqipe nga R.M.V” u prezantua me program të veçantë prej 60 minutash, program ky i mbështetur nga Ministria e Kulturës së R.M.V, në kuadër të sektorit ndërkombëtar dhe programit për kulturë për vitin 2020.

Programi nisi me videomaterial të përgatitur nga drejtori Shkodran Tolaj, në kujtim të ikonës së muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha dhe në nderim të saj të gjithë spektatorët u ngritën në këmbë. Më pas u prezantua blloku i parë me mozaik muzikor lirik nga të gjitha trevat: këngë nga kompozitori shkodran Palok Kurti “Marshalla bukurisë sate” interpretuar nga Besarta Murtezani, këngë e Shqipërisë së mesme “Fustanin që ta solla mbrëmë” interpretuar nga Era Azemi, këngë gjakovare “O bilbil” interpretuar nga Salajdin Miftari, valle “Nga Tetova deri në Dibër” me koreografi nga Artan Ibërshimi e muzikë nga Ylber Asllanaj dhe valle jugu me koreografi nga Genc Kastrati e muzikë nga Vladimir Hasimi. Publiku i përzgjedhur nga të ftuar: ambasadorë, diplomatë, artistë, deputetë e kryetarë komunash u fascionuan nga niveli skenik, interpretativ dhe ekzekutues i artistëve të ansamblit tonë që dërguan emocione të veçanta ne Tuz. Më pas u prezantuan këngët epike “Nusja e maleve” e interpretuar nga Kastriot Latifi dhe “Brahim Keta” interpretuar nga Agron Kalisi. Këto këngë të autorëve Haxhi Maqellara e Naim Gjoshi dedikuar qëndresës shqiptare dhe heroinës Shote Galica,  u mirëpritën dhe u pëlqyen nga spektatorët sikurse edhe dy solistët e valles: Jeton Ferati e Avni Zeneli që ekzekutuan valle dyshe dibrane.

Në programin e Gala- koncertit u interpretua një potpuri lirike me këngë shqipe nga R.M.V si identitet i këtij ansambli. Kjo potpuri ngriti në këmbë spektatorët që këndonin e vallëzonin bashkë me këngëtarët e ansamblit. Në të njejtën atmosferë festive u prezantua dhe vallja e Karadakut me koreografi nga Dilaver Kryeziu e muzikë nga Valton Beqiri për të vazhduar në mënyrë madhështore me këngët e Malësisë “Jem ilira-jem teuta, pse jem toskë e pse jem gegë” për të cilat u befasua artisti që ka shkruar këto këngë-Nikollë Nikprelaj i cili pas koncertit për tv “Boing” që ndoqi tërë koncertin u shpreh “Ansambli sonte na bëri krenar në Malësi dhe kështu më bëri krenar mua në vendin tim për programin dhe nivelin që solli”. Këto këngë si edhe “Gjaku i Kastriotit” e kompozitorit Përparim Tomçini shoqëruar nga një koreografi e posaçme apo “Xhamadani vija vija” e Zef Çobës, u interpretuan nga të gjithë solistët dhe tenori i njohur- drejtori i ansamblit z.Shkodran Tolaj. Pas kulminacionit të këtij spektakli të vërtetë, drejtori ndau tre plaketa me llogon- simbolin e institucionit në shenjë respekti për “Unionin e bashkive shqiptare në rajon” dhe kryetarin z.Erion Velijaj që është edhe president i këtij unioni, kryetarin e komunës së Çairit z.Visar Ganiu dhe kryetarin e komunës së Tuzit z.Nik Gjeloshaj. Kryetari i Tuzit u shpreh tejet i nderuar dhe krenar që me ndërmjetësimin e komunës Çair dhe Unionit të Bashkive u realizua koncerti i parë i ansamblit në Mal të Zi dhe pikërisht në Tuz, andaj për tërë përkushtimin dhe emocionet që dërgoi ansambli atje, ai ndau mirënjohje nga komuna për drejtorin Shkodran Tolaj dhe ansamblin. Ky manifestim u mbyll me mesazhe të fuqishme të respektit dhe dashurisë për njëri- tjetrin por dhe për Tuzin e Malësinë me dëshirë që Unioni të vazhdojë rrugëtimin me po të njejtin sukses por edhe me uratat që ansambli të vazhdojë me të njejtin sukses të jashtëzakonshëm që pati me prezantimin e parë në Kosovë më 17 shkurt ashtu edhe në Mal të Zi më 8 mars. Koncertet e tilla në rrafshin e promovimit ndërkombëtar dhe sukseset e njëpasnjëshme tregojnë punën serioze dhe kontinuitive që po bëhet çdo ditë në këtë institucion.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

S.B.

Lajmet e fundit

Loading...
error: Content is protected !!